Besart Berisha i ka dhënë fund karrierës së mrekullueshme futbollistike.
Sulmuesi prishtinas i ka varur këpucët në gozhdë pas 18 viteve aktive në fushat e blerta.
Ish-reprezentuesi i Kosovës dhe Shqipërisë, ka pasur një karrierë fantastike, duke luajtur për shumë klube të njohura si në Evropë ashtu edhe në Azi.
Berisha e nisi karrierën tek të rinjtë e Lichtenberg, para se të luantue edhe me TeBe Berlin U19.
Karriera e Berishës mori kthesë të madhe kur u transferua te Hamburgu në Bundesliga, e pas këtij klubi ai vazhdoi në Danimarkë te Aalborg e Horsens, në Angli te Burnley, në Norvegji te Rosenborg para se të rikthehet në Gjermani për ta veshur fanellën e Armenia Bielefeld.
Në vitin 2011, Berisha mori rrugë për në Australi ku nënshkroi për Brisbane Roar, pastaj luajti edhe me Melbourne Victyroy e Western United.
Berisha bëri karrierë edhe në Japoni tek skuadra Sanfrecce Hiroshima, derisa së fundmi veshi edhe fanellën e Prishtinës në Kosovë.
36-vjeçari ka zhvilluar në total 400 ndeshje me të gjitha klubet e tij, ku ka shënuar 193 gola e ka asistuar në 28 të tjerë.
Ka qenë vet sulmuesi prishtinas që nëpërmjet një postimi në Instagram ka dhënë lajmin për tërheqjen nga futbolli.
“Të dashur tifozë, tani ka ardhur koha: Do t’i jap fund karrierës sime futbollistike! Ka qenë një kohë e pabesueshme që nuk do ta harroj kurrë, mbaj mend që kur fillova këtë lojë gjithmonë kisha një buzëqeshje në fytyrën time dhe sot po buzëqesh përsëri duke menduar për të gjitha kujtimet e bukura që kam pasur me lojën”.
“Në momentin që nisa këtë lojë për të luajtur, gjithmonë ëndërroja të bëhem një futbollist profesionist, do të doja të falënderoja Zotin që e bëri ëndrrën time realitet”.
“Dua të falënderoj familjen time për mbështetjen dhe të jetë gjithmonë pranë meje. Dua t’i falënderojë edhe të gjitha ekipet e mia, si Hamburgun, Aalborgun, Horsens, Burnleyn, Rosenborgin, Arminia Bielefeldin, Brisbane Roar, Melbourne Victory, Sanfrecce, Western United, Prishtinën si dhe FSHF e FFK që kanë bërë të mundur këtë kohë të jashtëzakonshme për mua”.
“Mezi pres detyrat emocionuese që më presin së shpejti. Unë do t’i qëndroj besnik futbollit. 1000 faleminderit për kohën së bashku, do t’ju mbaj gjithmonë në zemrën time lojë e bukur”, ka shkruar Berisha.