×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e bën Arkeologjinë prioritet: Po merr vëmendje të veçantë shtetërore, me projekte të rëndësishme

    Insajderi
    08 September 2024 - 18:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se arkeologjia në Kosovë po merr një vëmendje të veçantë shtetërore, me projekte të rëndësishme në disa lokalitete kyçe, duke përfshirë Ulpianën, Dresnikun dhe Kalanë e Vuçakut.

    Ai bëri të ditur se për herë të parë janë nisur proceset e shpronësimit për lokalitetet arkeologjike, me prioritet për Ulpianën dhe Dresnikun, ndërsa planifikohet të vazhdohet në vende të tjera.

    Në Ulpianë, ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i Perandorit Justinian për Dardaninë, po zgjerohet hulumtimi për të bërë zbulime të reja të rëndësishme.

    Në Dresnik të Klinës, një projekt konservimi i financuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke avancuar. Ky projekt përdor pajisje moderne, si skanerët 3D, për të dokumentuar gjendjen aktuale dhe për të hartuar plane të detajuara për mbrojtjen e lokalitetit. Po ashtu, janë në zhvillim planifikimi i menaxhimit dhe qasjes.

    “Instituti Arkeologjik i Kosovës ka përgatitur materiale për publikime dhe botime për të prezantuar rezultatet e hulumtimeve dhe zbulimeve arkeologjike në vend. Disa nga botimet e fundit janë revista “Kosova Arkeologjike”, monografia “Varreza tumulare e Dollcit,” ndërsa në qershor është dërguar për botim në revistën “Iliria”, në Tiranë, artikulli “The Dardanian Settlement of Cernica – Vendbanimi Dardan në Cërnicë”. Janë ndarë bursa për studentë të arkeologjisë të cilët vijojnë studimet në Universitete të ndryshme në Evropë e botë. Mbështetje financiare për studime në profile deficitare të arkeologjisë me qëllim të krijimit të kapaciteteve të reja profesionale”, u shpreh Kurti.

    Kurti shtoi se deri në fund të vitit, projektet për restaurimin dhe zhvillimin e lokaliteteve arkeologjike, si Kalaja e Novobërdës, Ura e Gurit në Vushtrri dhe strukturat në Kaçanik, Vrellë dhe vende të tjera, do të jenë në qendër të angazhimit të qeverisë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark