Komuna e Gjakovës një ndër rajonet më të prekura në të gjitha lëmitë e jetës nga lufta e fundit dhe poashtu një ndër komunat me më së tepërmi nevoja për projekte investive në të gjitha fushat e jetës, është e kënaqur me investimet nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS në vitet e fundit.
Numri një i Gjakovës Ardian Gjini, është mirënjohës për investimet e gjertanishme në këtë komunë dhe thotë se pret që të njejtat me dinamikë të shtuar të realizohen dhe të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2018.
Gjini numëron disa nga projektet e raportuara gjer më tash e të realizuara nga kjo kompani.
Ai përmend zonat e Dujakës, Muhadrit,Gërqinës, Dolit, Pnishit dhe disa të tjera që janë rajonet dhe fshatrat në të cilat KEDS ka shtrirë rrjet të ri dhe ka intervenuar me projekte në disa fazafaza.
“Kjo normalisht që ka ndikuar në përmirësimin e jetës së banorëve. Më këtë rast dëshirojmë të falenderojmë gatishmërinë e KEDS-it për investime”, shprehet kryetari i ri i Gjakovës Ardian Gjini.
Gjini më tej shton se gjatë vitit 2018 komuna që ai drejton pret investime tjera nga KEDS e që sipas tij janë imediate për Gjakovën. Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, thotë se tashmë janë listuar prioritetet investive të KEDS-it për këtë vit, gjithnjë edhe duke respektuar prioritetet e zonave ku nevojat janë më të mëdha.
“Për vitin 2018 kemi kërkuar nga KEDS që të rrisë aktivitetet e investimeve si në sasi, cilësi dhe vlerë. Në koordinim me udhëheqësin e Zyres Rajonale të KEDS në Gjakovë si dhe bazuar në kërkesat e qytetarëve të deponuara në Drejtorinë e Shërbimeve Publike kemi marrë zotimin nga KEDS se në të trija fushat e lartëpërmendura do të ketë shtim të investimeve me qëllim të përmirësimit të kualitetit të furnizimit me rrymë”, deklaron Gjini.
Ai premton bashkëpunim të ngushtë dhe gatishmëri të komunës së Gjakovës që tu përgjigjet të gjitha kërkesave të KEDS në mëyrë që të ruhet dinamika e projekteve investive.
Sipas KEDS, investimet në komunën e Gjakovës po bëhen për të përmirësuar shërbimet dhe për të rritur kualitetin e furnizimit me energji elektrike.
“Ne që nga viti 2013 jemi duke investuar anekënd Kosovës. Sigurisht prioritet i jepet vendeve ku rrjeti i trashëguar ishte në gjendje të rëndë. Një nga këto zona ishte edhe ajo e Gjakovës”, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.
Sipas tij investimet në Gjakovë do të vazhdojnë. “Edhe sivjet ne kemi në plan të investojmë në dhjetëra projekte. Natyrisht edhe Gjakova është e përfshirë. Qëllimi i vetëm është që të përmirësohet jeta e qytetarëve sa i përket sektorit të energjisë elektrike”, shton ai.
KEDS deri tash ka përfunduar dhjetëra projekte investive ku kanë përfituar direkt qindra mijë qytetarë.