Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kritikuar partitë tjera politike që nuk po përmendin temën e dialogut me Serbinë gjatë fushatës zgjedhore, pasi sipas tij kjo do të jetë tema kryesore e qeverisë së ardhshme.
Ani pse tri qeveri, sipas Limajt u rrezuan për shkak të dialogut, ai tha se partitë politike nuk po kanë guximin të flasin për zgjidhjen e çështjes me Serbinë.
“Ata nuk i dëgjojmë për këtë temë që 1 muaj, sepse ata po kamuflojnë në programe ekonomike. Ata nuk kanë guximin të flasin për temën e dialogut. Por ajo do të jetë tema kryesore. Prandaj është shumë me rëndësi se kush do të jetë në parlament”, tha ai.
Limaj gjatë tubimit elektoral në Vushtrri iu bëri thirrje qytetarëve vushtrrias të mos i votojnë ata që i mohojnë të arriturat e vendit dhe ata që mohojnë gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“Larg atyre që mohojnë të arriturat e vendit tonë, larg atyre që mohojnë krimet, gjenocidet dhe dhimbjet tona sepse ata nuk dinë të mbrojnë dhe luftojnë për vendin. Ne më shumë kemi nevojë për rikthimin e të vërtetës tonë, vërtetës mbi të cilën jeton dhe vepron liria e Kosovës”, tha ai.
Në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore, Limaj u shpreh bindur se fryma çlirimtare e Nismës nuk do të largohet asnjëherë nga institucionet e Kosovës.