×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Lulzim Kryeziu i “Al Petrol/Shell” që u arrestua për dhunë në familje akuzohet edhe për rrahjen e një gazetari

Insajderi
17 November 2022 - 11:10
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Në prangat e policisë të mërkurën mbrëma ka përfunduar pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziu. Ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij në shtëpinë e tyre. Rasti është denoncuar nga bashkëshortja e Kryeziut, e cila pas arrestimit të tij raportohet se ka shkuar tek shtëpia e familjes së saj. Ky nuk është rasti i vetëm që Lulzim Kryeziu përballet më drejtësinë për ushtrim të dhunës. Para disa muajsh ndaj Kryeziut është ngritur akuzë për sulm fizik ndaj një gazetari, i cili po hulumtonte lidhur me licencat e kompanisë “Shell” që Kryeziu bartë të drejtat e kësaj kompanie për Kosovë

Pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziu do të përballet me drejtësinë në Kosovë për të paktën dy raste të dhunës që dyshohet të ketë ushtruar.

Para pak muajsh ndaj tij është ngritur aktakuzë për sulm fizik ndaj një gazetari. Ndërsa një denoncim tjetër ndaj tij është bërë mbrëmë, nga bashkëshortja e tij për dhunë, shkruan Gazeta Insajderi.

Lulzim Kryeziu, është arrestuar mbrëmë si i dyshuar për dhunë në familje.

Biznesmeni Kryeziu është denoncuar në polici për ushtrim të dhunës ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke e sulmuar atë fizikisht, shkruan Sinjali.

Përveç Lulzim Kryeziut, si dëshmitar është intervistuar edhe një anëtar i familjes së tij.

Raportohet se gjithçka ka ndodhur rreth orës 19:00. Kryeziu është paraqitur në stacion dhe është intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas intervistimit Prokurori i Shtetit e ka nxjerrë aktvendimin që Kryeziut t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Kryeziu do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Derisa bashkëshortja e tij ka shkuar te familja e saj, pasi që e njëjta nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me biznesmenin e njohur kosovar.

Më shumë rreth rastit lexo:

Aktakuza ndaj biznesmenit Lulzim Kryeziu për rrahje të gazetarit

Ndaj biznesmenit Lulzim Kryeziu, pronari i kompanizë Al Petrol/Shell në muajin maj të këtij viti është ngritur nja akuzë.

Ai akuzohet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, për sulm ndaj gazetarit, Fitim Çeku, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas aktakuzës, Kryeziu e kishte sulmuar gazetarin në shtatorin e vitit 2020 në pompën e e tyre të derivateve në lagjen Veternik.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.K., pasi i njëjti, më 28.09.2020, në Veternik, konkretisht në pompën e derivateve “Shell”, pas një fjalosje me të dëmtuarin-gazetarin F.Ç., lidhur me një hulumtim për licencën e kompanisë, i pandehuri me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit e ka sulmuar fizikisht, me çka i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, andaj aktakuza është proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë, në drejtim të veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ngjarja kishte ndodhur në pikën e tij të derivateve në Veternik të Prishtinës, pasditen e shtatorit të vitit 2020.

Gazetari ishte ftuar në takim nga vetë zyrtarët e ‘Shell Kosova’, pasi ishte duke hulumtuar lidhur me licencën e “Shell” për Kosovë, që e barte kompania “Al Petrol”, e themeluar nga babai i Lulzim Kryeziut, i ndjeri Latif Kryeziu.

Sipas denoncimit të gazetarit, Kryeziu iu ishte prezantuar atij jo si pronarë i kompanisë, por si menaxher kryesor dhe me emër të rremë Bekim Krasniqi.

Ky takimi kishte përfunduar me sulm fizik ndaj gazetarit Çeku nga Kryeziu, shkruan Gazeta Insajderi.

Por gazetari në polici kur e kishte raportuar rastin, kishte deklaruar se është sulmuar nga Bekim Krasniqi pasi që ashtu i ishte prezentuar Kryeziu.

Por kur hetuesit policorë morën pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit brenda pikës së ‘Shell Kosova’ në Veternik të Prishtinës, zbuluan se personi në fjalë ishte pikërisht pronari i kompanisë Lulzim Kryeziu.

Gazetari si pasojë e sulmit nga pronari i “Al Petrol/ Shell, mori edhe trajtim mjekësorë.

Më shumë rreth rastit lexo:

 “Më sulmoi vëllai”, “Nuk të takon hise se je femën”, Arbër e Lulzim Kryeziu denoncohen nga motra për aksionet e Al Petrol/Shell

Përveç rasteve të dhunës Lulzim Kryeziu dhe vëllezërit e tij, janë përfshirë edhe në një skandal tjetër.

Një betejë gjyqësore për pasurinë e afaristit të ndjerë Latif Kryeziu tashmë ka nisur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Fëmijët e të ndjerit janë duke u përplasur mes vete. Motra është ankuar se vëllezërit e kanë përzënë nga hisja. Asaj nuk i lejohet qasja në firmën Al Petrol e Royal, të kontrolluara nga vëllezërit e saj Arbër e Lulëzim Kryeziu.

Ka rreth shtatë muaj që vajza e biznesmenit të ndjerë Latif Kryeziut ka denoncuar vëllezërit e saj në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ajo është ankuar se vëllezërit e kanë përzënë nga hisja në kompanitë multimilionëshe të themeluara e udhëhequra nga babai i ndjerë.

Dy prej tyre janë të famshme: Al Petrol/Shell dhe Royal. Ajo ka kërkuar ndihmë nga gjykata. Ka kërkuar që të ndalohen vëllezërit e saj, sipas denoncimit të saj në gjyq. Po ashtu, motra është ankuar se njëri prej vëllezërve të saj edhe e ka sulmuar, në momentin kur ka kërkuar hise në bizneset e babait. Një seancë gjyqësore është mbajtur sot.

Është shqyrtuar propozimi i vajzës së të ndjerit për të vendosur Masë Sigurie në bizneset multimilionëshe që kontrollohen nga vëllezërit e saj.

Trashëgimtarja e të ndjerit Latif Kryeziu, propozuesja V.K, kërkon caktimin e masës së sigurisë në pjesën e pasurisë të lënë nga babai i saj tani i ndjerë në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe aksionet e trashëguara në “Al-Petrol”, ndaj familjarëve të saj- kundërpropozuesve H.K, Arbër Kryeziu, Lulzim Kryeziu, H.K dhe M.K.

Sipas versionit të motrës, ajo si trashëgimtare ligjore e të ndjerit Latif Kryeziu që dy vite është privuar që ta gëzojë masën trashëgimore që i takon dhe kur e ka kërkuar të drejtën e saj është sulmuar nga njëri prej vëllezërve të saj.

E njëjta ka deklaruar se i është thënë nga vëllezërit se “ty nuk të takon hise as çka po don se je femën”.

Më shumë rreth rastit lexo:

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark