Luis Rubiales ka nxjerrë shitje shtëpinë e tij, një apartament luksoz dupleks në qendër të Madridit.
Sipas shtypit spanjol, ish-presidenti i federatës, i cili dha dorëheqjen pas puthjes së diskutueshme që i dha një lojtares pas finales së Kupës së Botës për femra, tashmë ka folur me miqtë e tij më të afërt për shitjen e pronës, e vlerësuar më shumë se 1.5 milionë euro.
Rubiales ka mbetur pa rrogën e tij nga federata (675 mijë euro në vit) dhe nga UEFA (250 mijë euro, po ashtu në vit), ndaj nuk e përballon dot hipotekën e lartë dhe duhet të paguajë edhe për kujdesin për ish-gruan dhe vajzat e tij. Më tej, sipas asaj që u ka thënë më të afërmve, është lodhur duke e pasur çdo ditë shtypin në derë.
Shtëpia është blerë në maj 2021, me hipotekë deri në vitin 2051. Eshtë pronë luksoze, me përmasa 200 m2, e pajisur me elektroshtepiake moderne. Kati i fundit ka një tarracë të madhe 100 metra katrorë dhe pishinë.