×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti: Do të vazhdojë mbështetja për Luginën e Preshevës, nga viti në vit po ia shtojmë edhe një milionë

    Insajderi
    02 February 2024 - 20:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim sot specializantët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

    Në këtë takim prezent ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se në mbledhjen e kaluar të Qeverisë, u aprovua pagesa për 375 specializantë të Kosovës me vetëfinancim, si dhe 21 nga vendet e rajonit, vendim që, sipas Kurtit, dëshmon angazhimin e pandërprerë dhe trajtimin e barabartë edhe në aspektin e mbështetjes financiare për bashkëkombësit tanë.

    “Për ne, bashkëpunimi për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por është domosdoshmëri e kohës dhe rrjedhimisht obligimi ynë. Andaj, me këtë qëllim, përkushtimi ynë është i vazhdueshëm dhe sa vjen e do të rritet”, u shpreh kryeministri.

    Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se Udhëzimet e Qeverisë, kanë për qëllim që të bëjnë maksimumin që specializantët nga trevat shqiptare të mos jenë të diskriminuar, gjersa shtoi që do të ofrojnë maksimumin për edukimin e tyre me besim të plotë që do të dalin specialistë të jashtëzakonshëm të fushave të ndryshme dhe të kontribuojnë në vendet ku ata jetojnë.

    Gjatë takimit, kryeministri Kurti shtoi se me qëllim të koordinimit e kujdesit të vazhdueshëm për bashkëkombësit në vendet fqinje, ka emëruar Ardita Sinanin si këshilltare politike me qëllim të krijimit të kontakteve të rregullta me përfaqësuesit politikë shqiptarë në rajon.

    “Po ashtu, në vitin 2023 u ndanë mjete buxhetore për “Mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar” për të avokuar në qendrat e mëdha vendimmarrëse për kombin tonë, derisa ndamë edhe një çerek milioni euro për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe”, shtoi ai.

    “Andaj, këtë po e vazhdojmë nga viti në vit dhe po ia shtojmë edhe një milion, krahasuar me vitin aktual pra, nga dy në tre milionë për vitin 2024 dhe kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë”, tha Kurti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark