Një nga nëntë personat e arrestuar në Francë për dyshimet për kurdisje të ndeshjeve nga KF Llapi sipas burimeve të Gazeta Metro është familjari i sekretarit të klubit Muhamet Rexhepi, Altrim Rexhepi.
Gazeta franceze ‘Le Figaro’ gjatë javës së kaluar raportoi se një skuadër kosovare është duke u hetuar për kurdisje të ndeshjeve dhe tashmë nëntë persona ishin të arrestuar, ku mes tyre katër kosovarë.
Sipas burimeve të Gazeta Metro thuhet se një nga të arrestuarit është Altrim Rexhepi. I njëjti është familjari i Muhamet Rexhepit, sekretarit të klubit dhe sipas profilit të tij në rrjetin social Facebook ai jeton në Dijon të Francës.
Gazeta Metro ka provuar të kontaktojë me Muhamet Rexhepin dhe trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje, për t’i konfirmuar apo mohuar këto burime.
Kujtojmë se pas raportimeve të ‘Le Figaro’ kishte qenë gazeta tjetër franceze ‘Le Parisien’ që kishte bërë të ditur se skuadra kosovare që dyshohet për kurdisje të ndeshjeve është Llapi.
Në artikullin e tyre thuhej se midis nëntë personave të arrestuar në mëngjesin e së martës (21 shkurt), veçanërisht në Dijon dhe Mulhouse, pesë prej tyre u vunë në paraburgim nga policia, shkruan Gazeta Metro.
(Sekretari i KF Llapi, Muhamet Rexhepi)
Sipas tyre të enjten e 23 shkurtit ishin paraqitur katër burra, përpara një gjyqtari hetues të Jirs of Nancy me një aktakuzë për akte korrupsioni dhe mashtrimi në një bandë të organizuar.
“Ne e mirëpresim këtë operacion, i cili u krye në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Dijon dhe Mulhouse”, shpjegon komisioneri i divizionit Stéphane Pialat, kreu i departamentit të garave dhe lojërave, i cili krijoi në vitin 2021 një grup të specializuar për korrupsionin sportiv.
Në anën tjetër, akuzat për kurdisje të ndeshjeve i kishte mohuar klubi i Llapit përmes një komunikate pak orë pas publikimit të lajmit.
Llapjanët i kishin cilësuar “shkrime tendencioze” dhe “qëllim keqe”, të cilat sipas tyre kanë për qëllim të njollosin emrin e skuadrave të caktuara dhe të Superligës së Kosovës.
Ndërsa, paraprakisht në një prononcim të shkurtë për Gazeta Metro trajneri, Tahir Batatina, kishte thënë se nuk ka ”shanse” të ndodh një gjë e tillë nga skuadra që ai e udhëheq.
”Nuk jam në dijeni dhe nuk ka shansë nga Llapi të ketë një gjë të tillë,” ishte përgjigjur ai.
Vlen të theksohet se pas raportimeve që dy herë radhazi fituesi i Kupës së Kosovës është i përfshirë në kurdisje të ndeshjeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur se ka nisur hetimet.
Sot në një përgjigje për Gazeta Metro nga Prokuroria e kanë konfirmuar se ende janë duke i trajtuar këto raste. Megjithatë, nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme.
”Ashtu siç e kemi bërë të ditur përmes një Njoftimi për opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke i trajtuar këto raste, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera lidhur me këtë çështje për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë./GazetaMetro/.