×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti: Arsyet që gratë kërkojnë kredi janë më dobiprurëse se sa ato për të cilat kërkojnë burrat

    Insajderi
    25 April 2023 - 13:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke u mbajtur Java e Pronës Industriale dhe Inovacionit, në të cilën sot ka marrë pjesë edhe kryeministri, Albin Kurti.

    Në fjalimin e mbajtur Kurti ka deklaruar se Qeveria ka për qëllim të mos e lë askënd në gjendje të pasigurisë financiare.

    “Qeverisja jonë ka ndërmarrë disa veprime që ndërhyjnë dhe ndikojnë ekonominë drejt barazisë dhe zhvillimit dhe qëllimi ynë si Qeveri është të mos e lëmë askënd në gjendje të pasigurisë financiare”, tha Kryeministri Kurti.

    Tutja, Kurti ka thënë që Qeveria ka marrë masa konkrete për të siguruar burime financiare për gratë.

    “Me masat mbështetëse të Qeverisë, subvencionuam kreditë investuese të mbi 200 bizneseve prodhuese, ku vlera e akreditimit të mundësuar ishte mbi 100 milionë euro. Mbështetëm 268 biznese, 40% prej tyre në pronësi të grave, me vlerë 11.2 milionë euro, për shtim të kapaciteteve prodhuese për eksport e me teknologji të avancuar. Nga projekti ‘Iniciativa për Fuqizim Digjital’ përfituan 62 ndërmarrje, prej tyre 35 në pronësi nga gratë, pra ma shumë se gjysma. Për dy vite, janë punësuar rreth 5 mijë gra dhe është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra. E, afër 1500 familje kanë të paktën një anëtar të punësuar, prej tyre 603 gra, nëpërmjet masës Qeveria për familje”, ka shtuar Kurti.

    Madje, kryeministri ka folur edhe për arsyeshmërinë e marrjes së kredive nga gratë.

    “Qëllimi ynë si Qeveri është të mos e lëmë askënd në gjendje të pasigurisë financiare. Vetëm me politikën tonë të re, për shtesat për lehona dhe fëmijë, afër 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare. Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës kredi marrin më shumë burrat se sa gratë. Ky krahasim është duke lëvizur çdo ditë dhe duhet të shkojë në një qasje më të barabartë. Arsyet pse gratë kërkojnë kredi janë në të shumtën e rasteve më të arsyeshme e më dobiprurëse se sa ato për të cilat kërkojnë burrat kredi”, ka thënë ai./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark