×
  • LifeStyle
  • Insajderi / Ballina 5

    Llojet e orareve të punës në Kosovë: Me cilat orare mund të punoni?

    Insajderi
    04 November 2022 - 08:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit”, kështu thuhet në nenin 20 të Ligjit të punës në Kosovë. Pra, nëse keni menduar që orari i punës konsiderohet vetëm puna 8-orëshe në ditë, atëherë është koha të njiheni më shumë në lidhje me këtë.

    Edhe në Kosovë, kompani të ndryshme japin orare të ndryshme të punës, bazuar nga organizata dhe pozita. Orari mund ta varet po ashtu edhe bazuar në kohën e vitit. Pra, e njëjta punë, mund të ndryshojë varësisht nga sezoni.

    Si bëhet ndarja e orarit të punës?

    Java e punës mund të organizohet ndryshe, në rast se punëdhënësi e organizon punën me ndërrime, gjatë natës ose kur natyra e punës e kërkon një gjë të tillë. Punëdhënësi, është i obliguar që ta informojë të punësuarin për ndarjen dhe ndryshimin e orarit të punës, së paku shtatë ditë para fillimit të punës.

    Llojet e orareve të punës

    Pune me orar të plotë

    Me ligj të Republikës së Kosovës, orari i plotë i punës zgjat 40 orë në javë, për personat mbi moshën 18 vjeçare, ndërsa për personat nën këtë moshë orari i plotë nuk mund të jetë më shumë se 30 orë në javë.

    Për shkak të orari të gjatë, punonjësit kanë përfitime të ndryshme. Kjo përfshin ditët e lira për shkak të gjendjes shëndetësore, sigurim shëndetësor dhe përfitime të tjera. Orari i plotë i punës ndryshon nga kompania në kompani. Por shumicën e kohës, punonjësit punojnë në të njëjtin ndërrim çdo javë. Më i zakonshmi është ai prej orës 9:00 deri në 17:00, nga e hëna deri të premten, pra duke i plotësuar të 40 orët në javë.

    Puna me orar të shkurtuar

    Si e shpjegon Ligji i punës këtë orar? “Orari i shkurtuar i punës caktohet për punët dhe detyrat e punës, për të cilat edhe përkundër aplikimit të masave mbrojtëse, punëtori nuk mund të mbrohet nga ndikimet e dëmshme për shëndetin e tij”. Pra, orari i punës shkurtohet në përpjesëtim me rrezikshmërinë e shëndetit dhe aftësisë së punonjësit për punë.

    Shkurtimi mund të bëhet më së shumti në 20 orë në javë, për punët me shkallë të lartë të rrezikshmërisë.

    Përfitimet që mund t’i kenë punonjësit nga ky orar është sepse për shkak të fleksibilitetit më të madh, ata mund të merren edhe me përgjegjësi të tjera jashtë punës, mirëpo në shumicën e rasteve nuk përfshihen në përfitime që kanë punonjësit me orar të plotë të punës. Gjithashtu edhe orët mund të ndryshojnë nga java në javë.

    Një shembull i punës me orar të shkurtuar është nga e hëna deri të mërkurën nga ora 7:00 deri në 11:00 dhe të shtunën dhe të dielën nga ora 11:00 deri në orën 19:00.

    Orari i pandryshueshëm i punës

    Ky orar është një ndërrim, për të cilin janë pajtuar si punëdhënësi ashtu edhe punonjësi. Pra punonjësi do të punojë për orë të njëjta në kohë të njëjtë çdo javë. Një shembull për këtë lloj të orarit është ndërrimi nga e hëna deri të premten nga ora 8:30 deri në 17:00, ose nga e enjtja deri të dielën prej orës 15:00 deri në orën 23:00.

    Orari fleksibil

    Në ditët e sotme më i kërkuari është orari fleksibil. Pra, ai nuk është i ngurt si orari fiks. Punonjësit dhe punëdhënësit kanë një marrëveshje duke e përcaktuar së bashku numrin e orëve dhe ditëve të javës që punonjësi do të punojë. Në varësi nga marrëveshja punonjësi mund të punojë me një numër shumë të vogël të orëve, mund të punojë bllok disa ditë, ose mund të ndërrohet me kolegë të tjerë sa herë që ka nevojë.

    Oraret me ndërrime

    Ky është lloji i orarit që shumë kompani e bëjnë, sepse për shkak të natyrës së punës u duhet të punojnë më gjatë se kompanitë që i mbyllin dyert në orën 17:00. Në raste të tilla këto kompani e rregullojnë orarit në atë mënyrë që secili punonjës t’i provojë të gjitha ndërrimet javë pas jave.

    Sfidë e këtij orari janë ndryshimet e gjumit, të ushqimit dhe takimeve me familje, për shkak të ndërrimeve të vazhdueshme.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    LifeStyle
    25 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark