Majlinda Kelmendi është shprehur optimiste se Kosova mund të fitojë medalje në Kampionatin Evropian të xhudos.
Kampionia olimpike këtë radhë do ta kryejë rolin e trajneres pasi i dha fund karrierës së lavdishme si xhudiste vitin e kaluar.
Ajo beson se ekipi kosovar do të kthehet në shtëpi me medalje nga Evropiani, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
“Ne i kemi Distria Krasniqin dhe Akil Gjakovës. Do të thotë, i kemi kampionen olimpike në Tokio dhe vëllanë e kampiones tjetër olimpike, Nora, i cili tashmë e njëh këtë nivel garash. Gjithashtu, i kemi marrë me vete edhe dy garuese të reja, Laura Fazliu e Flaka Loxha”, deklaroi fillimisht Kelmendi për uebfaqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
“Ne kemi ardhur këtu për medalje, së paku një dhe ne mendojmë se mund t’ia dalim, në të kundërtën nuk do të ishim këtu”, vazhdoi Kelmendi.
Flaka Loxha nuk arriti të fitonte medalje, kurse Distria Krasniqi është vetëm një garë larg medaljes së bronztë, të cilën mund ta fitojë përmes repesazhit.
Ndërkohë, Majlinda ka folur edhe për karrierën e saj të suksesshme dhe i ka bërë krahasimet e garave dhe evenimenteve më të vështira për t’i fituar, shkruan “Gazeta Express”.
“Për mua, Kampionati Evropian është më i lehtë se Botërori. Por, titulli i Botërorit është më i komplikuar sesa Olimpiada. Në disa Lojëra Olimpike, posaçërisht nëse jeni prijës, mund të të nevojitet vetëm një fitore për të shkuar në çerekfinale. E titulli i botës është më i vështirë, sepse aty janë më të mirët që nga rundi i parë”, përfundoi Kelmendi.
Majlinda si trajnere e re, u pa sot duke e udhëhequr Flaka Loxhën në Evropianin e Bullgarisë.