×
  • Lajme
  • Lajme

    Mashtrimi me leje nga Ministria e Mjedisit, Zemaj: Na vinin në Deçan për kauza të rreme e mashtrime për mbrojtjen e Grykës së Deçanit

    Insajderi
    08 January 2024 - 18:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti nga komuna e Deçanit, Armend Zemaj ka reaguar lidhur me paditë që disa OJQ për mjedisin kanë bërë ndaj Ministrisë së Mjedisit për dhënien e lejes ujore e mjedisore “fshehurazi” kompanisë “Kelkos” për hidrocentralin “Lumbardhi” në Deçan.

    Sipas deputetit që vie nga kjo anë, ky është mashtrimi i radhës i Qeverisë Kurti që i doli në shesh, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ashtu siç bënin për pronat tek manastiri ashtu siç bënin për demarkacionin ashtu siç ja humbën Kosovës shumë vite në proceset integruese ashtu siç e pësoi rinia, shteti dhe ekonomia nga mashtrimet e propaganda, ashtu kësaj radhe ja na doli edhe një sihariq tjetër i pushtetit mashtrues të Kurtit”, ka shkruar Zemaj.

    Zemaj thotë se qeveritarët e tanishëm mashtruan popullin dhe ndërtuan kauzë se janë për mbrojtje të Grykës së bukur të Deçanit.

    “Na vinin në Deçan here njëri e herë tjetri, por pos që e shijonin peizazhin e bukur, e bënin kinse po kundërshtonin shkatërrimin e natyrës, duke akuzuar për krim të organizuar e privatizim kriminal, ku gjeten edhe njerëz të vullnetit të mirë dhe ndërtuan kauzë se janë për mbrojtje të Grykës së bukur të Deçanit”, vijon tutje reagimin Zemaj.

    Organizatat mjedisore “Pishtarët”, “Gjethi” dhe “EcoZ”, kanë dorëzuar këtë të enjte padi kundër Ministrisë së Mjedisit, pasi sipas tyre ky dikaster i ka dhënë fshehurazi leje mjedisore kompanisë Kelkos.

    Sipas këtyre tri organizatave joqeveritare, një vit më parë ministri i Mjedisit, Liburn Aliu ka mbajtur takime të fshehta me Kelkos dhe pas takimeve, kjo kompani ka marrë leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi” në Deçan.

    Kelkos-i ka bërë investimin e parë në Grykën e Deçanit, kur në vitin 2009 ka blerë një hidrocentral ekzistues.

    Që nga fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve, në vitin 2014, aktivistët dhe banorët lokalë kanë ngritur zërin për dëmet që i janë shkaktuar lumit dhe zonës përreth.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark