×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti vlerëson se EULEX-i viteve të fundit “është bërë më i panevojshëm se kurrë më parë”

    Insajderi
    08 June 2023 - 12:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mënyra më e përshtatshme që një Qeveri t’ia shprehë falënderimin një organizate të huaj, është t’ia dëshmojë asaj se më nuk është e nevojshme.

    Këto fjalë Kurti i ka thënë në pritjen lamtumirëse që është organizuar për shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, të mërkurën mbrëma.

    Wigemarkut i ka prëfunduar mandati. Kurti e ka falënderuar atë për kontributin, ndërsa ka thënë se shpreson që Wigemark ta vizitojë Kosovën sa më shpejtë e shpesh.

    “Mënyra më e përshtatshme që një Qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse, është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme. Dhe gjithashtu, komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Wigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”, tha Kurti.

    Kurti ka thënë se qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë, por është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre. Por, Kurti ka veçuar rëndësinë e EULEX-it në javët e fundit në Mitrovicën e Veriut.

    “Sipas kryeministrit Kurti, sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit. Megjithatë, kryeministri Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht. Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi. Kryeministri përmbylli fjalën e tij duke ngritur një dolli për ambasadorin Wigemark për gjithçka që ai ka bërë për vendin tonë dhe popullin tonë, duke shpresuar që Ambasadori Lars, të vijë e ta vizitojë Kosovën sa më shpejtë dhe aq shpesh sa e lejojnë angazhimet e tij të ardhshme”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark