×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri hap Javën e Krenarisë për komunitetin LGBTI

    Insajderi
    05 October 2017 - 18:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Ramush Haradinaj ishte bërë temë mediale pasi në shtator të vitit 2015 kishte përdorur një fjalë fyese për komunitetin LGBTI pasi kryesuesin e atëhershëm të Komisionit për Shënjimin e Kufirit, Murat Mehën, e kishte quajtur “peder”.

    Haradinaj kërkoi falje pikërisht atë ditë duke thënë se “cilësimi që i kishte bërë Mehës s’ka të bëjë me fjalor diskriminues ndaj asnjë kategorie njerëzore, e as ndaj komunitetit LGBT”.

    Ngjarja kishte ndodhur në diskutimet e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend, ku diskutohej për demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje kjo të cilën Haradinaj e kundërshtonte.

    Dy vite pas, Haradinaj si kryeministër i vendit është duke u përballur ende me demarkacionin me Malin e Zi, duke mos hequr dorë nga pretendimet e tija se Kosova humbë territor nga kjo marrëveshje.

    E në të njëjtën kohë, dy organizata për mbrojtjen e të drejtave të LGBTI-së në Kosovë kanë vendosur që për herë të parë në Kosovë, ta mbajnë Paradën e Krenarisë në Kosovë e cila do të mbahet me 10 tetor.

    Insajderi ka pyetur Zyrën e Kryeministrit nëse Haradinaj do të marrë pjesë në këtë Paradë. Halil Matoshi zëdhënës i kryeministrit i tha Insajderit se pjesëmarrja e Haradinajt nuk është ende e sigurtë.

    “Ju informojnë nesër. Varet nga agjenda”, ka thënë Matoshi.

    Por, e sigurt është pjesëmarrja e Haradinajt në një ngjarje të Javës së Krenarisë e cila do të nisë nesër. Kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e kësaj Jave që do të përmbyllet me paradën.

    Të premten pasdite në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, sipas agjendës zyrtare, Java e Krenarisë do të hapet zyrtarisht me një pritje në të cilën sipas organizatorëve do të marrin pjesë “akterë të  institucioneve të ndryshme dhe pjestarë të shoqërisë civile”.

    “Kryeministri është i ftuar në hapjen e Javës së krenarisë, nesër me 6 tetor dhe do të mbajë një fjalë rasti”, ka thënë Matoshi për Insajderin.

    Java e Krenarisë do të vazhdojë edhe me aktivitete të tjera dhe do të mbyllet me paradën, pjesëmarrjen në të cilën, kryeministri ende nuk e ka të konfirmuar.

    Në Serbi, Parada e Krenarisë së komunitetit LGBTI u mbajt me praninë e kryeministres serbe, Ana Bernabiq, e cila është edhe deklaruar si lesbike duke e bërë Serbinë vendin e parë në rajon që emëron një pjesëtare të komunitetit LGBTI në krye të Qeverisë./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark