Kryeministri Albin Kurti mbrëmë mori pjesë në hapjen e edicionit të dytë të Festivalit “Fotoist”.
Festivalin, që përfshin një program të pasur të fotografisë, Kurti e vlerësoi si tejet të rëndësishëm, “meqenëse na drejton në një realitet të ndërtuar mbi optikën”.
“Në vitin 2021, ne buxhetin për skenën e pavarur kulturore e kemi gjetur me 1 milion euro, kurse këtë vit shënon rritjen më të madhe ndonjëherë me 9 milionë euro, duke përfshirë sektorin e pavarur në kulturë dhe në trashëgimi kulturore. Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e mbështesin fuqishëm organizimet e tilla të cilat e zhvillojnë artin, të cilat e ngrisin ndjeshmërinë dhe vetëdijen mbi të bukurën dhe në të njëjtën kohë duke kuptuar që nëpërmjet të bukurës, nëpërmjet estetikës edhe edukohet njeriu përveç se gëzohet”, tha kryeministri, duke shtuar se do të vazhdojmë të qëndrojmë pas ngjarjeve që afrojnë dhe e bashkojnë publikun kosovar me artin.
Ai tha se: fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë—çdo foto është një dëshmi e vlerave demokratike të Kosovës, të këtij populli, i cili ka vuajtur shumë, e megjithatë e ka fuqinë për të shikuar përpara dhe për të ecur përpara, me ç’rast pikërisht fotografia e kap edhe thelbin e rritjes sonë.