×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Ku*va, bërllok, kali”- Këto janë deklaratat skandaloze të hoxhallarëve kundrejt grave, LGBT dhe të vdekurve

    Insajderi
    16 March 2023 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Janë të shpeshta rastet kur deklaratat e klerikëve fetarë kanë bërë bujë. Në shumicën prej tyre ata janë lëshuar në kritika e ofendime ndaj grupeve të margjinalizuara. Të njëjtit kanë zgjedhur që bindjet e tyre për njerëzit që jetojnë ndryshe prej asaj që mendojnë se është e drejtë dhe e “moralshme” t’i japin nga foltorja e xhamisë e rrjetet e tyre sociale, shkruan Insajderi.

    Hoxha nga Prizreni, Irfan Salihu gjatë ligjëratës nga foltorja e xhamisë, kishte eskaluar aq shumë saqë nuk kishte ngurruar të përdorëte fjalët “ku*va, rros*ie”, drejtuar grave që kanë pasur marrëdhënie seksuale para martesës.

    “Pasha Allahun o vëllezërit të mi, lene këtë bërllog të femnave. Këto rrospia dhe k*rva që bëjnë akt intim pa kunorë, këto leni… se dikush e ka pas kodin para teje, e ke marrë të dekodume… line bërllogun jashtë”, kishte thënë ai.

    Pos tij edhe hoxha nga Prishtina, Husamedin Abazi, e ka konsideruar vetën aq kompetent për të komentuar jetën e një gruaje, sa i ka quajtur të shpifura gratë që postojnë foto me familjarët e tyre e jo me të burrin, vjehrritë dhe kunatat.

    “Sa të shpifura janë bashkëshortet të cilat me dhjetëra herë postojnë foto me prindërit, motrat, dhe vëllezërit e tyre, e nuk e postojnë qoftë një foto me bashkëshortin, prindërit dhe motrat e tij! Phiii”, kishte shkruar hoxha.

    Husamedin Abazi

    Hoxha dhe themeluesi i fondit të bamirësisë, Elvis Naçi, gjatë një hutbe-je kishte folur rreth tradhtisë bashkëshortore, ku për të duket se për një situatë të tillë fajtore është bashkëshortja.

    “Bashkëshorte e vërtetë është ajo që kur e shikon bashkëshortin gëzohet, e pret me kënaqësi. Nëqoftëse ti e pret burrin ashtu si je ngritur nga gjumi, ai do të hapë sytë tek gratë e huaja. Nëse do bashkëshorti të afrohet tek gruaja në darkë dhe ajo nuk pranon, engjëjt e mallkojnë deri në mëngjes nëse bashkëshorti është hidhëruar”.

    “Duhet që femra të jetë e rregullt me bashkëshortin në raportin fiziologjik që të mos vuajë shoqëria nga imoraliteti. Prandaj, dhe engjëjt që nuk e duan imoralitetin në shoqëri, mallkojnë atë femër që s’i jep hakun bashkëshortit gjatë natës […] Femra duhet të ketë kujdes. Duhet të bëjë gjithë teorinë e saktë që të mos hapë sytë bashkëshorti jashtë familjes. Duhet t’i zbukurohet, duhet të jetë afër tij. Një natë s’e ke bashkëshorten, një javë s’e ke bashkëshorten, ka mbaruar familja. Po shkoi një femër 150 kile, ah mbaroi familja. Ka femra që e mbajnë veten jashtë familjes, mos u mërzit, s’e ka të vështirë të të tradhëtojë […]”

    “Kjo është një nga dramat e familjes islame. Shumica e atyre që s’janë musliman kanë të dashur jashtë familjes. A e di pse? Sepse femra brenda familjes ia ka varur vetes. Edhe ai hap sytë jashtë […]”.

    Pra, hoxha, të pranishmëve në xhami i ka ligjëruar se si duhet të jenë të pozicionuar gruaja dhe burri në familje dhe “pamjen ideale” të një gruaje, të cilën ai e quan femër (femër është termë që përdoret për t’iu referuar karakteristikave seksuale, pra në këtë rast do të duhej të zëvendësohet me fjalën grua), shkruan Insajderi.

    Edhe hoxha tjetër nga Shkupi, Bedri Lika ka deklaruar se “gruaja është e dobët në kokë”.

    “Gruaja është e dobët. Gruaja është e dobët në krye. Kështu ka thënë pejgamberi. Janë me të meta në të menduar”, citohet të ketë thënë hoxha.

    Madje, Lika është komentuar edhe për një deklaratë tjetër, ku kishte thënë “Gruaja është sikur kali”.

    Bedri Lika

    E ndërkaq, hoxha dhe profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, Shefqet Krasniqi, në një intervistë teksa shpjegonte rolet gjinore, kishte thënë se “përgjithësisht grave u takon kuzhina”.

    Shefqet Krasniqi

    “Ne mburremi me gratë tona, me Shotë Galicën, nënën Zahide. Pse a s’ka burra kuzhinier që e bëjnë bukën për mrekulli më mirë se gratë? Megjithatë, ajo që është e përgjithshme në kuzhinë, se kuzhina është e grave”, kishte thënë imami Krasniqi.

    Shefqet Krasniqi

    Ndërsa imami në një xhami të Obiliqit, Behar Mjekiqi, i cili në fund të vitit të kaluar është akuzuar se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, në internet ka një video ku shihet diskrepanc e madhe në mes të asaj që ka deklaruar dhe asaj që pretendohet se ka vepruar.

    Sipas tij, gruaja është amanet dhe nuk duhet të rrahet e lëre më të vritet.

    “Gruan e ke amanet e ka lind dikush e ka eduku, ty ta ka dhuru e ti e ke marrë atë në amanet. E ti një ditë e vranë. Pse? Që s’ta ka la një tesh? Është e ndalume njeriu me ushtru dhunë. Vet profeti i ka ndihmu gruas vet. E ti gruan tënde po e merr si person i gradës dytë. Nuk është marre me i ndihmu grusë tande. Unë nuk besoj që ndodh dhunë për një kafe a për një tesh”.

    Madje, Mjekiqi kishte deklaruar se njeriu dhunën nuk mund ta justifikojë duke thënë se ka qenë nervoz, shkruan Insajderi.

    “Duhet mbajtur veten nën kontroll. Islami thotë nëse je shumë nervoz e je në kambë ulu, e nëse je ulë e nuk të kalon lëviz, nëse nuk kalon merr abdes, falu namaz. Na nuk i kemi këto rregulla, prej nervozës kalojmë në diçka tjetër pastaj justifikohemi nuk kam qenë vetvetja, por nuk është e vërtetë. Po të mos ishte vetvetja do të përfundoje në izolim e psikiatri, e jo me nejt në burg tu lu shah me thanë valla s’kam qenë vetvetja”, deklaronte dikur Mjekiqi.

    Behar Mjekiqi

    Ndërkaq hoxha nga Peja dhe ish-këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Drilon Gashi para se të shkonte për intervistë në emisionin e Adelina Ismailit, kishte pasur një kërkesë “të çuditshme”.

    “Zonja Adelinë, unë kam vetëm një kërkesë të vockël për juve! Personalisht nuk e kam problem veshjen tuaj dhe nuk jam paragjykues, por duke marrë parasysh keqkuptimet që mund të lindin te një masë e popullit tonë, kisha pas dëshirë, nëse ka mundësi, të jemi brenda protokollit të veshjes dhe të kemi pak më shumë kujdes. Ju falenderoj edhe një herë për ftesën. Driloni”, kishte qenë mesazhi i Gashit drejtuar Ismailit.

    Drilon Gashi

    Ndryshe nga Gashi që nuk ka deklaruar se është kundër individëve që i takojnë komunitetit LGBTQ+, hoxha Fatmir Latifaj, ka thënë se LGBT rrezikon të zhdukë kombin shqiptar.

    “Veç janë tu u lodh se shqiptari nuk bahet pederr, shqiptari nuk bahet homoseksual, bija shqiptare nuk bëhet lezbike me emër të Zotit. Ja ja ja nuk bohet, nuk bohet”, ka thënë hoxha teksa i nervozuar e ka goditur tavolinën, shkruan Insajderi.

    “Del se shqiptarët si pasojë e mungesës së martesave dhe seksit mes gjinive të kundërta rrezikon të zhduken në gjysmë milioni pas 100 viteve”, ka thënë Latifaj, duke iu referuar disa të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat në fakt nuk ekzistojnë pasi orientimi seksual i një individ nuk ka të bëjë me kombësinë e tij.

    Fatmir Latifaj

    Ndërkaq hoxha nga Shkupi, Muhamer Ismaili, në lidhje me luftën Ukrainë-Rusi, që ka hyrë në vitin e saj të dytë, e që deri më tash janë shkaktuar dëme shumë të mëdha, ka deklaruar se Ukraina vet e ka kërkuar zullumin, shkruan Insajderi.

    “Sot dje pardje, muhabetin kryesor jemi duke e bo për luftën Ukrainë-Rusi, tema kryesore a unë ju thomë se rastësisht ju ka plasur sherri Ukrainës në oborr? Nuk është rastësisht, se para pak kohe kur Izraeli e luftojke Palestinën, kryetari i Ukrainës, qaj dreqi që del sot dhe rrin për gjynah aty, ai dilke dhe qajke për mediume për jahuditë”, ka thënë hoxha Muharem.

    “Ky i qajke jahudit, zullimqaret nuk duhet me na u dhimt, se atij zullumqarit ia qon alluhu një zullumqar ma të madh, ne kemi thonë në hutbe, o Allah zullumqarit të vogel qoja një zullumqar të madh, e qitash i ka ardh një zullumqar me emrin Rusi, e tash din qysh me e trajtu zullumqarin e vogël se ka lotë krokodili”.

    “Asgjë nuk kanë me mujt me i bo Rusisë, se ata janë zullumqarë, se zullumqaret le te kapen ne s’kemi pse mërzitemi për ta. Europa nuk e ndali zullumin në Sirinë, e shkatrun atë vend të bekum, e tash zullumi i ka ardh në derë”, ka deklaruar ai.

    Imami i Xhamisë në Fortesë, Bedri Bytyqi, u ka bëri thirrje hoxhallarëve të mos merrnin pjesë në varrimin e babait të kryeministrit në atë kohë, Ramush Haradinaj.

    Ai kishte cituar një këngë popullore kur ka shpërndarë lajmin për vdekjen e Hilmiut, me përmbajtje që askush prej hoxhallarëve nuk guxon me varros një person të tillë.

    “Ia pruni dekën “para” kohe i biri me veprimet e tij!”  “Hoxhallarët s’kanë çka lypin te Gjoka!” “Në këngën e Selman Kadrisë, për dajën që e vrau nipin këndohet:  Ngoni hoxhë e haxhi, Kush kit njeri, N’dhe s’guxon me shti, Ju boj be ja boj ma zi, Ka me shti popi i zi, Nven xhematit kryqali…”, kishte shkruar Bytyqi, në profilin e tij në Facebook.

    Bedri Bytyqi

    Ndërkaq hoxha Ahmet Kalja, ka bërë bujë me postimin e tij ku ka shprehur mbështetje influencerit të arrestuar nën pretendimet për trafikim me qenie njerëzore dhe dhunim, Andrew Tate./Insajderi

    Ahmet Kalaja

    Autore: Dijellza Preniqi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark