×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Loja e Listës Serbe, nuk u tërhoq nga zgjedhjet në Veri

    Insajderi
    13 March 2023 - 19:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E hëna e 13 marsit ishte afati i fundit për të lajmëruar zyrtarisht (mos)pjesëmarrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit, shkruan Insjaderi.

    Ndërkaq Lista Serbe ndonëse përmes një shkrese në Facebook tha se “nuk marrim pjesë” nuk i është drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor për të konfirmuar këtë gjë edhe zyrtarisht.

    “Duke u mbështetur në afatet e caktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke filluar nga data 9 mars dhe deri më sot, 13 mars, partitë politike të regjistruara kanë mundur ta njoftojnë KQZ-në se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në këto komuna”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Insajderin.

    Njëmbëdhjetë parti politike, kryesisht nga komunitetet minoritare, kanë lajmëruar mospjesëmarrjen, ndërkaq pjesëmarrjen e kanë konfirmuar “Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partija Kosovskih Srba, Sladjana Pantovic (kandidate e pavarur) dhe Lëvizja Vetëvendosje”.

    Nga KQZ dje lajmërimin e Listës Serbe, e frazuan si “a marrin pjesë ose jo, kjo u takon vullnetit të lirë të subjekteve politike” por se zyrtarisht ende nuk e kanë pranuar konfirmimin zyrtar për pjesëmarrje nga Lista Serbe.

    Ndërkaq, ish-pjesëtari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, i cili garon me partinë e tij Partia Serbe e Kosovës në Leposaviq, thotë se ky veprim i Listës Serbe është “urdhër 100% i Beogradit”.

    Madje, ai e vë në dyshim këtë qëndrim të tyre. Thotë se nuk mund ta përjashtojë një skenar ku Lista Serbe do të futej në zgjedhje përmes një liste të rreme, por që realisht të qëndronin ata prapa tyre. Krejt kjo, për të mos ia dorëzuar pushtetin në ato komuna askujt tejtër.

    “Unë e njoh shumë mirë Listën Serbe. Për nga perspektiva ime ata njerëz kurrë nuk do të krijojnë ndonjë hapësire për të humbur pushtetin”, thotë fillimisht Jabllanoviq për Insajderin, ndërsa ka edhe një vlerësim për një “marifet” që kjo parti mund ta luajë ditëve në vijim.

    “Sepse po qe se pyesni njerëzit në Listën Serbe ata do të qëndronin në ato pozita për të kontrolluar gjithçka, në të dyja sistemet, në sistemin [paralel] serb edhe në sistemin kosovar”.

    “Por, ajo çfarë do të jetë me të vërtetë interesante të shohim ditëve në vijim, do të jetë 18 marsi, nëse në procesin zgjedhor të vendosin një listë të rreme”, tha Aleksandar Jabllanoviq.

    Ky opsion është tejet i mundshëm, shpjegon ai për Insajderin. “Një listë jo me emrin Lista Serbe, por një listë tjetër të serbëve, por që pas asaj liste të qëndrojnë Lista Serbe. Pra, këtë opsion nuk mund ta shmang. Sepse unë ende besoj se Lista Serbe nuk do të dorëzojë kontrollin që ka thjesht ashtu hajt”.

    Pyetur se a do të merr pjesë ai personalisht dhe subjekti i tij në këto zgjidhje, Jabllanoviq përgjigjet pozitivisht.

    “Po unë dhe partia ime do të marrim pjesë në zgjedhje në Leposaviq, dhe vetëm në Leposaviq, sepse për momentin nuk jemi aq të fuqishëm për të garuar edhe në komunat tjera”, tha ai për Insajderin.

    Ndonëse afati i përfundimit të regjistrimit të subjekteve garuese ishte caktuar për 18 mars (tashmë i shtyrë deri më 22 nga KQZ), Lista Serbe nuk hezitoi të shpall mospjesëmarrjen e saj.

    Por pse e bënë këtë? Jabllanoviq e sheh për presion ndaj takimit të Nivelit të Lartë në Ohër ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidnetit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ashtu të caktuar më 18 mars.

    Mirëpo, kjo datë edhe mund të shtyhet, vlerëson edhe vetë Jabllanoviq.

    “Por, ju e dini çfarë ndodhi herën e fundit para zgjedhje. Procesi zgjedhor u shty për 23 prill. Por, edhe data e fundit që një listë të dorëzonte letrat e regjistrimit në KQZ, 21 nëntor, por a ju kujtohet se më 21 nëntor, pa asnjë arsye, Komisioni Zgjedhor nxori vendim të ri që data do të shtyhen prej 21 nëntor në 26 nëntor”.

    “5 ditë më shumë. Sepse në ato 5 ditë ishte një proces negociatash në Bruksel. Është ende e hapur kjo për nga perspektiva nëse zoti Kurti dhe zoti Vuçiq pajtohen më 18 mars, ka shumë mundësi që të shohim një datë të re që partitë politike të marrin pjesë në zgjedhje ose jo”, thotë ai.

    Ndërkaq KQZ njoftoi gjithashtu se aplikimet e reja të kandidaturave do t’i pranojë deri më 22 mars, që është katër ditë më shumë se ajo që ishte njoftuar paraprakisht.

    “Sa i përket procesit të aplikimit dhe certifikimit të subjekteve politike për të marrë pjesë në këto zgjedhje, dy afate janë me rëndësi. Së pari, siç e dini, gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, KQZ-ja ka certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar në ndonjërën nga katër komunat dhe 63 kandidatë për të garuar në zgjedhjet për dy kuvendet komunale”.

    “Ky proces do të vlejë, çka do të thotë se subjektet politike do të mundet që nga 9 deri më 13 mars të konfirmojnë kandidatët e certifikuar. Dhe, së dyti, përveç konfirmimit të kandidaturave të certifikuara, KQZ-ja do të pranojë edhe aplikimet e reja nga partitë politike, kandidatët e pavarur, iniciativat qytetare apo koalicionet. Kjo do të mund të bëhet deri më 22 mars”, thonë nga KQZ-ja./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark