×
Insajderi / Insajderi

Kryeministri tregon se çfarë u tha ambasadorëve të QUINT-it për vendimin e ri mbi targat

Insajderi
28 October 2022 - 18:14
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje pas takimit që pati me ambasadorët e vendeve të Kuintit në lidhje me vendimin e ri të qeverisë në lidhje me targat.

“Së bashku me ministrin Sveçla, me dy zëvendëskryeministrat kemi takuar pesë ambasadorët e Kuintit dhe ambasadorin e BE-së dhe me atë rast ua prezantuam qëndrimin tonë”, tha Kurti.

“Natyrisht që qëndrimi, ideja e tyre ka qenë gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë se kjo është zgjidhja më e mirë”.

“Me ç’rast ata nuk e dinin këtë propozim tonin paraprakisht, patën disa pyetje dhe më pastaj thanë se u nevojitet të konsultohen me kryeqytetet e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonin, i cili ishte propozim në mbledhjen e fundit të qeverisë”, është shprehur Kurti.

Qeveria në mbledhjen e fundit ka marrë vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në legale RKS.

Kurti tha se vendimi për targat të mbetet në fuqi, megjithatë janë bërë disa ndryshime. Ai ka thënë se deri me datën 21 nëntor do të jetë në fuqi masa e qortimit. Pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Derisa prej 21 janarit për dy muaj do të ketë targa provuese dhe pas 21 prillit 2023 s’do të ketë targa të tilla.

“Targat për KM, GL janë targa ilegale. Qeveria e Kosovës përmes vendimit ka obliguar ata që ti kthejnë në targa RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshëm edhe me ministrinë e linjës. Dhe kemi ardhur në përfundim që të sjellim për propozim  një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të zbatimit të këtij vendimi”, tha Kurti.

Për këtë çështje ka folur edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

“KFOR-i vazhdon të kryejë çdo ditë misionin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të siguri në lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës si dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes. Në përgjithësi, situata është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Në këtë periudhë, gjithashtu, Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO është duke zhvilluar një stërvitje rutinë për një nga njësitë e saj rezervë. Kjo do të rezultojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren”, vazhdon përgjigja e tyre.

“Tani është çelësi për të shmangur veprimet dhe iniciativat e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme”./Gazeta Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika
Insajderi
01 September 2023

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark