×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti për Demaçin: Jam krenar që punova me të

    Insajderi
    26 July 2023 - 09:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se veprimtari dhe intelektuali Adem Demaçi, mbete njeri i jashtëzakonshëm dhe unik i popullit shqiptar.

    Kurti pas homazheve te varri i tij në pesë vjetorin e vdekjes, pohoi se të gjithë janë krenarë që e njohën e që punuan me bacën Adem.

    Madje sipas tij, udhëzimet e tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim.

    “Vendosëm lule të freskëta te varri i veprimtarit Adem Demaçi, jemi këtu në përkujtim të njeriut të jashtëzakonshëm dhe unik të populli shqiptar”.

    Mes tjerash Kurti ka thënë se ndihet krenar për periudhën që kishte punuar me të.

    “Sigurisht që kemi pikëllim dhe mallëngjim që nuk e kemi më bacën Adem, dhe jemi krenarë që e patëm dhe e njohëm e që punuam dhe mësuam prej tij. Udhëzimet e tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim”.

    Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

    Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.

    Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995.

    Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

    Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark