Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se ky subjekt politik do ta rikthejë raportin e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ashtu siç ishte më herët, duke kritikuar qeveritë e kaluara se kanë vënë në rrezik bashkëpunimin mes dy shteteve.
“Me PDK-në, në qeverisje do ta rikthejmë në nivelin siç ka qenë më herët raportin SHBA-Kosovë. Fatkeqësisht, në vend nuk ka ndonjë person tjetër aktiv në politik pos Enver Hoxhës, i cili ka qasje në kancelaritë evropiane. Në retrospektiv, kur Hoxhaj ishte në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme kemi marrë diku 116 njohje nga vendet tjera, ndërsa ministrat tjerë mund të shtyhen vetëm se cili ka marrë më shumë çnjohje”.
Krasniqi në Rubikon me Adriatik Kelmendin ka theksuar se Qeveria Hoti e ka humbur shansin e Kosovës në marrëveshjen e nënshkruar në Washington, duke thënë se në draftin e kësaj marrëveshje ishte edhe njohja e ndërsjellë në mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Qeveria Hoti, ka bërë një moratorium në kuptimin e anëtarësimit tonë në organizata ndërkombëtare dhe në kërkesat e njohjeve. Ishte, ish presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ai i cili kërkoi njohjen e Izraelit për Kosovën. Ata që ishin pjesë e kabinetit , nuk ia kanë pasë fare idenë për këtë”.
“Ne e kemi mbështetur idenë e shkuarjes në Washington, por nuk është arritur njohja e ndërsjellë, ajo është larguar nga pjesët e drafteve që ishte. Ne mendojmë se duhet t’i jepet një epilog i qartë dialogut, dhe kjo është njohja e ndërsjellë. Këtë e kanë kërkuar Biden, Trump dhe nivelet seniore në SHBA”.
Krasniqi ka deklaruar se letra të ngjashme si ajo e Joe Biden që i është dërguar Aleksandër Vuçiqit, presidentit të Serbisë, ishin dërguar edhe më herët nga presidentët e kaluar të SHBA-së.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet Kosovë-SHBA ishin në rrezik kur ishte Albin Kurti në krye të Qeverisë.
“Letra të ngjashme si të Joe Biden kemi pasë edhe më herët edhe nga Donald Trump, edhe nga Barack Obama, letra të ngjashme kemi pasë nga çdo administratë amerikane. Ky njeri që tani është president, ka ardhur në Kosovë dy herë si zëvendësministër, dhe ka kërkuar gjëra më të mëdha, duke kërkuar votimin e demarkacionit, edhe gjëra të tjera konkrete që ndërlidhen me procesin e dialogut”.
“Ne kemi pasë qeveri që absolutisht kanë qenë neglizhente dhe të papërgjegjshme në raport me SHBA-në. Ajo që kulmoi ishte në Qeverinë e Albin Kurtit, ku patëm rrezikim të vërtetë të raportit tonë historik dhe strategjik me SHBA-në”.
“Për ta thjeshtuar këtë, qytetarët e kanë parë që Kurti ishte në gjendje ta ndërronte Amerikën me përfaqësues të Sllovakisë dhe Spanjës. Kurti u largua nga administrata amerikane, ai filloi ta akuzonte Shtëpinë e Bardhë, si të ishte shtëpi e pazareve. Ai fliste për mënyrën më pezhorative të mundshme për Shtëpinë e Bardhë, të cilën e quante herë Shtëpi e Kuqe dhe e Verdhë”.
“Ai iu dha pozicion dominant në dialog, Miroslav Lajçakut që vjen nga Sllovakia dhe Josep Borrellit që vjen nga Spanja. Ata janë të njëjtit njerëz që sa kanë qenë ministra të punëve të jashtme kanë punuar kundër Kosovës”, ka thënë Krasniqi.