×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Magnituda, radiusi…”, Fitore Pacolli me “analizë të thellë” për videon propaganduese të partisë

    Insajderi
    04 October 2022 - 18:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli i ka kushtuar një “analizë të thellë”, videos propaganduese të partisë të publikuar, të hënën, shkruan Insajderi.

    “Analizën” në Facebook, Pacolli e nis duke përdorur terme si magnituda, radiusi i reaksionit derisa komenton videon vulgare të publikuar nga partia.

    “Ta paraqesësh të vërtetën përveçse e drejtë është edhe obligim qytetar. E çuditshme në fakt është jo vetëm magnituda e shkundjes që ndodhi nga një video dje, por edhe radiusi i reaksionit që nxori në pah jo vetëm epiqendrën e 20 vjeçarit por edhe tentakulat e tij”, ka shkruar ajo mbi videon e shpërndarë.

    Në videon e publikuar nga partia e Kurtit flitej me akuza tejet të rënda për ish-liderët politik, e partitë opozitare në vend.

    “Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vet, herë njëri me tjetrin e tjetri me tjetrin. Më shumë bashkë”, thuhet në videon e publikuar nga VV derisa në sfond paraqiten fotografitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Isa Mustafës e Fatmir Limajt, shkruan Insajderi.

    Ndërkohë të shumta kanë qenë reagimet kundrejt kësaj videoje.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se LVV në vend së të kërkojnë llogari në Facebook, duhet t’iu drejtohen organeve të shtetit.

    “Të krijohen mendime negative për njerëzit që kanë kontribuuar ose nuk kanë kontribuuar, që kanë shkatërruar shtetin ose që kanë keqpërdorur pozitën nuk gjykohen, përmes Facebook-ut, por denoncohen në prokurori dhe në gjykatë”, ka deklaruar Haliti.

    Krahas kësaj, ai ka thënë se nuk sheh asnjë projekt të realizuar nga ana e LVV-së, përgjatë kohës së qeverisjes së saj.

    “Akrobacionet të tipit të njerëzve të ligj, i quaj gjëra të cilat ata që i bëjnë duhet të japin llogari para Gjykatave të Kosovës. Përveç sharjeve dhe shpërndarjeve të ndihmave për interesa elektorale, nuk kanë bërë asgjë. Nuk po shoh projekte të realizuara nga ta në Kosovë, nuk ka spitale, mirëmbajtje të rrugëve, është ndërprerë ndërtimi i ujësjellësve”, ka deklaruar ai

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), i është kthyer propagandës së mashtrimit.

    Sipas Hotit, LVV-ja do të duhej që të promovonte investime të reja si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, kulturë e sektore të tjera, dhe jo të merret me “shantazh ndaj atyre që e kundërshtojnë atë”. Reklama

    “Pas një viti e gjysmë në qeverisje, në vend që partia në pushtet të promovojë rrugë të reja, shkolla e spitale të reja, njohje të reja për shtetin e Kosovës, stadiume sipas standardeve të FIFA-s, furnizim me ujë për fshatrat që ende nuk kanë ujë, investime në sisteme të ujitjes në bujqësi, ajo parti i kthehet propagandës së mashtrimit, shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta”, ka thënë Hoti.

    Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Nga kjo parti opozitare kanë thënë se VV po shpërndan gënjeshtra apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin.

    Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka theksuar se “prodhimi i fundit i agjitacionit dhe propagandës së VV-së, është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre, metoda të përdorura gjatë tërë ekzistencës së tyre të fëlliqur në politikën kosovare”, ka deklaruar Blakaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark