×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti: Liria e pavarësia i kanë rrënjët në gjakun e dëshmorëve

    Insajderi
    07 August 2023 - 14:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe familja Lleshi kanë hapur ekspozitën “Kontributi atdhetar i familjes Lleshi” të autorëve Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, me rastin e 25-vjetorit jubilar të rezistencës së armatosur nga kjo familje.

    Kryeministri Albin Kurti, tha se liria dhe pavarësia e Kosovës rrënjët i ka në gjakun e dëshmorëve. Duke shtuar se kjo ekspozitë shënon kontributin e familjes Leshi në kryengritje dhe luftën tonë çlirimtare

    “Kjo ekspozitë e shënon kontributin e familjes Leshi në kryengritje dhe luftën tonë çlirimtare. Sot e kemi 25 vjetorin e rënies heroike të Kolës dhe Markut nga familja Lleshi. Ndërkaq me 28 janar të vitit të ardhshëm do të shënojmë 25-vjetorin e rënies së Predni dhe Memes”.

    “Pra 4 shtylla dhe 4 dëshmorë dëshmi e gjakut të derdhur për çlirimin e Kosovës, që na përkujtoj se sa i madh ishte çmimi i lirisë që e gëzojmë, i çlirimit që u realizua  dhe i shtetit e i  pavarësisë sonë që i kanë rrënjët pikërisht në gjakun e dëshmorëve”, tha ai.

    Autori i kësaj ekspozite Sadik Krasniqi, tha se në këtë ekspozitë janë prezantuar mbi 100 eksponate, mbi 200 fotografi si dhe dokumente dhe materiale nga shtypi i kohës.

    “Përpjekjet e popullit të Kosovës për çlirim Kombëtar nuk pushuan as një herë gjatë historisë. Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë dhe me plotë sakrifica dhanë kontribut shumë familje dhe personalitet shqiptare, e tillë ishte edhe familja e Marka Llesheve. E cila nga gjiri i vetë nxori shumë burra e djem të zote që kontribuuan për lirin e atdheun”.

    “Janë të prezantuar disa materiale që janë ndarë në katër grupe, fotografi, dokumente, shtypi i kohës. Sa i përket koleksionit të prezantuar janë mbi 100 eksponate, mbi 200 fotografi si dhe dokumente dhe shtypi i kohës”, tha ai.

    Gegë Lleshi, familjarë tha se me këtë ekspozitë është bërë një punë e mirë pasi sot janë vendosur në dritë veprat e dëshmorëve.

    “Ata nuk kërkojnë shumë, ata kërkojë  t’i përkujtojmë, të punojmë dhe t’i respektojmë. Mendoj se sot e kemi bërë një vepër të mire ndaj tyre. Dhe sot e kemi vendosur ne drite që vepra e tyre të mos i mbuloj pluhuri i historisë”, tha ai.

    Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

    E nderuara familje Lleshi,

    E dashura lokja Hanë,

    Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,

    I nderuari baca Lilë, Halil Krasniqi, i ati i Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçit,

    Të nderuar veteranë e invalidë të luftës,

    Të nderuar autorë të kësaj ekspozite, z.Krasniqi dhe Rraci,

    Të nderuar profesorë e studentë të Universitetit,

    Zonja dhe zotërinj,

    Motra dhe vëllezër,

    Unë kam kënaqësinë dhe nderin që ndodhem sot këtu bashkë me juve për të parë këtë ekspozitë, e cila shënon kontributin e familjes Lleshi në kryengritjet dhe luftërat tona çlirimtare, me ç‘rast sot kemi 25-vjetorin e rënies heroike të Kolës dhe të Markut nga familja Lleshi, ndërkaq, me 28 janar të vitit të ardhshëm do të shënojmë edhe 25-vjetorin e rënies së Prendës dhe të Memës.

    Pra, katër shtylla, katër dëshmorë, dëshmi e gjakut të derdhur për lirinë dhe për çlirimin e Kosovës, që na e kujton e na e përkujton se sa i madh ishte çmimi i lirisë që gëzojmë, i lirimit që u realizua dhe i shtetit e i pavarësisë sonë që i kanë rrënjët pikërisht në gjakun e dëshmorëve.

    Përderisa Marku dhe Kola kanë rënë në betejën në vendlindjen e tyre në Vraniq të Gjakovës, Prendi dhe Mema kanë rënë në betejën e Godenit dhe me 28 janar të vitit të ardhshëm do të shënojmë pra një çerek shekulli edhe nga rënia e tyre heroike.

    Unë i përgëzojë Muzeun e Kosovës, përgëzojë autorët për ketë ekspozitë, falënderojë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe urojë që sa më shumë të kemi shënime të këtilla të cilat janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për mësimin e historisë, por edhe për të mos e humbur asnjëherë rrugën drejtë ardhmërisë së ndritshme e të cilën na e kanë ndriçuar pikërisht dëshmorët e kombit të të gjitha luftërave, e në veçanti do të theksoja këtë luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    E falënderoj loken Hanë, e cila me qëndresën e vet në bën të gjithë neve krenarë, por njëkohësisht na inkurajon e na frymëzon që të qëndrojmë të fortë pavarësisht sfidave që kemi në çfarëdo pune që bëjmë e që angazhohemi.

    Lavdi Markut, Kolës, Prendit dhe Memës!

    Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!​​

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark