×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    ‘Made in Albania’ i dridhen gjunjët nga hapja e negociatave

    Insajderi
    18 May 2019 - 09:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vetëm 4% e bizneseve në Shqipëri mendojnë se integrimi në BE është një gjë shumë e keqe, 19% mendojnë se situata do të jetë njësoj dhe 75% e tyre e konsiderojnë procesin e integrimit një gjë shumë të mirë sipas Barometrit Rajonal 2018. Nëse negociatat hapen këtë verë, Shqipëria do ketë perspektiva të reja, por fabrikat shqiptare rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk plotësojnë standardet dhe nuk përballojnë hapjen e plotë të tregjeve. Jaka e Zusi bëjnë thirrje për ndërhyrje të shpejta. Por nëse negociatat nuk hapen, kostot që vijnë nga faktori psikologjik do të jenë edhe më të rënda.

    Shqipëria, edhe këtë verë, ka kthyer sytë nga Brukseli, duke mbajtur frymën deri në vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nëse ato nuk hapen, me shumë gjasa, një valë pesimizmi do të shkaktojë pasoja shumë të dëmshme për ekonominë e vendit se sa vetë procesi i dhimbshëm i anëtarësimit në BE. Në aspektin real të përfitimeve, ekonomia në tërësi nuk do të përfitojë asnjë financim shtesë nga Bashkimi Europian si u hapën, si nuk u hapën negociatat, të paktën në katër vitet në vijim. Nga ana tjetër, prodhimi “Made in Albania” mund të marrë goditjen finale nëse nisin bisedimet për anëtarësimin.

    Eurobarometri i Ballkanit për vitin 2018 gjeti se vetëm 4% e bizneseve në Shqipëri mendojnë se integrimi në BE është një gjë shumë e keqe, 19% mendojnë se situata do të jetë njësoj dhe 75% e tyre e konsiderojnë procesin e integrimit një gjë shumë të mirë. Sondazhi tregoi se si bizneset shqiptare, si qytetarët, e duan integrimin në BE, më shumë se çdo vend tjetër ballkanik. Të lodhur nga politikat destruktive të brendshme dhe niveli i lartë i varfërisë, si qytetarët edhe bizneset shqiptare, priren të marrin të mirëqenë çdo ofertë nga jashtë, pa qenë të qartë për pasojat. Në rastin konkret, integrimi kërkon standarde që shoqërohen me kosto të larta, që do të vënë bizneset shqiptare përballë falimentit real.

    Por nëse negociatat hapen, bizneset shqiptare janë shumë të vonuara për të përballuar pasojat. Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, thotë se qeveria duhet të kishte nisur me kohë një proces konsultimi me bizneset e prodhuese për t’i informuar ato në lidhje me pasojat. Bizneset që preken nga procesi i integrimit në BE, duhet të bëjnë analiza të thelluara të kostove, me qëllim që të kenë argumente për të kërkuar masa mbrojtëse nga prodhimet e BE-së.

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, thotë se zbatimi i standardeve është një proces i gjatë, i cili do të vazhdojë edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zbatimi i plotë i tyre kërkon jo vetëm shumë kohë, por edhe fonde të konsiderueshme të cilat Shqipëria nuk i zotëron sot. Zbatimi i plotë i këtyre standardeve do të kërkojë edhe një rritje të mëtejshme të mbështetjes financiare nga BE-ja. Kjo situatë kërkon një bashkëpunim rigoroz me sektorin privat, sidomos në drejtim të monitorimit, informimit dhe mbështetjes me asistencë teknike e fonde financiare për bizneset, për të arritur zbatimin e këtyre standardeve, tha zoti Jaka.

    Hapja e negociatave, dy drejtimet me pasoja negative për bizneset

    Bizneset shqiptare do të preken negativisht në dy drejtime nga procesi i integrimit, thotë Zusi. Së pari, heqja e tarifave doganore për të gjitha importet e BE-së do të bëjë jokonkurruese prodhimet shqiptare edhe në tregjet vendase. Shqipëria ka kosto të larta, për shkak se i mungon ekonomia e shkallës e për rrjedhojë, mallrat që vijnë nga ekonomi më të mëdha dhe më të përparuara rrezikojnë të shembin prodhimin shqiptar ende në fillesa. Nga ky proces, do të preket më së shumti industria e agropërpunimit.

    Së dyti, përmbushja e standardeve që kërkon procesi i anëtarësimit ka kosto të larta, në disa raste të përballueshme nga industritë e vogla, si ato të Shqipërisë. Nëse në rastin e tarifave doganore ka hapësira negocimi, për standardet nuk ka asnjë tolerancë. Çdo linjë prodhimi duhet të investojë të paktën 300-400 mijë euro në impiantet e shkarkimit të ujërave dhe qindra mijë euro të tjera në aspektin e standardeve mjedisore dhe sigurisë ushqimore.

    Kjo do të thotë se, nëse hapen negociatat, fitimet e bizneseve shqiptare për vite me radhë do të shkojnë për plotësimin e standardeve dhe jo për zgjerim aktiviteti, apo investime në teknologji. Kur Bullgaria dhe Rumania hynë në BE në vitin 2008, shumë biznese u mbyllën përfundimisht ose përkohësisht, për shkak se nuk plotësonin standardet e kërkuara nga BE-ja. Ndërsa Sllovenia negocioi që prodhimet e elektroshtëpiakeve Gorenja të ishin të mbrojtura edhe me tarifa, edhe 4 vite pas anëtarësimit në BE. Masat mbrojtëse janë të negociueshme. Prodhuesit shqiptarë të mishit apo qumështit mund të kërkojnë që produktet e BE-së të futen në tregun tonë me tarifa doganore mbi 10%, si gjatë periudhës së negociatave, por edhe pas anëtarësimit, deri sa industritë tona të bëhen konkurruese.

    Zusi thotë se, në momentin që Shqipëria do të hyjë në BE, prodhuesit vendas, ose do të bllokojnë prodhimin, ose duhet të bëjnë investime të rëndësishme, që nuk dihet nëse do të mund t’i përballojnë dot, për shkak të kostove të larta”. Sektori i përpunimit të qumështit, industria që përpunon fruta-perime (p.sh., fërgesa, specat apo kastravecët turshi), industria e prodhimit të mishit të pulës dhe ajo e ëmbëlsirave, që përdor qumësht e vezë, pritet të jenë më të goditurat.

    Zusi thotë se, BE nuk lejon subvencione më shumë se 200 mijë euro për një kompani, por ndërkohë, nevojat e kompanive shqiptare sot, vetëm për të përmirësuar derdhjen e ujërave, duhet të investojnë më shumë se kaq. Në mënyre hipotetike, nëse Shqipëria anëtarësohet në BE, të gjitha kompanitë shqiptare duhet të mbyllen.

    Pse vendet e Ballkanit duhet të bashkohen

    Stabiliteti makroekonomik ka qenë i vështirë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas krizës së vitit 2008. Kriza globale financiare tensionoi pozicionet fiskale në të gjashtë vendet, duke ulur ndjeshëm rendimentin fiskal dhe, nga ana tjetër, rriti presionin mbi borxhin publik.
    Politikat kundërciklike çuan në dyfishim të deficiteve primare në rajon, nga 1.7% e PBB-së në vitin 2008 në 3.8% në vitin 2009, duke vijuar mbi 2% deri në vitin 2016. Si rezultat, mesatarja e borxhit bruto në rajon u rrit nga rreth 30% e PBB-së në 2008 në mbi 50% në vitin 2016 (Shqipëria dhe Serbia ka nivelin më të lartë në mbi 70%).

    Kriza nxori në pah edhe disa dobësi të tjera strukturore. Banka Botërore analizon se, ekziston nevoja për të përmirësuar efikasitetin, barazinë dhe transparencën e fiskalitetit dhe politikat për mobilizimin e burimeve në mënyrë më efektive dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike.
    Shpenzimet publike në rajon mbeten të përqendruara në pagat, pensione dhe pagesa sociale, duke lënë pak hapësirë për investimet.
    Banka vlerëson se ka vend për përmirësimin e mbledhjes së taksave dhe për një progres më të madh në politikat tatimore. Tani, pas krizës financiare, ekziston një nevojë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor për të siguruar stabilitetin makroekonomik për të konsoliduar financat publike dhe për të rritur kapacitetet në tërheqjen e fluksit të investimeve direkte.

    Tranzicioni në drejtim të konsolidimit të ekonomisë së tregut mbetet i paplotë në Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka arritur përparim të konsiderueshëm në liberalizimin e çmimeve, tregtinë me jashtë, në privatizime, por transformimi strukturor mbetet i vonuar dhe pas ekonomive të tjera të vogla në tranzicion. Veçanërisht, sot, “rezultati i tranzicionit” në Ballkanin Perëndimor është i ngjashëm me atë të ekonomive të tjera europiane në tranzicion në vitin 1996. Progresi ka qenë ngadalshëm në fushat e konkurrencës, qeverisjes, ristrukturimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe privatizimit në shkallë të gjerë.

    Vitet e fundit, konvergjenca për të arritur vendet e BE-së ka qenë e ulët në vendet e rajonit. Shqipëria, Bosnjë – Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shënuan ulje të fortë të varfërisë që nga fillimi i tranzicionit drejt ekonomive të tregut. Standardet e jetesës u rritën gati gjashtëfish në Bosnjë – Hercegovinë, pothuajse u trefishuan në Shqipëri dhe u dyfishuan në Serbi midis 1995 dhe 2015.

    Gjatë viteve 2000-2008, standardet e jetesës në Ballkanin Perëndimor u zgjeruan më shpejt se në vendet e tjera të botës dhe në mesataren e BE-së. Gjatë kësaj periudhe, krijimi i vendeve të reja të punës ndihmoi në uljen e varfërisë. Në fillim të viteve 2000, afërsisht një në tre persona në rajon ka jetuar në më pak se 5 dollarë për dita. Deri në vitin 2008, kjo shifër kishte rënë vetëm një në pesë. Tregues të tillë si jetëgjatësia, shkathtësia dhe qasja në shërbime gjithashtu u përmirësuan gjatë kësaj periudhe.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark