Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Ardon Jashari, nuk do të shitet te skuadra e Baselit. Kështu ka thënë drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer, të enjten në konferencë për media. Është bërë e ditur se Jashari menjëherë duhet t’ia dorëzojë shiritin e kapitenit bashkëlojtarit Max Meyer.
Te skuadra e Luzernit nuk janë të kënaqur me qasjen e Jasharit, si dhe me intervistën e tij për “Luzerner Zeitung”.
“Ne u informuam nga Baseli, jo nga lojtari, për dëshirën e transferimit. Kjo ishte gjë e vështirë për ne”, ka thënë Remo Meyer.
Me sjelljen e Jasharit nuk është ndarë i kënaqur as trajneri Mario Frick.
“Ai duhet të jetojë me pasojat. Ne nuk mund ta lejojmë veten të shantazhohemi, përndryshe tjetri do të vijë së shpejti”.
Trajneri Frick ia kishte bërë edhe më herët Jasharit me dije se do t’ia merrte shiritin e kapitenit nëse do të “flirtonte” publikisht me ndonjë klub tjetër.
Nuk është bërë e ditur nëse Jashari do të përfshihet në skuadër për ndeshjen e parë të edicionit 2023/2024 të Superligës së Zvicrës. Luzerni e luan ndeshjen e parë në udhëtim kundër Winterthurit. Gjasat janë të vogla që 20-vjeçari të përfshihet në skuadër. Kështu të paktën ka lënë të kuptohet trajneri Mario Frick.
Drejtori sportiv Remo Meyer insiston se Jashari nuk do të shitet në asnjë klub zviceran në këtë fazë.
“Ne kemi planet tona për zhvillimin e mëtejshëm të klubit. Tani jemi në një rrugë ndryshe nga ajo që kemi qenë një apo dy vjet më parë. Kemi ambicie të ndryshme nga e kaluara. Kalimi i Jasharit në një klub zviceran është jashtë diskutimit në këtë fazë”, është shprehur Meyer.
Jashari ka kontratë me Luzernin deri në qershor të vitit 2026. Prej tij pritet shumë në të ardhmen. Ai ishte pjesë e Zvicrës në Botërorin në Katar. Për Përfaqësuesen seniore te helvetikëve ka luajtur dy ndeshje, ndërsa shtatë ndeshje i ka të zhvilluara për Përfaqësuesen U21 të Zvicrës.
Aktualisht janë ndërprerë negociatat me Baselin. Jashari të mërkurën tha se dëshira e tij është që të transferohet te skuadra e Baselit. Më herët është raportuar se Luzerni kërkon pesë milionë franga për Jasharin.
“Bashkë me këshilltarin dhe familjen kemi ardhur në përfundim se unë dua të qëndroj në Zvicër. Jam i bindur se mund të bëj hap tjetër në karrierë në Basel”, ka thënë të mërkurën Jashari. Ai ka kërkuar nga drejtuesit e Luzernit që të negociojnë me Baselin.
Pas ndeshjes së fundjavës kundër Winterthurit, Luzerni të mërkurën do të udhëtojë për në Stokholm, ku të enjten do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës kundër Djurgardenit, në kuadër të raundit të dytë. Mbetet të shihet nëse deri atëherë do të vendoset e ardhmja e Jasharit. /Koha/