×
Insajderi / Insajderi

Kurti: Propozimi franko-gjerman të vendoset në tryezë diskutimi një orë e më parë

Insajderi
23 November 2022 - 13:30
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së qeverisë kërkoi që plani i Francës dhe Gjermanisë, i përkrahur nga BE-ja, të vendoset në tryezë “një orë e më parë”.

Ndërkohë që në Bruksel për të diskutuar për zgjidhjen e problemit të targave ndodhet zëvendësi i tij, Besnik Bislimi pasi që Kurti e shtyu edhe për 48 orë vendimin për gjoba, shkruan Insajderi.

“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj. Prandaj, ne jemi të gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vendoset në tryezë një orë e më parë”, tha Kurti në konferencën për media.

Ai tha se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel, të hënën, është nisja e diskutimit për marrëveshjen finale mbi planin franko-gjerman, dhe jo diskutimi për targat.

Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ishte pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “u braktis dhe u kalua vetëm te çështjet aktuale”.

Kurti tha se Kosova ishte gati që ta pezullonte fazën e dytë të vendimit për targa, e cila parasheh shqiptimin e gjobave për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa ilegale serbe, në mënyrë që të krijohet hapësirë për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, “e paraparë nga BE-ja që të arrihej deri në mars të viti 2023”.

“Afatin mars 2023 nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli. Unë kam kërkuar të jetë shkurti 2023… Por, në fund ata hoqën dorë”, tha ai, duke përmendur shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Çështja e targave sipas Kurtit, është diskutuar për gjatë gjashtë muajve të fundit.

Gjatë kësaj periudhe tha ai kanë qenë tetë opsione për targat, mirëpo nuk dha detaje me arsyetimin se “konfidencialiteti në bisedime është zotimi ndaj ndërmjetësit [BE-së]”.

“Nga këto tetë opsione, për ne tri modele kanë qenë të pranueshme, e pesë të papranueshme. Ndërsa për Serbinë asnjë [nga tetë opsionet] nuk ishte e pranueshme”, u shpreh Kurti.

Pak orë para se të përfundoi afati prej 48 orësh, e që pastaj nis faza e shqiptimit të gjobave prej 150 eurove për shoferët që nuk i kanë ndërruar targat, Kurti u pyet se çka saktësisht pritet të ndodhë –  shkurt ai ka thënë se “tash duhet të jemi të përqendruar që dakordimi të arrihet para se të bëhen 48 orë”. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark