Albion Rrahmani, futbollisti që i solli suksesin historik Ballkanit. Por, si i mbeti nofka dhe si arriti nga futbollist i Ligës së parë të kalojë tek ekipi suharekas i Ballkanit dhe të ketë një sukses të jashtëzakonshëm?
Ishte komentatori Bedri Krasniqi ai që ia vuri nofkën “Lewandowski i Malishevës” për t’i paraprirë pastaj sukesesit të Albion Rrahmanit, i cili karrierën si futbollist e nisi tek skuadra e Llapit.
Rrahmani pati sukses të jashtëzakonshëm me skuadrën e Malishevës, pasi i njëjti ndihmoi ata të bëjnë histori – të inkuadrohen në Superligën e Kosovës.
Në maj të vitit 2021, skuadra e drejtuar nga Arsim Thaqi e mbylli sezonin me 60 pikë dhe shënoi fitore 0-3 në udhëtim te Vëllaznimi, duke arritur të shpallet kampione në Grupin A dhe duke siguruar kështu inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar për sezonin e ri 2021/2022.
Por, pasi ia dhuroi suksesin klubit, Rrahmani ndau rrugët me klubin e Malishevës, për ta vijuar karrierën tek klubi i Ballkanit.
Përveç formës së mirë që shfaqi gjatë edicionit të Superligës, sulmuesi llapjanas i Ballkanit ka vazhduar me formën e mirë në Ligën e Konferencës.
Ndeshjet e Ligës së Konferencës bënë që Rrahmani të shpërthej dhe të tregoj talentin e madh që mban mbi vete, edhe për faktin se iu dha një fanellë titullari në të dy takimet, duke shënuar pesë gola.
Në ndeshjen e parë ndaj La Fiorita të fituar me rezultat 0-4, 21-vjeçari gjeti rrjetën në minutën e 23-të dhe në minutën e 50-të.
Ndeshja e dytë në Prishtinë, e fituar me rezultat 6-0 nga Ballkani, bëri që Rrahmani të jetë i pakapshëm për kundërshtarin, pasi shënoj het-trik.
Golat e tij erdhën në minutat 6’, 8’ dhe 69’.
Djali i ish-futbollistit të njohur Driton Rrahmani edhe sonte ishte afër të realizonte gol. Rrahmani nisi aksionin drejt portës së kundërshtarit duke shmangur mbrojtësit e FC Shkupit. Aksioni fenomenal i Rrahmani bëri që goli të shënohet lehtësisht nga bashkëlojtari i tij, Korenica.
Ndryshe, Ballkani me fitoren e sontme ndaj Shkupit ka bërë një arritje historike, pasi është kualifikuar për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Në fund mbi 13 mijë shikues në Fadil Vokrri festuan fitoren e Ballkanit dhe arritjen e tyre historike.
/Gazeta Insajderi