Kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me situatën në veri të vendit pas vendimit për kthimin e targave të veturave serbe në RKS.
Ai e ka dënuar djegien e veturave që në disa raste u janë bërë qytetarëve që kanë pranuar ndryshimin e targave të më hershme që nuk i kishin në RKS, shkruan Insajderi.
Madje kryeministri Kurti tha se për këtë çështje ka kërkuar edhe reagimin e Shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“I kam kërkuar Borrellit ta dënojë djegien e veturave në veri të Kosovës. Kjo është bërë nga kriminelët të cilët janë të organizuar në struktura të ndryshme, por e përbashkëta e të gjitha këtyre strukturave është se Beogradi i dirigjon dhe i financon”, ka deklaruar Kurti për mediat serbe pas Samitit të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Berlin.
Kurti më tej ka deklaruar se në veri të shtetit është Serbia, ku nuk ka as demokraci e as vlera proevropiane për shkak të Beogradit, shkruan Insajderi.
“Ne duam paqe dhe siguri për krejt qytetarët dhe shteti i Republikës së Kosovës është shtet i pavarur që ka sundim të ligjit dhe Kushtetutën e vetë. Por e dimë që në veri të shtetit tonë është Serbia, ku nuk ka as demokraci e as vlera proevropiane për shkak se Beogradi, në të vërtetë ka marrë anën e Kremlinit dhe presidentit Putin i cili e ka ndërmarrë sulmin e tmerrshëm ndaj Ukrainës”, tha Kurti.
Ai ka ripërsëritur se atje, pos krimeve të ndryshme të luftës, në njëfarë mënyre Putin po dëshiron ta sulmojnë gjithë rendin evropian dhe euroatlantik.
“… i cili nuk është vetëm rend i sigurisë e paqes por edhe i demokracisë dhe lirisë, të atillë çfarë ne i njohim”, tah Kurti.