×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Lista e përzgjedhur e Elbert Krasniqit: Kush dyshohet se përfitoi me lidhje familjare e politike nga fondi 3 milionësh?

    Insajderi
    15 December 2023 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një hulumtim disa mujor i Insajderit zbulon se si shpenzoi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e drejtuar nga Elbert Krasniqi fondin 3 milionësh për ndërtim e renovim shtëpish. Kompanitë që kryejnë këto punë u zgjodhën pa tender, diçka që në projektet e më hareshme dhe të ngjashme qeveritare u bë ndryshe. Por, kush përfitoi nga ky projekt?

    Insajderi sjell listën që zbulon lidhje familjare me zyrtarë e përfitues me lidhje politike me Ministrin Krasniqi dhe deputetë të pakicave.

    Lista: Kush dyshohet se përfitoi me lidhje familja e politike nga fondi 3 milionësh?

    Fondin prej 3 milionë eurosh për ndërtim e renovim shtëpive për komunitetet jo-shumicë, Ministri Elber Krasniqi ia kishte besuar që të ndante komisioni i përbërë nga Gafurr Sllamniku kryesues , Bafti Dogani anëtar dheVjosa Ahmetaj anëtare.

    Por, sipas gjetjeve të hulumtimit të Insajderi me anëtarë të shoqërisë civile nga komunitetet jo-shumicë, kush janë përfituesit që në mënyrë të dyshimtë, ose me lidhje familjare e politike kanë përfituar nga ky fond?

    1-Përfituesi me numër rendor 484/23 Selim Murtezi nga Fushë Kosova është përfitues i ndërtimit të shtpisë nga ana e MAPL-së.

    Selimi është djali i axhës së Idriz Murtezit nga Fushë Kosova, kryetar i IRDK-së dega në  këtë qytet dhe  deri vonë edhe këshilltar i ministrit të MAPL-së  Elbert Krasniqi.

    Hulumtimi ka gjetur se Selimi është fqinj i parë po ashtu me Muharrem Asllanin, edhe ky deri vonë këshilltar i Ministri Krasniqi.

    Sipas faturës së tatimit në pronë, një kopje të së cilës e ka Insajderi, del se Selim Murtezi është pronar i një shtëpie dy katëshe dhe një prone tjetër.

    2-Përfituesja me numër 513/23, Mirsada Murtezi nga Fushë Kosova është shpërblyer nga fondi i rindërtimit, dhe sipas hulumtimit në terren del se është gruaja e vëllait të Idriz Murtezit – Kryetarit të IRDK-së së Ministrit Krasniqi, dega në Fushë Kosova.

    3-Përfituesi  me numër 017/23 Fitim Shala, që u shpërblye për rinderëtim shtëpie është babai i Arjeta Shalës, asistente personale e ministrit të MAPL-së z. Elbert Krasniqit. 

    Arjeta Shala po ashtu ka qenë pjesë e listës zgjedhore të vitit 2021 në partinë e IRDK-së .

    4-Përfituesi me numër 621/23 Arsim Avudllahi (LOT 2) nga Fushë Kosova është familjar i asistentës së Ministrit Krasniqi, Arjeta Shalës,. 

    5- Përfituesi me numër 623/23 Imer Berisha (LOT 2) nga Fushë Kosova është familjar  nga ana e nënës (dajë) së  Arjeta Shalës, asistente përsonale e ministrit të MAPL-së z. Elbert Krasniqit. 

    6-Përfituesi me numër 825/23 Bajram Malijiq nga komuna e Ferizajt, që përfitoi nga fondi i rindërtimit të shtëpive është burri i tezës së Isa Osmanit, Këshilltar i Ministrit Elbert Krasniqi.

    Isa Osmani është anëtar i IRDK-së parti kjo që drejtohet nga ministri i MAPL-së z.Elbert Krasniqit.

    7-Përfituesi me numër 626/23  Bajram Bajrami ( LOT 2)  është djali i shefit të zyrës komunale për komunitetet në Ferizaj, Rexhep Bajramit. Këta jetojnë në bashkësi familjare, kanë bërë të ditur për Insajderin aktivistë nga komunitetet jo-shumicë.

    8-Përfituesi me numër 830/23 ( LOT 2)  Fatmir Aliu  është i punësuar si shofer në zyrën komunale për komunitetet në komunën e Ferizajt Përfituesi në fjalë, sipas aktivistëve në terren siguron të ardhura dhe e ka gjendjen e mirë ekonomike, por që ka lidhje të ngushta shoqërore me Isa Osmanin,  këshilltar i ministrit të MAPL-së  Elbert Krasniqit.

    9-Përfituesi me numër 380/23 ( LOT 2)  Skender Batalli nga Fushë Kosova është daja i Muharrem Asllanit, deri cvonë këshilltar i ministrit të MAPL-së Elbert Krasniqit dhe zyrtar i partisë IRDK.                                                                           

    10-Përfituesi me numër të protokolli me numër të protokollit 145/23  (LOT 2 ) Shaban Qerimi është prindi i nënkryetarit komunal për komunitete në komunën e Lipjanit Lulzim Qerimit.

    11-Përfituesi me numër të protokolli 110/23  ( LOT 2 ) Gezim Hoti nga Fushë Kosova është drejtor i organizatës “Health for All” me ç’rast që disa vite edhe siguron të ardhura pasi që ka qenë koordinator i disa projekteve me këtë organizatë.

    Djali i tij, Burhan Hoti është i punësuar ne komunën e Fushë Kosovës.

    Sipas aktivistëve në terren, Muharrem Asllanit, deri vonë  këshilltar i ministrit Krasniqi për disa vite ka punuar bashkë  Gezim Hotin në organizatën “Health for all”, ku ka edhe fotografi si dëshmi.

    12-Përfituesi me numër të protokolli 110/23  ( LOT 2) z. Gazmend Qyqalla nga Fushë Kosova është anëtar i kryesisë së IRDK-së  dhe nënkryetar i degës së IRDK-së në Fushë Kosovë parti kjo ku kryetar është ministri Krasniqi.  Qyqalla është drejtor organizatës “Young community leaders Center”.

    Në parti, dega në Fushë Kosovë shef e ka  Idriz Murtezin, deri vonë këshilltar i Elbert Krasniqit.

    13-Përfituesi me numër të protokolli 824/23( LOT 2)  Hamit Sefedini nga Ferizaj është person i cili jeton  në kushte të mira ekonomike , dhe në shumicën e kohës qëndron në diasporë tek djemtë dhe vajzat e tij. Sefedini ka dyqan dhe kafiterti që është biznes që ai dhe familja e tij e zhvillon.

    Sefedini ka lidhje të ngushta me IRDK-në dhe është anëtar i saj, dhe sipas publikimeve në Facebook gjatë kohës së procesit të aplikimit vërehet se ish-këshilltarët dhe një nga këshilltarët aktual të Ministrit  Krasniqi, Isa Osmani, Muharrem Asllani e  Idriz Murtezi vërehet të jenë takuar në Ferizaj me Sefedini.

    14-Përfituesi me numër 124/23  ( LOT 2 ) Agim Hyseni nga komuna e Podujevës në të kaluarën ka mbajtur pozita politike të ndryshme . edhe për këtë përfituese, aktivistët në terren i kanë thënë Insajderit se gjatë kohës së procesit të aplikimit shihet që Isa Osmani, Muharrem Asllani dhe Idriz Murtezi jenë takuar me të në Podujevë.

    15-Përfituesi me numër 645/23 (LOT 2)  Lavdim Lala nga Gjakova është kushëri i afërt i deputetit të IRDK-së z. Frdion Lala.

    16-Përfituesi me numër të protokolli  601/23  (LOT 2)   Luan Qukani nga Gjakova e zhvillon biznesin e Poçarisë e ka punëtorinë dhe dyqanin e shitjes në komunën e Gjakovës.

    Sipas aktivistëve në terren, i njëjti muaj më parë ka përfituar subvencion për zhvillimin e biznesit  të tij nga ana e Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve.  

    17-Përfituesi me numër të protokolli 493/23 (LOT 2)  Hasim Puqolli nga Fushë Kosova është aktivist dhe anëtar i partisë së IRDK-së

    18-Përfituesi 481/23 (LOT 2)  Dashnim Bajrami nga Fushë Kosova përshkruhet nga aktivistët si njeri me të ardhura relativisht të mira, pasi që është i punësuar bashkë me një familjar të ngushtë në një “Call Cente”, por që u fut në listën e përfituesve me ndikim të  Idriz Murtezit  kryetar i degës së IRDK-së në Fushë Kosovë.

    19-Përfituesi i ndërtimit të shtëpisë me numër të protokolli 002/23 (LOT 1)  Besim Kryeziu nga komuna e Lipjanit aktualisht është shofer personal i Zëvendës-ministrit Resul Makreshit dhe ish shofer ish-nënkryetarit të kuvendit të Republikës së Kosovës deputetit Bekim Arifit nga PAI ( Partia e Ashkalive për Integrim).

    20- Përfituesi i ndërtimit të shtëpisë me numër të protokollit (LOT1) 258/23 Naser Haniqi është axha i Viloleta Haniqi asistente e deputetit të PAI-së, Bekim Arifit.

    21-Përfituesi me numër të protokolli  003/23 (LOT 2) Enver Kryeziu nga Lipjani  është asamblist komunal i PAI-së në Komunën e Lipjanit. I njëjti siç dihet se përfiton të ardhura mujore rreth 700 euro.

    22-Përfituesi me numër të protokolli  (LOT 2) 265/23 Jeton Ismajli nga Ferizaj është miku i shtëpisë së deputetit  Bekim Arifit.

    23-Përfituesi me numër të protokolli 829/23 (LOT 2) Safet Misini nga Ferizaj është përfitues i ndërtimit të shtëpisë para tri viteve nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas aktivistëve në terren, ai përfitoi tash edhe për ri-ndërtim të shtëpisë përsëri pasi për këtë dyshohet se ka ndikuar deputeti i PAI-së Bekim Arifit, që është mik shtëpie me Safet Misinin

    24-Përfituesi me numër të protokolli 047/23 (LOT 2) Xhemajl Asllani nga Fushë Kosova është kushëri i afërt i Artan Asllanit, këshilltar i kryeministrit Albin Kurtit dhe nga Partia PAI.

    25-Përfituesi me numër të protokolli 050/23 (LOT 2) Remzi Ademi nga Fushë Kosova është miku shtëpisë së Artan Asllanit ,këshilltar I kryeministrit Kurti

    26- Përfituesi me numër të protokolli  643/23 (LOT 2)   Veli Halabaku nga Prizreni, sipas hulumtimit në terren me aktivistë të shoqërisë civile nga komunitete jo-shumicë del se  është miku i shtëpisë së Skender Qorrit – kryetar i degës së IRDK-së në Gjakovë.

    Veli Halabaku është përfitues edhe i një subevncioni qeveritare pak muaj më herët për bizneset e tij.

    27-Përfituesi me numër të protokolli  797/23 (LOT 2) Blerim Avdo nga Prizreni është kryetar i degës së LPRK/në Prizren e drejtuar nga deputeti Ergjan Galushi.  Blerim Avdo ka qenë përfitues I ndërtimit të shtëpisë para tri viteve  nga një fond qeveritar për komunitete.

    Po ashtu Blerim Avdo është në punë ne një firmë private dhe ka pagë nga subjekti politik LPRK.

    28-Përfituesi me numër të protokolli  800/23 (LOT 2) z. Bashkim Veshall nga Prizreni është baba i gruas të Blerim Avdo – kryetarit të degës së LPRK-së në Prizren, partia e deputetit Galushi

    29- Përfituesi me numër të protokolli  687/23 (LOT 2) Alim Itaj nga komuna e Klinës është baballaku i zyrtarit komunal për komunitete në Klinë Halil Kerellaj. Kerellaj nga publikimet që i bën në rrjetet sociale vërehet së është i afërt i ministrit të MAPL-së, Elbert Krasniqi.

    30-Përfituesi me numër të protokolli për ndërtim të shtëpisë  545/23 (LOT 1)  Blerim Dollci nga Istogu është djali i anëtarit të kryesisë së IRDK-së dega në Istog dhe aktivist Ukë Dollcit.

    Hulumtimin e plotë e gjeni KËTU:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark