×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti: Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë

    Insajderi
    20 December 2023 - 09:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë vizitoi ekspozitën “Bebëzat e mallit”, të fotografit Korab Krasniqi dhe kuratores Vesa Sahatçiu dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë.

    Krahas së qenit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë e hapur në Ministrinë e Drejtësisë, është edhe ftesë për reflektim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    “Në qorrsokakun e përgjakshëm

    Ku e vranë foshnjën e sapolindur

    Dhe babanë e saj

    U desh të kalojnë 20 vjet

    Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet

    Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,

    I afroi tek gjiri i saj.

    Më paska pritur a?
    Se nuk qenka rritur fare tha

    E buzëqeshi

    Mu para se të hapej toka

    E ta përpinte.”

    Këto janë vargje të poetit tonë të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës.

    Këtë po e gjejmë edhe sonte, këtu, në një dimension të veçantë, me kujtimet për fëmijët dhe kujtimet e fëmijëve në luftë.

    E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

    E nderuar kuratore e ekspozitës, znj. Vesa Sahatçiu,

    I nderuar z. Korab Krasniqi,

    Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

    na ka mbledhur kjo ekspozitë me titull poetik “Bebëzat e mallit”, kushtuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë. Na flet për “fëmijëri të rrëmbyera”. Sikurse titulli i libër kujtimit mbi të cilin bazohet ajo.  

    Krahas së qenurit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë është edhe ftesë për reflektim e përfshirje në diskutim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.

    Mirënjohje e falënderim për bashkërendimin e përpjekjeve të institucioneve dhe partnerëve tanë që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti.

    Ngjarje të këtilla, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.

    Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre.

    Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri. Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë!

    Falemnderit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark