Alsi Sinanaj është vlonjati i njohur si “ujku” i kuzhinës greke. Prej 15 vitesh, ai është marrë me gatim, duke pasur shumë sukses. Madje është ftuar edhe në emisione të ndryshme greke. Në një lidhje me Skype me “ABC e Mëngjesit”, Alsi tregoi si i ka hyrë gatimit, duke theksuar se fillimisht nuk e ka çuar asnjëherë nëpërmend.
“Në 2017 hapa restorantin tim të parë në ishull me emrin “Ujqërit e kuzhinës”. Që në moshën më të vogël kisha një dashuri ndaj ujkut, si kafsha më e lashtë në tokë dhe e konsideroja veten dhe kuzhinierët që punojnë si ujqërit.
E kam nisur që në moshën 15 vjeç dhe nuk ishte diçka që e kam pasur ëndërr. Ishte një moment në jetë që po kërkoja se çfarë do bëja në jetë dhe po kërkoja për punë. Hapa një gazetë dhe pash që po kërkonin një kuzhinier pa eksperiencë. Vajta dhe e provova dhe ajo që më dha ishte një dashuri me shikim të parë. Edhe filloi një dashuri shumë e madhe dhe nuk u ndava më kurrë nga kuzhina”.
Sakaq, Alsi njihet edhe si kuzhinieri personal i futbollistit CR7, pasi dikur ka shërbyer për këtë të fundit. Vlonjati zbuloi edhe disa sekrete për Ronaldon dhe mënyrën e tij të të ushqyerit.
“Është njëri shumë i thjeshtë, pëlqen gjërat bio. Kuzhina mesdhetare i pëlqen shumë fare, ka regjimin ushqimor të tij, ha me vakte, stërvitet, pi shumë lëngje dhe ha shumë fruta. I pëlqen të jetë sa më i pastër, që do të thotë pa shumë përbërës, mjafton 2-3”. /Abcnews.al