Joan Laporta konfirmoi se kishte darkuar me Jorge Mendes, por nuk donte të thoshte se kishin folur për Cristiano Ronaldon. Ai dha këtë përgjigje enigmatike:
“Nuk do të flas për lojtarët që diskutuam në darkë. Është gjithmonë interesante të flasim me Mendes për merkaton, disa prej lojtarëve të tij janë në treg”.
Presidenti i Barçës siguroi se Jorge Mendes është një agjent i madh futbolli dhe se takimi shërbeu për të zbuluar se si po shkon tregu i transferimeve për emrat që mund të jenë interesantë.
I pyetur sërish për yllin portugez, nëse mund ta përjashtonte ardhjen e tij te barcelona, Laporta insistoi sërish se nuk do të fliste për këtë.
Pas lajmeve të fundit, në të cilat theksohet se Cristiano Ronaldo ka kërkuar të largohet nga Manchester United për të vazhduar të luajë në Champions League, një nga klubet që filloi të lidhej me të ishte Barcelona. Darka mes Laportës dhe Mendes nuk bëri gjë tjetër veçse shkaktoi spekulime në këtë drejtim.