×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti e pranon propozimin e BE’së për Asociacionin

    Insajderi
    26 October 2023 - 20:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023.

    Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa”, thuhet në njoftim.

    Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria bëhet e ditur se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e ka refuzuar marrëveshjen duke dhënë një arsyetim.

    Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në njoftim.

    Tutje, Qeveria e Kosovës ka treguar më në detaje zhvillimet e sotme në Bruksel.

    Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

    Qeveria e citon kryeministrin për deklaratat në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku ka kërkuar ekstradimin e personave përgjegjës në Kosovë.

    Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin. Grupi paramilitar terrorist i Milan Radoicic dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX”.

    Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike“.

    Po ashtu, Kurti tha se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE.

    Për progresin demokratik dhe ekonomik të saj, Kryeministri Kurti tha që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE, pra edhe bashkimin e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Evropian me shumicën prej 22 sosh, në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq siguria e kufijve për Kosovën, bashkë me sigurinë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngriten cilësisht nëpërmjet Marrëveshjes për Partneritet për Paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike“.

    Më tej Kurti në takim citohet të ketë thënë se ‘pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin‘.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark