Kryeshefi ekzekutiv, Fisnik Osmani, duket se e ka ngatërruar ndërmarrjen publike me biznes privat. Me të ardhur në pozitë, në dy konkurset e hapura, ka punësuar ish-funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përveç ish-funksionarëve, paratë e “Termokos”-it po i marrin edhe familjarë të tyre. Gazeta Insajderi ju sjell detaje nga punësimet partiake në këtë ndërmarrje:
Insajderi ka raportuar përpara disa dite për punësimin e Fidan Rekaliut, ish-deputetit të LDK-së është punësuar në Termokos. Siç figuron në vendimin e marrë me 23 maj, Rekaliu është rehatuar në pozitën “Inspektues i mbrojtjes së sigurisë në punë”.
Fidan Rekaliu njihet qysh moti në skenën politike ai kishte pozita të rëndësishme në LDK. Në vitin 2017 dhe vitin 2019 ai ishte zgjedhur deputet.
Ai po ashtu ishte i afërt edhe me Agim Veliun ish kryetar i Podujevës.
Megjithatë, punësimet partiake s’përfundojnë me kaq. Në të njëjtin konkurs të majit, në pozitën ‘Inxhinier përgjegjës i Kimisë’ është punësuar Afrim Namani, njeriu i dytë i Xhafer Tahirit, anëtarit të kryesisë së LDK-së.
Namani përgjatë mandatit të Tahirit ushtroi funksionin e nënkryetarit të komunës së Vushtrrisë, si dhe drejtorit të Drejtorisë së Arsimit. Emërimi i tij erdhi pas prishjes së koalicionit LDK-VV në këtë komunë.
Pozitë në ‘Termokos’ iu është rezervuar edhe asamblistes në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, Lindita Rexhepi.
Ajo është përzgjedhur asistente prokurimi, duke marrë pikët maksimale në pikët me shkrim dhe nga intervista.
Rexhepi ishte në mesin e kandidateve më të votuara gra në zgjedhjet e fundit. Ajo grumbullonte 515 vota.
Së fundmi, pas “puçit” VV-Nisma në Komunën e Prishtinës, ajo është shkarkuar nga pozita e aksionares në Ndërmarrjen Publike “Prishtina Parking”.
Gazeta Insajderi ka marrë informacione se në Termokos është pranuar në punë edhe vëllai i Hykmete Bajramit, Labinot Bajrami, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka arritur ta konfirmojë një gjë të tillë.
Në pozitën e inxhinierit përgjegjës për rajonin e qendrës në Termokos është “rehatuar” edhe Liridon Beqaj, bashkëshorti i Rita Hajzeraj-Beqaj, ish-zëvendësministre dhe ish-deputete nga radhët e LDK-së.
LDK-ja s’ka lënë pa e kapur edhe pozitën e fotografit në ndërmarrje publike. Atë ia ka rezervuar kandidatit për asamble komunale në Komunën e Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, Naser Ramadanit. Ai ka marrë maksimumin e pikëve totale – 165 sosh.
Insajderi ka realizuar edhe një storie lidhur me këtë rast, të cilin mund ta ndiqni pas pak në kanalet zyrtare të mediumit.