Një ditë pas vendimit të qeverisë për zbritjen e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve dhe vendimit të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial që të punojnë vetëm në punët urgjente, vjen reagimi i Ministrës Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Ministrja Haxhiu, i ka ftuar këto dy institucione që të kthehen në vendet e punës dhe të “mos mendojnë vetëm për interesa personale”.
Haxhiu përmes konferencës për media tha se nuk vlerëson që ngritja e pagave ka ndikuar në rritjen e punës së gjykatësve dhe prokurorëve.
“Ne shpesh kemi protestuar bashkë para gjykatave prokurorive për mënyrën e trajtimit të rasteve nga sistemi i drejtësisë. Edhe kabinetit qeveritar i janë ulur pagat por kjo nuk ka ndikuar në punën tonë përkundrazi. Andaj i ftoj KGjK dhe KPK të kthehen në punët e tyre, mos të mendojnë vetëm për interesa personale”, tha Haxhiu.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar të mërkurën për vendimin që të ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, para datës se hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017, për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, ka thënë Kurti.
Në këtë konferencë të thirrur kundër dhunës, ministrja e këtij dikasteri ka potencuar se dhuna në familje dhe në baza gjinore është një ndër prioritetet kryesore të saj.
“Dhuna në familje dhe në baza gjinore për mua është top prioritet. Për mua është shumë më e rëndësishme se një vendim qe qeveria e ka marrë dje. Hartimi i politikave kundër dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore. Nesër fillon fushata 16 dite e aktivizimit, fushata fillon në bibliotekën ndërkombëtare, do të mbahen rreth 200 aktivitete, takime me gra dhe vajza etj”, shtoi Haxhiu.