×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti vuajti mbi 10 muaj burg gjatë “shkëlqimit” të demokracisë në Serbinë e Zoran Gjingjiqit

    Insajderi
    12 March 2023 - 22:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një nga të burgosurit e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit, ishte edhe kryeministri aktual, Albin Kurti. Nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetin të Jugosllavisë”, ai ishte dënuar me 15 vjet burg. Kurti u arrestua më 27 prill 1999 dhe u lirua më 7 dhjetor 2001, pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politikë.

    Më shumë se 10 muaj burg, Kurti i kaloi nën pushtetin e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq. Ai erdhi në krye të qeverisë serbe më 25 janar të vitit 2001. Gjingjiq ishte kryeministri i parë i Serbisë pas rënies së regjimit të Millosheviqit në vitin 2000.

    Ndonëse vuajti një pjesë të dënimit nën udhëheqjen e Gjingjiqit, këtë të fundit Kurti po e quan demokrat.

    Madje sipas tij, vetëm në dy vitet kur Gjingjiq kishte pushtetin, Serbia kishte demokraci, shkruan Insajderi.

    Në 20 vjetorin e vrasjes së ish-kryeministrit serb, Kurti e ka përkujtuar duke e cilësuar si demokrat të asaj kohe.

    Arrestimi dhe lirimi i Albin Kurtit nga burgjet serbe

    Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe u lirua më 7 dhjetor 2001.

    Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.

    Procesi gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka filluar më 9 mars 2000, ndërsa më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë” sipas nenit 116.

    Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.

    Prej nëntorit të vitit 2000 deri më 3 dhjetor të vitit 2001 ka qenë në burgun e Quprisë, ndërsa prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit.

    Gjatë gjykimit Kurti kishte refuzuar të njihte legjitimitetin e gjykatës serbe, duke thënë se nuk kishte asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësisë.

    “Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Millosheqviqit që ka mbajtur Kosovën nën okupim. Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më jepej rasti do të veproja sërish njësoj”, kishte deklaruar Kurti.

    Përkujtimi i Zoran Gjingjiq në 20 vjetorin e vrasjes nga kryeministri Albin Kurti

    Këtë diel, kryeministri Albin Kurti është përkujdesur që ta përkujtojë ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiq.

    Për tu treguar më i afërt e më i ndjeshëm, Kurti përmendi edhe filmin e preferuar të ish-kryeministrit serb. “Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas, filmi më i dashur i tij ishte “Andrei Rublev” i Andrei Tarkovsky-t”, shkruan i pari i qeverisë.

    Në postimin e tij, Kurti shfaqi edhe një brengë. Atë të reagimit të opinionit serb në 20 vjetorin e vrasjës së Gjingjiqit.

    “Për Gjingjiqin sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lotë të rrejshëm”, shkroi Kurti mes rreshtash, teksa nënkuptoi se më real ishte pikëllimi i tij.

    Po ashtu, Kurti foli edhe për vrasësit e Gjingjiqit teksa theksoi se urdhërdhënësit nuk u gjetën kurrë.

    Postimi i plotë:

    20 vjet nga vrasja e Zoran Gjingjiq

    Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandar Obrenoviq, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë. Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb).

    Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe ndërkaq për nga formimi intelektual e orientimi filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar, ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar. Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas, filmi më i dashur i tij ishte “Andrei Rublev” i Andrei Tarkovsky-t.

    Atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë (ndoshta pse diheshin ngahera). Këta të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviq – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz. Krimi i organizuar, krimet e kryera gjatë luftës dhe diktatura shoviniste ecin bashkë.

    Në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci. Me qeverisjen e Zoran Gjingjiq, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pat mbërrirë në 3/4 e popullsisë së Serbisë, kurse tani ajo ka rënë te 1/3. Për Gjingjiqin sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lotë të rrejshëm. Koha që rrodhi pas tij, shtoi peshë në anën e kundërt të demokracisë. Koha që po vjen, nuk duket se do ndryshojë gjë së shpejti atje. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark