×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kurti i quajti “institucione shtetërore” objektet komunale në veri, BE-ja e demanton: S’keni legjitimitet

    Insajderi
    28 May 2023 - 18:21

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit e Qeverisë së Kosovës prej nga edhe njoftoi për mbajtjen e seancave konstituive për betimin e kryetarëve të rinj në komunat veriore, iu referua objekteve komunale si “institucione shtetërore”. Mirëpo, ndryshe nga Kurti, BE-ja tha se shteti i Kosovës s’ka legjitimitet për këtë.

    ““Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbeten pa kryetar, dy prej tyre edhe pa Kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale, kjo nuk është normale, veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim”, deklaroi të mërkurën ai, një ditë përpara betimit të kryetarëve të rinj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Mirëpo, ndryshe mendoi raportuesja e BE-së për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Ajo, pa praninë e zyrtarëve qeveritarë nga Kosova, teksa vizitoi komunat veriore tha se Kosova s’ka legjitimitet të futet në objekte komunale.

    “Mendoj se shumë gjëra shkojnë keq në këtë shtet nëse ky është realiteti, nëse shohim makina të blinduara, policë të armatosur rëndë, njësi speciale që 24/7 ruajnë ndërtesat komunale, ne vërtetë duhet të mendojmë për mundësi të tjera dhe opsione të tjera. Kjo nuk është të paktën ajo ne dhe BE-ja kemi në mendje. E di që është situatë e vështirë, siç e kam thënë më parë, Qeveria mund të ketë diçka tjetër në mendje, por si e zbatoi atë, nuk është në linjë me gjithçka, të paktën ne në BE do të donim të shihnim”, deklaroi Von Cramon.

    “Ne nuk mund thjesht të zbatojmë të drejtën për të hyrë në një ndërtesë komunale, edhe nëse de jure keni të drejtë të bëni një gjë të tillë. Por, de facto nuk mendoj se ka legjitimim për të bërë diçka të tillë”, tha ndër të tjera ajo.

    Raportuesja e BE-së, po ashtu, pati një sjellje arrogante në drejtim të Policisë së Kosovës, të cilët me urdhra të ekzekutivit po ruajnë 24-orë objektet komunale.

    Ku është kërcënimi? Pse… Çfarë dreqin ju solli këtu?”, e pyeti ajo njërin prej policëve.

    Njëri prej policëve, siç dëgjohet në një video i tha asaj se “ne kemi ardh me e mbrojtë kryetarin kur të zgjedhet”, dhe shtoi se këtë e kanë për detyrë.

    Von Cramon më pas tha se nuk është faji i policëve, sepse ata vetëm po i zbatojnë urdhërat, por shtoi se këto “pyetjet e mia duhet t’i bëj në Prishtinë”.

    Gazeta Insajderi ka realizuar një intervistë përgjatë të dielës me përfaqësuesin politik të serbëve në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq, lidhur me situatën e krijuar në veri. Ai ka thënë se do të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, rezistencës demokratike të serbëve në kundërshtim të vendimeve të kryeministrit Kurti.

    “Unë dhe të gjithë kolegët e mi do të jemi pjesë e rezistencës demokratike të serbëve ndaj këtij terrori të Albin Kurtit dhe përpjekjes për të instaluar me forcë njerëz të zgjedhur me ligj, por që nuk kanë legjitimitet politik apo simpati nga popullata vendase. Edhe numri i shqiptarëve që votuan në zgjedhjet e 23.04.2023 është dukshëm më i vogël se numri i shqiptarëve që votuan në vitin 2021”, deklaroi ai.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark