×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti paralajmëron “skenarë tjerë destabilizues” në veri: Serbët të përmbahen ditëve në vijim

    Insajderi
    12 October 2023 - 09:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë se institucionet e sigurisë dhe ato të inteligjencës kanë hetuar rritje të rrezikut që ditëve, javëve e muajve të ardhshëm të ketë inskenim të “sulmeve të dhunshme nga grupe e struktura kriminale të Serbisë në Kosovë”.

    Kurti tha se qëllimi është që të fajësohet Policia e Kosovës dhe se për këtë ata “nuk do të zgjedhin mjet”.

    “Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim tavan, nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia vetëm sa i ka inkurajuar”, tha ai.

    Kryeministri tha se pasi provuan që ngjarjeve të 24 shtatorit t’i jepnin “ngjyrim fetar”, tash formacionet kriminale “të sponsorizuara nga fqinji ynë verior ka shumë që ngjarë që dallimet etnike synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike”.

    Ai iu bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos cyten nga ajo që mund të ndodhë.

    “Ditëve, javëve dhe muajëve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara e dashakeqe”, tha Kurti, duke theksuar se ata janë “qytetarë të barabartë” dhe se në Kosovë “s’ka komunitete të padëshiruara”.

    Posaçërisht lirimi i Milan Radoiçiqit, i cili pranoi përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, Kurti tha se “është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje”.

    “Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist e kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe në grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të 4 komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar”, tha Kurti.

    Shefi i Qeverisë tha se dëshmitë që institucionet e sigurisë i paraqitën pas sulmit të 24 shtatorit dëshmuan për përfshirjen në të të katër shtresave të shtetit serb: Presidencës, shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark