Kryetari i bizneseve të bixhozit në Kosovë, Istref Veliqi është ngarkuar me dy aktakuza nga Prokuroria Speciale. Njëra në vitin 2020 e tjetra në 2021. Të dyja rastet lidhen me organizim të jashtëligjshëm të lojërave të fatit, përkatësisht për vepra penale: organizim i skemave piramidale dhe bixhoz i paligjshëm, kontrabandim i mallrave, shmangie nga tatimi e shpërlarje parash. Gazeta Insajderi ju sjell dosjen rreth akuzave ndaj biznesmenit Veliq.
Në vitin 2020 nga Prokuroria e Speciale, Veliq në cilësinë e pronarit të “Game Plus” së bashku me pronarin e “TotoSport365”, Sabri Brahimi lokalet e të cilëve ndodhën në Istog dyshohen se në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për lojëra të fatit. Ata ju kanë mundësuar pjesëmarrëseve të ndryshëm përdorimin e 7 automateve për të zhvilluar lojëra të fatit.
“Kajot , Racing Dogs, Keno“, ishin disa prej llojeve të automateve.
“Nga data e pa caktuar në vazhdimësi deri me datën 10.02.2017 tani te pandehurit e lartcekur, si pronar ne lokalin e lojërave te fatit “Game Plus” me pronar tani te pandehurin Istrf Veliqi dhe “TotoSport365” me pronar Sabri Brahimi që gjendet ne Istog, rruga “Lidhja e Prizrenit” te pandehurit e lartcekur, duke vepruar ne bashkëkryerje në kundërshtim me nenin 69 te ligjit për lojëra te fatit ju kanë mundësuar pjesëmarrësve te ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e shtatë (7) automateve, te cilat ishin te licencuara për lokacion tjetër…”
“…në bashkryerje dhe në vazhdimësi te pandehurit Sabri Ibrahimi dhe Istref Veliqi kanë kryer veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe i bixhozit të paligjshëm”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.
Veliqi përmendet edhe në një aktakuzë tjetër të ngritur më 8 janar 2021, ku janë edhe 12 persona të tjerë: Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Blerim Imeri, Skender Fetaj, Flakron Maqani, Armend Danqeli, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Nexhat Ejupi, Habil Krasniqi, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Rica. Nga kjo aktakuzë Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci e kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite burgim me kusht.
Kësaj radhe biznesmeni Veliq përveç akuzës për “organizim të skemave piramidale e bixhoz të paligjshëm”, akuzohet edhe për kontrabandim të mallrave, shmangie tatimi dhe shpërlarje parash.
Istref Veliqi akuzohet edhe për ndërhyrje në numëratoret.
Në pikën tjetër të akuzës flitet për kontrabandim të mallrave.
“…me dijeni dhe dashje ka kryer veprën penale të kontrabandimit te mallrave, me qellim ka importuar automate ose programe kompjuterike të lidhura me to nga vendet e ndryshme për në Kosovë, ne pikat e subjektit “Game Plus”, me ç’rast në kohën e nisjes së dërgesës për një kopje të faturës së dërgesës, destinacionin, numrin serik të çdo automati ose të programit kompjuterik të lidhur me të dhe një përshkrim për çdo automat dhe programin kompjuterik, nuk e ka njoftuar Administratën Tatimore të Kosovës dhe nuk ka poseduar licenca për këto aparate, sipas nenit 44 të Ligjit Nr. 04/L-80 për lojërat e fatit, për të cilat pjesë është e ndaluar apo kërkohen lėje te posaçme nga organi kompetent”, thuhet në dosje.
Veliq po ashtu dyshohet se ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 475 mijë eurosh.
“…pasojat e mundshme ligjore, e ka dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme prej 475,747.79 euro, në emër të biznesit të lartcekur. Me këtë ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313 par.1 lidhur me par. 3 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK-se), me numer Nr. 04/L 082. kompetent, si Ah -IV”, theksohet në aktakuzë.
Ai ngarkohet se ka kryer shpëlarje të parave në vlerë prej 698 mijë euro.
“…. duke e ditur apo duke pasur arsye ta dije se ishte duke ndërhyrë në numeratoret mekanik dhe elektronik të automatëve të lojërave të fatit, me ç’rast ka kontrabanduar aparatet dhe të njëjtit i ka duplifikuar duke iu vēnē numra serik në emër të aparateve të licencuara me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm, ku pasuria e fituar nga aktiviteti kriminal është fshehur ose maskuar me natyrën e vërtet të burimit, vendndodhjes, sistemimit, lëvizjes, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, apo në çfarëdo rrethanash, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore duke e fshehur shumën e përgjithshme prej 698,280.00 euro (katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e dyzetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e nëntë cent), në emër të biznesit të lartcekur”.
Arsyetimet e kundërpërgjigjet e Veliqit ndaj Prokurorisë Speciale
Istref Veliqi, në cilësinë e drejtuesit të Shoqatës së Bizneseve të Lojërave të Fatit ka pranuar të flas për InDoks për aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe biznesmenëve të tjerë.
Ndonëse prokuroria po e thotë të kundërtën, Veliq ka potencuar se shumica prej tyre kanë punuar në mënyrë legale.
“Shumica, po them ndoshta ka ndonjë shkelje aty-këtu, por të gjithë ata njerëz që janë të akuzuar kanë qenë duke punuar ligjshëm, kanë pasur licence, punëtorë të lajmëruar, kanë paguar tatim ndoshta ka pasur ndonjë shmangie të tatimit apo shkelje ndokund por për ato nuk ishte dashur neve pas mbylljes të gjithëve përnjëherë me na fut në aktakuzë. Unë mendoj që kjo ka qenë një aktakuzë me arsytu veprimin e tyre, veprimin e mbylljes në njëfarë mënyrë që ne paskemi qenë të jashtëligjshëm, çka nuk është e vërtetë aspak, ne të gjithë kemi punuar ligjshëm, dhe kemi paguar taksa shtetit, për tatim-fitim, punëtorët i kemi pasur të lajmëruar, trustin të gjithë”, tha kryetar i ShBLFK-së.
Gjatë intervistës ai foli në detaje edhe për akuzat që ngarkohet ai e të cilën e cilëson edhe si qesharake.
“Aktakuza jem personalisht është shumë shumë qesharake, fillimisht jam i akuzuar për shmangie të tatimit që nuk ka asnjë bazë. Unë rri lirshëm se e vërtetojë 100% të kundërtën, 2) ju ka besu ajo ekspertiza një personi të ATK-së i cili ka qenë i suspenduar një kohë të gjatë për korrupsion, për dyshim korrupsioni, i cili mua personalisht se e them haptazi por spo ja them emrin, më ka taku mua paraprakisht dhe më ka thënë ne duhet me bë diçka që aktakuzë nuk është në rregull. Duhet me bë diçka, më ka takuar në këtë lokalin tash këtu ku jemi, i them atij zotëriut nuk kanë nevojë më bë asgjë se unë jam në rregull”, ka thënë biznesmeni.
Veliqi në këtë intervistë për InDoks ngrit dyshime që zyrtari i Administratës Tatimore që kreu ekspertizën, edhe mund ti ketë kërkuar ryshfet.
“Po në thojza po, në mënyrë direkte jo por indirekte po njëfarë mënyre pse vjen me të taku një hetues i ATK-së me të taku ty personalisht. Para se me përfundu aktakuzë, unë ja kam thënë edhe në gjyq këtë punë edhe gjyaktë edhe ka me thënë sepse ai absolut nuk është i besueshëm për me bë një ekspertizë financiare as nuk e ka tani”.
“Ne kemi bërë ankesë në komisionin ne si firmë që jemi tash në gjykatë, kemi bërë ankesë për shkak se ka qenë ekspertiza ose barazi ka qenë shumë e pa logjikshme dhe ka pasur dëshmi të cilat ne me ia dëshmu çdo kohë, por ska deshtë ska pranu zotëria, tjetra ka qenë ne kur kemi bë anekse, ankesa na u ka pranu, na u ka rikthy ankesa, pastaj e ka marrë një grup tjetër dhe arsyetimi i tyre ka qenë që ne nuk guxojmë policisë ose atë ekspertizë paraprake nuk guxojmë me prek. Tash jemi në gjykatë, edhe nuk e kanë vazhdu e kanë lënë qysh e ka bërë i pari dmth neve na kanë dhënë komisioni të drejt por pastaj nuk u bë asnjë hap për me vërtetu edhe njëherë atë dhe tani jemi në gjyq”, deklaroi ai.
Kur lojërat e fatit u mbyllën në Kosovë, bizneset e kësaj industrie kishin paralajmëruar padi ndaj shtetit të Kosovës. Do të kërkonin dëmshpërblim për mbylljen e shpejt, pasi që pretendonin se janë dëmtuar duke pasur kontrata afatgjate qiraje, kontrata pune e licenca të paguara. Plus fitimi i planifikuar.
“Sipas shoqatës edhe mendimi jem personal e kolegëve të tjerë që janë pjesë e kësaj, vendimi ka qenë arbitrar, i jashtëligjshëm, arbitrar brenda natës unë mendoj që ka qenë i pa matur i pa menduar mirë, dmth ka shkaktua pasoja dhe dëme ekonomike të mëdha edhe për buxhetin e Kosovës por edhe për kompanitë të cilat kanë bërë një intevstim të madh, gjatë kohëve kur kanë operu ligjshëm, ekzistonte një ligji i cili të ka dhënë mundësinë me operu dhe brenda natës me u ndalë, ne mendojmë që ka qenë vendim shumë i shpejt edhe shumë i dëmshëm. Shumica e firmave edhe unë personalisht kemi bërë padi, individuale për dëmet të shkaktuara për planifikimet që i kemi pasur, për investimet që i kemi pasur, atë ditë i ka bërë secili pranë gjykatave themelore, tash pritet gjykata komercial ka me kalu padia në gjykatën komerciale. Nuk na kanë thirrur por paditë janë procesu”.
Veliqi thotë se kishte paralajmëruar se industria e kumarit do të lulëzonte përderisa u ndaluan ato legale.
“Gjithkund në botë ku janë ndalur ligjërisht, ilegalisht lulëzojnë edhe kriminaliteti rritet, ajo është shumë e vërtetë”, ka thënë ai.
/GazetaInsajderi