×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Kushëriri i Lladrovcit i punësuar në kompaninë e palicensuar që komuna e Drenasit i dha tender afro 400 mijë euro  

    Insajderi
    13 December 2023 - 16:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Haxhi Lladrovci, kushëriri i kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci figuron i punësuar në “KosovaMed”, kompani kjo që pa licencë ia kishte dal të marrë qindra mijëra euro po në këtë Komunë. Gazeta Insajderi javë më parë ka raportuar se Inspektorati Shëndetësor ia ka pezulluar punën kompanisë në fjalë pasi nuk është licencuar asnjëherë.

    Gazeta Insajderi

    “KosovaMed Health Care” Sh.P.K“, kishte fituar tenderin “Kujdesi socio-shëndetësor shtëpiak dhe ambulator për qytetaret e komunës së Drenasit”, në vlerë prej 372,600.00 euro.

    Por, më pas Inspektorati Shëndetësor ia pezulloi punën kompanisë. Kjo u konfirmua vetë nga Ministria e Shëndetësisë të cilët bënë të ditur se “Kosovamed Health Care sh.p.k” as që figuron në databazën e Divizionit për Licencim dhe Akreditim të IPShve.

    Në këtë kompani që kishte fituar qindra mijëra euro në Drenas del të jetë i punësuar Haxhi Lladrovci, kushëriri i kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci.

    Këtë e dëshmon edhe një dokument që ka siguruar Insajderi.

    Lidhur me afërsinë me të parin e Drenasit dhe ndikimin e mundshëm, Insajderi ka kontaktuar Haxhi Lladrovcin i cili e mohoi këtë duke thënë se vetëm mbiemrat i kanë të njëjtë.

    Lidhur me këtë çështje, dëshiroj të njoftoj se çështja e punësimit tim në KosovaMed Healthcare SHPK nuk ka asnjë lidhje me çështje politike. Është rastësi që mbiemri im përputhet me atë të personit të përmendur, duke pasur parasysh se nuk kam lidhje familjare me asnjë politikan“, tha ai për Insajderin.

    Por, nga Komuna e Drenasit kanë konfirmuar në një përgjigje për Insajderin se Haxhi Lladrovci dhe Ramiz Lladrovci janë kushëri mes vete.

    Akuzat e opozitës për punësime në kompani private të “familjarëve” të tij, është e paqëndrueshme. Haxhi Lladrovci mban mbiemrin e njëjtë me kryetarin Lladrovci, në vijën e afërsisë, janë vetëm kushërinj, më saktësisht, gjyshërit i kanë vëllezër prej babait, me nëna të ndryshme (gjyshi i Ramizit ishte nip i Gradicës ndërsa gjyshi i Haxhiut, ishte nip i Zhilivodës). As nuk ka pasur e as që mund të ketë ndikim kryetari Lladrovci në kompaninë private apo punësimet që bëhen aty“, thuhet në përgjigje.

    Të njëjtit mohuan çdo ndikim të mundshëm në këtë punësim.

    Komuna e Drenasit dhe kompania KosovaMed kanë nënshkruar kontratë përmes procedurave të prokurimit për shërbime të licencuara dhe pagesa e këtyre shërbimeve të licencuara (pra secili shërbim që kryhet ka përgatitjen adekuate për vendin e punës) bëhet në bazë të raporteve të nënshkruara nga mbikëqyrësi i të punësuarit“.

    Lidhja e Haxhi Lladrovcit dhe Ramiz Lladrovcit

    Ndonëse Haxhi Lladrovci e quajti “rastësi” mbiemrin e njëjtë dhe kryetarin e Drenasit, postimet e tij në “Facebook” shfaqin një afërsi të madhe me kryetarin Lladrovci.

    Ai ka dhjetëra postime dedikuar Ramiz Lladrovcit.

    Dyshja janë kushëri të afërt mes vete, kjo dëshmohet edhe me faktin se Haxhi Lladrovci kishte postuar njoftimin mortor në rastin e vdekjes se babait të kryetarit Ramiz Lladrovci, madje kishte vendosur edhe një fotografi të zezë në profil.

    Haxhi Lladrovci paguhet mbi pesë mijë euro?

    Në Kuvendin Komunal të Drenasit ishte diskutuar edhe paga që merr nga “Kosova Med” Haxhi Lladrovci, pasi është raportuar se i njëjti paguhet mbi 5 mijë euro.

    Asamblistja e VV-së, Egzona Terdevci kishte pyetur në seancën e kuvendit Komunal se a paguhen me këtë shumë punëtorët e kësaj kompanie.

    Gazeta Insajderi lidhur me këtë ka dërguar pyetje në “KosovaMed Healthcare SHPK“, por ata nuk kanë dhënë detaje duke u arsyetuar në privatësinë e punëtorëve.

    Fillimisht, te njoftoj se KosovaMed është punedhenes i mbi 200 punëtoreve, te cilët i kryejnë punët dhe detyrat e tyre ne përputhje me orarin dhe përshkrimin e detyrave të tyre, sipas Kontratave te Punës dhe ligjit të punës. Tutje, raportet punëdhënës-punëmarrës të bizneseve private lidhur me punëmarrësit e tyre te cilët jane individ privat dhe nuk kanë profil politik, nuk kanë pse të hyjnë në raportimet mediale dhe lajmet e gazetave, pasiqe cenohen te drejtat e punëmarrësve privat dhe shkelen parimet dhe detyrimet e konfidencialitetit lidhur më këto të drejta“, thuhet në përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark