Jorginho ka zbuluar se Granit Xhaka nuk e ka lënë ta pagojë një darkë, menjëherë pasi nënshkroi për Topçinjtë, pavarësisht marrëdhënieve të ftohta më parë mes dyshes.
Italiani përfundoi kalimin në Emirates Stadium për 15 milionë euro nga Chelsea. Ai tashmë ka shijuar një ndikim pozitiv në Londrën Veriore, derisa ndihmoi Topçinjtë të fitojnë në ndeshjen e fundit ndaj Aston Villas.
I pyetur nëse ishte i lumtur që tani do të ishte bashkëlojtar me mesfushorin shqiptar me pasaportë zvicerane, Jorginho kishte një përgjigje të thjeshtë dhe vlerësoi natyrën e mirë të Xhakës jashtë fushës.
Duke folur për beIN Sports, italiani tha: “Po, jam i lumtur. Ne patëm disa zënka në fushë më parë (me Xhakën), por jashtë fushës, ai është një djalë vërtet i mirë”.
“Po, jashtë fushës (Xhaka është ndryshe). E pyeta një ditë tjetër se ku mund të dilja për darkë dhe ai më rezervoi dhe nuk më la të paguaj gjithashtu. Isha si ‘Ok, faleminderit shumë’ (qesh)”.
“Pra, po, ai është një djalë vërtet, vërtet i mirë dhe jam i lumtur që mund ta shoh këtë pjesë tjetër të tij”, ka shtuar më tej mesfushori.