Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Kuvendi i Kosovës më 2 dhjetor do mbajë seancën e re plenare, ku do të diskutohet për katër vjet të qeverisë Kurti.
Ndërkaq më 5 dhjetor do të mbajë dy seanca të tjera.
Tutje Kusari-Lila tha se kërkesa e opozitës për qeverisjen Kurti ka qenë e kamotshme, por me gjithë gatishmërinë e kryeministrit dhe Vetëvendosjes ajo ishte shtyrë disa herë me kërkesë të vetë opozitës.
“Synojmë që në masë të madhe të përmbyllim projektligje që janë në lexim të dytë në mënyrë që përmbyllja e mandatit të tetë të kurorëzohet me të gjitha projektligjet që kanë qenë bazë e programit zgjedhor e besimit të qytetarëve për të shtyrë përpara reformën në drejtësi, në ekonomi e në administratë publikë”, tha ajo.
Kusari-Lila pranoi se gjatë këtij katër vjet kanë pasur kriza të jashtme e të brendshme.
“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur kriza të ndryshme të brendshme e të jashtme, që besojmë se me sukses ia kemi dalë të mbajmë për herë të parë legjislaturën e plotë që nga shpallja e Kosovës, shtet i pavarur”, deklaroi ajo.
E pyetur se kush ka luajtur bixhoz me shtetin, duke iu referuar fjalimit të presidentes javën e shkuar në Kuvend, Kusari-Lila tha se nuk është ajo që duhet t’i japë përgjigje fjalimit të presidentes.
“Nuk jam ajo që duhet të japë përgjigje për fjalimin e presidentes. Mendoj që secilit në rolin e vetë kushtetues i takon të bëjnë vlerësimin e vetë. Është e rëndësishme që vendi, shteti, dhe krerët institucional janë në rrugën e drejtë. Agjenda e përbashkët shtetërore nuk është cenuar asnjëherë dhe ne si pozitë do të mundohemi me përkushtim e nder ta përmbyllim këtë legjislaturë që ka pasur jo pak sfida”, tha ajo.