×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti i tha Stoltenbergut se Serbia i pari vend në Evropë që operon me armë kineze

    Insajderi
    20 November 2023 - 21:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, u diskutua roli historik i NATO-s në vend dhe kontributi i vazhdueshëm i misionit të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në vend, krahas zhvillimeve të fundit në vend dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se Kurti e njoftoi Stoltenbergun për qeverisjen, rezultatet e prekshme, dhe për vëmendjen që iu është kushtuar investimit në mbrojtje, arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

    Duke folur për situatën e sigurisë, veçanërisht në raport me rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për të, ai veçoi praninë e 48 bazave të përparme operacione serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri.

    Më këtë rast, Kurti listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe. Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92. Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe.

    Kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.

    Ai tha se përderisa viti i kaluar u përshkrua me barrikada të ngritura nga grupe kriminale që qëllim kishin t’u kundërviheshin rendit dhe ligjit (korrik dhe dhjetor 2022), ky vit ishte vit i sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, vendore dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i 26 dhe 29 majit, pastaj rrëmbimi i policëve të Kosovës me 14 qershor e që kulmoi me agresionin e 24 shtatorit që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare.

    Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti ndau me Sekretarin e NATO-s, Stoltenberg të gjetura nga procesi i hetimeve të institucioneve vendore të sigurisë mbi rastin e sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, por edhe mbi rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, me 14 qershor, që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë. Kryeministri tha se këto dy raste dëshmojnë nevojën për të rritur sigurinë sidomos përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa i bëri thirrje Sekretarit që NATO gjithashtu të dalë sa më parë me konkluzionet e hetimeve të saj të pavarura mbi rastin e rrëmbimit kriminal të tre policëve të Kosovës dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel. Kryeministri e njoftoi Sekretarin për mbarëvajtjen e atij takimi, dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundruall planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike. Me këtë rast, kryeministri Kurti nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO.

    Falënderues për mikpritje, Stoltenberg shprehu mirënjohjen e tij për koordinimin e institucioneve të sigurisë me KFOR-in, si dhe për mbështetjen që Qeveria dhe Republika e Kosovës i ka dhënë Ukrainës në përballje me agresionin ushtarak të Federatës Ruse, teksa sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e quajti të tmerrshëm dhe të papranueshëm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark