Pas katër vitesh drejtësia mund të vendoset për Robert Lewandowski-n, me sulmuesin polak që mund të marrë “Topin e Artë” që iu “mohua” në 2020-ën për shkak të pandemisë “Covid-19”.
Nga Spanja raportohet se “France Football” mund të bëjë një hap prapa, duke planifikuar prej dy muajsh tashmë që t’i japë polakut trofeun që i përket, shkruan SS.
Në atë sezon, Lewandowski kishte fituar triplet me Bayern Munich, duke marrë në shtëpi trofeun e Bundesliga-s, Kupës së Gjermanisë dhe më kryesorin Champions League-n.
Ndërsa në nivel personal, në atë sezon polaku shënoi 55 gola në 47 ndeshje të luajtura, për atë që ishte viti më i mirë i jetës së tij futbollistike.
Statistika që e bënë atë të ishte lojtari më i mirë në botë në atë kohë, por “Topi i Artë” nuk iu dha kurrë. Tani, pas katër vitesh, drejtësia mund të vendoset dhe për Lewa-n do të ishte qershia mbi tortë e një karriere vërtet të jashtëzakonshme.