×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen: Jeni vlerë e identitet i shtetit tonë

    Insajderi
    22 April 2024 - 12:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të komuniteteve joshumicë që të regjistrohen.

    Ai përmes një videos në “Facebook”, ka deklaruar se komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i Kosovës dhe se “shoqëria jonë është e pasur” sepse komunitetet joshumicë janë pjesë e saj.

    Kurti ka shtuar se regjistrimi nuk është vetëm një shënim statistikor, por deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave dhe vendit të secilit qytetar.

    Adresimi im i plotë i Kurtit:

    Të dashur bashkëqytetarë të komunitetit serb, boshnjak, turk, ashkali, egjiptian, rom, e goran,

    Tash e dy javë ka filluar një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë: Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

    Ai bëhet çdo 10 vjet dhe është përcaktues për dekadën para neve.

    Pjesëmarrja e secilit nuk është thjesht një shënim statistikor; është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë.

    Regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë.

    Në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore.

    Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë.

    Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona.

    Regjistruesit do të vijnë derë më derë. Mirëprisni ata si mikpritës të mirë që jeni.

    Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni!

    Ju falemnderit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark