×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Matteo Mandalà: Shënime për botimin kritik të “Pallatit të ëndrrave”

    Insajderi
    28 April 2023 - 17:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    1.– Botimi i parë i pjesshëm i Nëpunësit të pallatit të ëndrrave doli në Tiranë në vitin 1980 si pjesë e përmbledhjes në prozë me titullin Gjakftohtësia[1], titull ky edhe i një romani që, sikurse shumë të tjerë të autorit, ishte i destinuar të pësonte kufizime të shumta e të rënda. Ishte një version i dy kapitujve të parë të romanit, që jo vetëm nuk shkaktoi reagime negative nga ana e kritikës zyrtare, por u vlerësua pozitivisht nga disa kritikë[2]. Kjo pritje e mirë, që u lehtësua pjesërisht nga shkujdesja e funksionarëve që nuk ushtruan kontrolle para shtypjes së librit[3], shpjegohet edhe me faktin se fragmentet e romanit nuk ngjallën dyshime mbi karakterin subversiv të romanit. Të njëjtin vit (1980) dy kapitujt e romanit u ribotuan edhe në Prishtinë[4].

    Lehtësia me të cilën u arrit botimi i pjesshëm i Nëpunësit të pallatit të ëndrrave e bindi autorin të vinte në jetë «një aventurizëm të pabesueshëm»[5], siç do ta quante më vonë e shoqja Helena. Ndoshta duke shpresuar në mungesën e vigjilencës së shtëpisë botuese Kadare u shty më tej, kësaj here i vetëdijshëm se romani vështirë se do të kalonte pa u vënë re. Kështu një vit më vonë, në 1981, u botua teksti i plotë i romanit, që çuditërisht e kaloi përsëri sitën e kontrolleve të shtëpisë botuese[6]. Kësaj here romani u përfshi në botimin e dytë të përmbledhjes Emblema e dikurshme[7], i fshehur «midis teksteve të rëndomta për jetën socialiste»[8]. Mirëpo ndryshe nga hera e parë ky truk nuk rezultoi efikas: sipas mendimit të studiuesit Bashkim Kuçuku, botimi i plotë i Nëpunësit të pallatit të ëndrrave «i shpëtoi censurës, por nuk i shpëtoi kritikës»[9], pasi provokoi një mekanizëm të skëterrshëm që në raste të ngjashme kishte shkaktuar masa ndëshkuese ekstreme ndaj autorëve që kishin shkelur vijën ideologjike të përcaktuar nga partia në pushtet.

    Në të vërtetë Kadare i kishte provuar në kurriz ato masa ndëshkuese dhe ndoshta e kishte llogaritur rrezikun që mund të rridhte nga botimi i një romani, i cili konfigurohej si sulmi më i hapur dhe i drejtpërdrejtë kundër një regjimi të një vendi socialist. Nuk mund të thuhet as se vëllimi i reduktuar i veprës, – roman i shkurtër ose novelë –, në vetvete mund të zbuste vëmendjen e lexuesve a kritikëve, sikurse kishte ndodhur më parë me vepra të tjera që Kadare[10] kishte arritur të botonte duke përdorur të njëjtin truk për t’i bishtnuar ndalimit për të shkruar romane pas dënimit të poemës Pashallarët e kuq[11].

    Truku i Kadaresë në botimin e dytë të plotë të Nëpunësit të pallatit të ëndrrave nuk funksionoi ndoshta sepse versioni i zgjeruar i tekstit tërhoqi vëmendjen e censurës me përmasat e tij. S’ka dyshim se nuk ishin ndryshimet që autori u bëri dy kapitujve të botuar në vitin 1980 ato që tërhoqën vëmendjen, edhe pse – sikurse do ta shohim më poshtë – prej tyre u morën pasazhet më inkriminuese.

    Krahasimi i dy teksteve të vitit 1980 dhe 1981 e konfirmon plotësisht këtë të dhënë, sikurse e dëshmojnë qoftë variantet e lehta dhe pa peshë “zëvendësuese”, qoftë variantet “restauruese” që, ndryshe nga të parat, janë shtesa të reja[12] në tekstin e rishikuar prej autorit. Në fakt, me botimin e pesë kapitujve të rinj romani jo vetëm që shpalosi hapur natyrën oruelliane, por e shtyu dashur pa dashur analizën drejt një interpretimi të ndryshëm, më global, të gjithë tekstit, pra edhe të atyre dy kapitujve të parë që ishin konsideruar “të parrezikshëm”. Kështu nuk qe e vështirë të zbërthehej mesazhi alegorik, duke rrokur ironinë, desakralizimin, sarkazmën dhe groteskun që përshkonin romanin nga faqja e parë deri te e fundit. Ishte e qartë se Kadare nuk kishte për objekt të romanit obsesionet e institucionalizuara të “perandorisë” osmane, por rravgimet e sistemit socialist shqiptar, obsesionet dhe makthin e atyre që i vuanin ato.

    Nuk është vendi këtu për një analizë ngushtësisht letrare të Nëpunësit të pallatit të ëndrrave, por nuk mund të mos themi se këto vlerësime janë të domosdoshme për të kuptuar zhvillimet e mëvonshme të historisë së këtij teksti, si edhe të veprave të tjera të Kadaresë që u dënuan të pësonin të njëjtin fat, posaqë variantet që do të botohen nga ky çast deri në rënien e regjimit u imponuan përmes ndërhyrjes së “kontekstit”. Është fakt se pak pas botimit të plotë që do të konsiderohej i pazakontë dhe i pajustifikuar, romani u shndërrua në një “çështje” letrare që i detyroi krerët e shtetit dhe të partisë të merrnin masa duke zbatuar metodat represive që hynin mekanikisht në veprim për t’i prerë rrugën së ashtuquajturës “veprimtari armiqësore kundër shtetit”. Do të jenë pikërisht këto masa represive, që më poshtë do t’i shqyrtojmë edhe nga pikëpamja filologjike, të cilat do të karakterizojnë një nga rastet më të bujshme të censurës së hekurt letrare që ushtronte regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri.

    3.– Në kuadrin e një programi editorial ambicioz që e zuri fillin aty nga fundi i viteve ’70 dhe që u ndërpre në dhjetëvjeçarin pasues, shtëpia botuese “Naim Frashëri” nisi botimin e një gjerdani që përfshinte veprat e plota të shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Vëmendje e veçantë iu kushtua autorëve bashkëkohorë të “Shqipërisë së re”, si Dritëro Agolli, Kolë Jakova, Haki Stërmilli, Veli Stafa, Dhimitër S. Shuteriqi dhe Fatmir Gjata, por nuk u lanë pas dore as autorët e traditës, mes të cilëve kujtojmë arbëreshin Jeronim De Rada. Edhe vepra letrare e Ismail Kadaresë, që asokohe kishte nisur të bëhej e njohur edhe jashtë Shqipërisë, u përfshi në këtë gjerdan prestigjioz. Plani i botimit fillimisht parashikonte ta përfshinte të gjithë prodhimin letrar të Kadaresë në 12 vëllime, nga të cilat vëllimi i nëntë do të përmbante dy romanet që më pas kritikët do t’i përfshinin në të ashtuquajturin “cikël osman”: Pashallëqet e mëdha dhe Nëpunësi i pallatit të ëndrrave[13].

    Botimi që doli në vitin 1981, rimerrte besnikërisht tekstin me të njëjtin titull, që ishte përfshirë në vëllimin e lartpërmendur Emblema e dikurshme. Përveç gabimeve të shumta të shtypit që do të na hyjnë në punë gjatë analizës së mëposhtme filologjike, dallimet mes dy teksteve kanë të bëjnë më së shumti me variante drejtshkrimore, të cilat në botimin e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” rezultojnë më të sakta se në botimin pararendës. Në vijim po sjellim të gjitha variantet, përfshirë ato me gabime shtypi, që hasen në dy botimet e plota të vitit 1981, përkatësisht në botimin e përfshirë te përmbledhja Emblema e dikurshme dhe në vëllimin e nëntë të Veprës letrare. Qëllimi është i dyfishtë pasi nga njëra anë duam të vërtetojmë përkimin thelbësor të këtyre dy botimeve, dhe nga ana tjetër të vëmë në pah dallimet me versionin e botuar në vitin 1989, tek i cili do të ndalemi në paragrafin e ardhshëm.

    Përkimi thelbësor i teksteve të dy botimeve të vitit 1981 konfirmon hipotezën se versioni që u përfshi në vëllimin e nëntë të Veprës, së paku në synimet e atëhershme të Kadaresë, kishte marrë formë përfundimtare, po të përjashtojmë, natyrisht, ndërhyrje dhe përmirësime eventuale të natyrës gjuhësore, drejtshkrimore dhe ndonjëherë estetike që mund të bëheshin më pas. Doemos që ky botim i fundit, i cili ishte pjesë e korpusit “zyrtar” të prodhimit letrar të autorit tonë dhe që dilte në dritë fill pas botimit të parë, na bën të mendojmë se romani e kishte kaluar provën e censurës dhe se ky botim i fundit, sikurse edhe botimet pararendëse, nuk i kishte rënë në sy kritikëve të zellshëm të regjimit. Kështu është menduar së paku deri më sot, kur disa të dhëna filologjike dhe fizike të dy botimeve na shtyjnë të hulumtojmë më tej mbi historinë jashtëtekstore të romanit dhe të shqyrtojmë me vëmendje disa elemente të kontekstit historik dhe politik kur u krye botimi i dytë i vitit 1981.

    Në të vërtetë fati i këtij botimi të dytë të Nëpunësit të pallatit të ëndrrave qe nga njëra anë, anormal, ndërsa nga ana tjetër paradigmë e zhvillimeve kontradiktore dhe tragjike që karakterizuan Shqipërinë e gjysmës së dytë të viteve ’80 të shekullit të shkuar, veçanërisht të dy periudhave të shenjuara nga vdekja e dy figurave politike më të rëndësishme të regjimit: të kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetor të vitit 1981 dhe të vetë diktatorit Enver Hoxha në prill të vitit 1985. Këto dy momente patën një peshë të ndjeshme në zhvillimet e mëtejshme të historisë së këtij romani që do të shndërrohej në simbol të disidencës estetike në Shqipëri. Le t’i shqyrtojmë ato me radhë.

    Pasi përfundoi botimi i serisë Vepra letrare të Ismail Kadaresë, shtëpia botuese nuk i përmbushi menjëherë të gjitha detyrat e veta institucionale, në veçanti nuk zbatoi detyrimin për të dorëzuar në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë pesëmbëdhjetë ksombla, aq sa kërkonte ligji i kohës mbi botimet, për secilin nga dymbëdhjetë vëllimet e serisë. Ky detyrim ligjor u përmbush vetëm në vitin 1983, saktësisht më 2 nëntor të atij viti, sikurse rezulton nga regjistri i marrjes në dorëzim të librave në Bibliotekën Kombëtare. Ndër kopjet e dorëzuara ishte edhe vëllimi i nëntë me romanin Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, që ruhet ende në Bibliotekë dhe që ne kemi përdorur për të kryer krahasimin e mësipërm te këtij botimi me tekstin e botuar te Emblema e dikurshme. Është rasti të theksojmë këtu se bëhet fjalë për të vetmen ksombël të botimit të vitit 1981 që kemi mundur të gjejmë, ndërkohë që njëmbëdhjetë vëllimet e tjera të serisë janë mjaft të përhapur dhe gjenden lehtë nëpër biblioteka publike dhe private, nëpër librari dhe madje edhe te librashitësit ambulantë nëpër trotuaret e Tiranës.

    Arsyet e kësaj anomalie të mistershme që rrethon “zhdukjen” e vëllimit të nëntë të serisë së veprave të Kadaresë nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse me censurën që goditi romanin gjatë muajve fill pas botimit, si pasojë e po asaj lufte tragjike për pushtet në gjirin e udhëheqjes së lartë të regjimit që shkaktoi edhe vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe që u pasua nga një valë e jashtëzakonshme spastrimesh dhe dënimesh në të gjitha fushat, përfshirë artet dhe letërsinë. Nuk bëri përjashtim as romani i Kadaresë.

    Nëpunësi i pallatit të ëndrrave u kritikua zyrtarisht gjatë mbledhjes plenare të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve që u mbajt posaçërisht më 18-19 mars 1982[14] dhe si pasojë jo vetëm që shtëpive botuese dhe redaksive të tyre iu bë thirrje për më shumë vigjilencë[15], por kopjet e shtypura të romanit u tërhoqën menjëherë nga qarkullimi dhe u zyrtarizua dënimi i tij. Një vepër rinore në prozë e shkrimtarit kishte pësuar të njëjtin fat: tregimi Përbindëshi pas botimit në revistën Nëntori në vitin 1965, u dënua, u harrua dhe u rikthye në jetë si vetë personazhet e Kadaresë pas rënies së regjimit.  Do të kishte ndodhur kështu edhe me Nëpunësin sikur Kadare të mos merrte masa të menjëhershme duke bërë një autokritikë “të sinqertë” në mbledhjen plenare të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në të vërtetë ajo ishte një autokritikë sui generis që sikurse autokritika tjetër që zbuloi dhe botoi Shaban Sinani, nxirrte në pah me ironi natyrën alegorike të romanit dhe linte të nënkuptoheshin synimet e vërteta të autorit[16]. Po ta rilexojmë sot, “rrëfimi” i Kadaresë më shumë se një pendesë publike na tingëllon si një marrje e plotë përgjegjësie autoriale mbi një vepër, tekstin e së cilës autori e kishte shkruar me vetëdije të plotë, sepse në vend që të mbrohet nga akuzat, ai i pranon kufizimet “ideologjike” për të cilat kritikohet.

    Në fakt duke pohuar se vërejtjet racionale që i bëhen romanit të tij zbulojnë gabime të rënda objektive në konceptimin estetik të veprës dhe veçanërisht në mënyrën e paraqitjes së realitetit socialist shqiptar, ipso facto Kadare i njihte Nëpunësit të pallatit të ëndrrave merita përndryshe të parrëfyeshme: së pari, faktin se ajo mënyrë e shndërrimit aluziv të aktualitetit i përmbyste rrënjësisht kriteret dhe parimet e realizmit socialist dhe, së dyti, se alegoria që përshkonte romanin pasqyronte një shoqëri të tërë me strukturat politiko-shtetërore që e qeverisnin si një vizion i shtrembëruar i jetës.

    Autokritika e Kadaresë ishte e nevojshme jo vetëm për të shpëtuar veprën nga censura, por edhe për t’i garantuar autorit të drejtën e botimit. Në fillim të viteve ’80 regjimi diktatorial në Shqipëri ende ushtronte një trysni të madhe dhe vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës (prill 1985) zunë të viheshin re shenjat e para të rënies. Ndoshta falë këtij ndryshimi dhe zbutjes që pasoi, nga fundi i viteve ’80 u krijuan kushtet jo vetëm për një ribotim të romanit, por edhe për nxjerrjen nga magazinat e shtëpisë botuese Naim Frashëri dhe hedhjen në qarkullim të vëllimit të nëntë të serisë Vepra letrare që për arsye censure paraprake nuk ishte vënë në shitje bashkë me vëllimet e tjera[17].

    4.– Pas vdekjes së Enver Hoxhës, drejtimin e partisë dhe të shtetit e mori Ramiz Alia që sundoi Shqipërinë deri në rënien e regjimit. Kjo ishte një periudhë e shkurtër që u karakterizua nga një farë lehtësimi i presionit të diktaturës, e si pasojë edhe i kontrollit mbi letërsinë dhe artet. Pikërisht kësaj zbutjeje relative të censurës i detyrohet faza e dytë e historisë së shkrimit të romanit.

    Një botim “anormal” i Nëpunësit të pallatit të ëndrrave qarkulloi në vitin 1989[18]. Anormaliteti qëndron te një sërë veçorish fizike që hasen te shumë ksombla që kemi shqyrtuar, si edhe te “ndyshimet tekstore”, disa syresh vërtet të çuditshme, të cilat janë pasojë e një rishikimi që autori u detyrua t’i bënte romanit në mënyrë që të siguronte lejen e qarkullimit të tij nga ana e autoriteteve. Nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar arsyen pse shtëpia botuese e pranoi kërkesën legjitime të autorit për të lejuar qarkullimin e veprës që në njëfarë mënyre ishte pezulluar, ndoshta, sikurse do ta shohim më poshtë, në pritje të përkthimit dhe botimit jashtë Shqipërisë. Ana “anormale” e kësaj historie ka të bëjë me disa aspekte mirëfilli filologjike, sidomos me ndryshimet tekstore që iu bënë “botimit të ri”, çka nuk u realizua duke rishtypur gjithë tekstin e romanit, por duke ndryshuar fizikisht vetëm disa nga faqet e kopjeve të shtypura në vitin 1981, të cilat u prenë dhe u zëvendësuan me faqe të reja që u ngjitën në vend të atyre të hequra.    

    Në fakt ai që në vitin 1989 u paraqit si “botim i ri” i romanit, nuk ishte tjetër veçse rinxjerrja nga magazina e kopjeve të shtypura të vëllimit 9 të gjerdanit Vepra letrare, mbi të cilin u zëvendësuan fizikisht vetëm disa faqe, që, sikurse duket nga fig. nr. 2-5, cenuan grafikisht integritetin “estetik” të gjithë gjerdanit. 

    Përkimi i gabimeve të shtypit që evidentohen në botimet e viteve 1981 dhe 1989 dëshmon se në fakt kemi të bëjmë fizikisht me të njëjtin botim të vitit 1981, të ndryshuar vetëm në disa faqe, sikurse kuptohet edhe nga një ndreqje e vetme gabimi (vshtroi) që haset në faqen e ndryshuar 190 të vitit 1989 (vështroi). Pikërisht për shkak të këtij botimi “anormal” të vitit 1989, receptimi kritik i romanit pati një fat të çuditshëm, sepse shumë studiues kanë menduar se për shkak të censurës romani nuk u botua më në vitin 1981 dhe se gjerdani i lartpërmendur nuk e përfshinte qysh në krye të herës këtë vepër. Në të vërtetë romani u botua, por pati një qarkullim të kufizuar në mënyrë që të mos binte në duart e masës së gjerë të lexuesve të Kadaresë. Edhe sot është e vështirë të shpjegohet ky qëndrim i shtëpisë botuese, e cila nga njëra anë dëshmoi dashamirësi ndaj autorit duke ia ribotuar veprën e përfolur, nga ana tjetër mori masa për të kufizuar sa më shumë përhapjen e Nëpunësit të pallatit të ëndrrave. Me sa duket vendimi për ta botuar romanin u mor me shumë kujdes, aq sa redaktorët e vëllimit nxituan t’i dilnin së keqes përpara duke deklaruar se në vitin 1988 autori kishte kryer një rishikim të variantit të censuruar të vitit 1981[19].

    Kjo nuk ishte hera e parë që Kadare pranonte të rishikonte një vepër të kritikuar. E kishte bërë sa herë që ishte ndodhur përpara akuzave për “dykuptimësi”, për “mungesë partishmërie proletare”, për “mospasqyrim të realitetit socialist” etj. Paradigmatik është rasti i romanit Dimri i vetmisë së madhe (1973). Kundër këtij romani që, sikurse u pa më lart, mund të konsiderohet kryevepra e letërsisë së sotme shqipe, u organizua një fushatë e egër kritike njëkohësisht me spastrimet që goditën organizuesit dhe pjesëmarrësit në festivalin e XI të këngës (1972), fajtorë sepse lejuan depërtimin e ndikimeve të huaja perëndimore në artet shqiptare. Kadare u detyrua të rishikonte botimin e parë të romanit – që siç dëshmon dorëshkrimi autograf, u konceptua dhe u shkrua në liri të plotë krijuese – dhe të pranonte sugjerimet e shumta që i vinin nga të gjitha anët: nga kritikët zyrtarë dhe nga kolegët shkrimtarë, nga funksionarët e Komitetit Qendror të partisë[20] e së fundi nga Nexhmije Hoxha, e shoqja e diktatorit, e cila me akribi pedante prej censori renditi fraza, shprehje, fjalë që autori duhej të fshinte, të ndryshonte a të zëvendësonte me të tjera që vetë ajo sugjeronte[21], duke filluar nga titulli i romanit i cili në botimin e dytë të vitit 1978 u bë Dimri i madh. Me fjalë të tjera ishte një rishikim i imponuar që sikurse e dëshmojnë dokumentet e shumta të ruajtura në Arkivin e Shtetit e të botuara nga Shaban Sinani[22], jo vetëm që vë në dukje ndikimin e fortë që ushtronte regjimi mbi shkrimtarin, por denoncon edhe mungesën e kushteve minimale të lirisë krijuese për artistët. Për këto arsye mund të themi pa frikë se nga pikëpamja e historisë së tekstit varianti i vitit 1978 nuk përfaqëson vullnetin e lirë të autorit a në rastin më të mirë përmban aq vullnete shumëduarshe sa nuk mund ta konsiderojmë të besueshëm e të denjë të barazohet me variantet e tjera që e paraprinë a e pasuan. Në të vërtetë dokumentet arkivore “sekrete” që u hartuan nga “kritika e zyrave” jo vetëm që na imponojnë një qasje kritike të kujdesshme e cila duhet të marrë parasysh doemos edhe kontekstin, por na sugjerojnë të hedhim poshtë çdo lloj qasjeje që nuk pajtohet me shkencën e tekstit e që mbështetet vetëm në premisa parashkencore, ideologjike e dogmatike, që të kujtojnë zellin moralist të romanvrasësve të regjimit, që Kadare i denoncon në një poezi të vitit 1984[23].

    Kjo parantezë është e domosdoshme sepse, nga njëra anë, disa nga çështjet e diskutuara këtu do të na shërbejnë në analizat e mëposhtme mbi Nëpunësin e pallatit të ëndrrave, nga ana tjetër, aspekti filologjik na lejon të rrokim disa veçori tekstore thelbësore të botimit të vitit 1989. Është fjala për një variant të besueshëm nga pikëpamja e historisë kritike të tekstit të Nëpunësit të pallatit të ëndrrave, që përmban pasazhe kyçe të evolucionit krijues të Kadaresë në raport me realizimin e projektit për të cilin autori punoi intensivisht duke filluar nga vitet 1970-73 dhe që përkon me krijimin e një bote a të një sistemi narrativ, të Ismailandit.

    Krahasimi mes dy varianteve, të vitit 1981 dhe 1989, nxjerr në pah dy lloj ndërhyrjesh që marrin pjesë në mënyra të ndryshme në procesin e ndërtimit të Ismailandit e që do t’i quanim përkatësisht “konjukturore” dhe “strukturore”. Ndër të parat bëjnë pjesë variantet e diktuara nga konteksti, pra nga ngjarjet që e shtynë veprën dhe autorin në bankën e të akuzuarve gjatë procesit publik që u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve[24].

    Gjatë atij procesi u cituan “pasazhet” e gjykuara si gabime të rënda ideologjike. Më i rëndi ishte ky i mëposhtmi që po e sjellim sipas botimit të plotë të vitit 1981 e që gjendet edhe në variantin vitit 1980:

    «– Jo hyrja e ndikimeve të jashtme, por, përkundrazi, mbyllja e tyre, jo depërtimi, por izolimi, pra, jo rekomandimi, por mosrekomandimi është një nga kriteret bazë të Tabir Sarajit. Megjithatë që sot ti pranohesh në punë në Pallatin e Ëndrrave».

    Ky pasazh u lexua si aluzion për aktualitetin politik të Shqipërisë, edhe sepse vështirë se mund t’i referohej së shkuarës së largët historike të Perandorisë Osmane[25]. Kadare në botimin e vitit 1989 e ndryshoi si më poshtë:

    «– Jo rekomandimi, po mosrekomandimi është një nga kriteret bazë të Tabir Sarajit. Fuqia e tij qëndron pikërisht në atë që ai rri i paanshëm midis grindjes së klaneve dhe i padepërtueshëm nga intrigat e tarafeve. Megjithatë, që sot ti pranohesh në punë në këtë pallat».

    Me këtë ndryshim autori pati dy synime që përforconin vullnetin për të vënë në dukje aspektet më kontroverse të regjimit: nga njëra anë, të zbuste ngarkesën e fortë ironike me të cilën kritikonte politikën izoluese të Enver Hoxhës që jo vetëm pengonte kontaktin kulturor me Perëndimin, por thellonte krizën ekonomike që kishte zënë fill nga fundi i viteve ’70 të shekullit të shkuar me prishjen e marrëdhënieve me Kinën; nga ana tjetër, të zbulonte konfliktet e brendshme që gëlonin në gjirin e elitës komuniste në pushtet e që përvijoheshin profetikisht si një luftë e ardhshme “klanore”, si një gjueti shtrigash që do të eliminonte pa mëshirë kushedi se ç’grupe armiqësore.

    Një dëshmi të mëtejshme e gjejmë te ndërhyrja që hasim në f. 189 të botimit të vitit 1989:

    «Për këtë veç punës së madhe për përpunimin e materialit, një rëndësi të madhe ka mbyllja e plotë e Tabir Sarajit ndaj çdo ndikimi të jashtëm».

    me të cilën Kadare zëvendëson një frazë të kritikuar në të njëjtën faqe të botimit të vitit 1981:

    »Për këtë, veç punës së shumtë për përpunimin e materialit, një rëndësi të madhe ka ruajtja e fshehtësisë. Mosnxjerrja e sekretit jashtë«.

    Se ç’ka pasur ndër mend autori me ndryshimin e variantit të vitit 1981 nuk mund ta themi me siguri, por mund të hamendësojmë një analogji me realitetin mbi të cilin mbështetet krijimi letrar duke kujtuar vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu në fund të vitit 1981, që deri atëherë konsiderohej si pasardhësi i natyrshëm i Enver Hoxhës, dhe dënimin e tij pas vdekjes me akuzën se kishte gabuar politikisht duke fejuar të birin me një vajzë të “deklasuar”.

    Po të pranohej kjo hipotezë interpretuese, lexuesi koherent do të konstatonte se Kadare, jo vetëm që nuk e ndreqi gabimin e bërë në botimin e parë, por e theksoi atë, duke i mëshuar simbolizmit antitotalitar.

    Në këtë mënyrë ai konfirmoi se, nga njëra anë, përligjeshin kritikat që i ishin bërë rreth «shpërpjesëtimit të krijuar në letërsi midis temës së kohës dhe asaj historike»[26] e, nga ana tjetër, se interpretimi alegorik ishte i vetmi lexim i mundshëm i Nëpunësit të pallatit të ëndrrave.

    Në fakt, qysh në botimin e parë të vitit 1981, pra para vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Kadare kishte përshkruar qartë konfliktet politike brenda udhëheqjes komuniste:

    «Ka ndodhur një ndeshje, një këmbim goditjesh e tmerrshme, por e shurdhër, në thellësitë, në themelet e shtetit. Prej saj ne kemi ndier vetëm lëkundjen e jashtme, ashtu siç ndodh në një tërmet, epiqendra e të cilit është shumë-shumë thellë. Pra, brenda natës paska ndodhur kjo përplasje e lemerishme midis dy grupesh kundërshtare, apo forcash ekuilibruese, merre si të duash, brenda shtetit. Prej saj kryeqyteti është i gjithi si në ethe, dhe askush s’di asgjë të qartë, madje as ne që jemi këtu dhe ku zë fill ky mister».

    Ky shembull është paradigmatik për të ilustruar stilin eversiv të Kadaresë që kritikët e gjykuan si të huaj për socrealizmin për shkak të të ashtuquajturit “ambiguitet”, por që rezultoi efikas për të denoncuar realitetin përmes figurave retorike dhe pasazheve simbolike që e shpien ironinë drejt sarkazmës deri te grotesku. E gjitha kjo falë krijimit të një bote narrative origjinale, Ismailandit, mbi të cilën autori filloi të punonte qysh me botimin e Dimrit të vetmisë së madhe, por që ia doli t’i jepte një formë të qëndrueshme me botimin e një sërë romanesh gjatë dy dekadave që pasuan.

    Në ndërtimin e kësaj bote tjetër që e lejoi Kadarenë të gëzonte lirinë e nevojshme për të ushtruar “normalisht” zejen e shkrimtarit, kontribuoi edhe teksti i Nëpunësit të pallatit të ëndrrave, që pikërisht në botimin e vitit 1989 u pasurua e u pajis me hallka të reja ndërtekstore, të cilat do ta bënin pjesë të pandarë të sistemit narrativ që po ngjizej. Disa nga ato hallka ishin shpërndarë nëpër tekst me qëllimin që të ndihmonin lexuesin ta inkuadronte menjëherë edhe atë roman në sistemin e ndërlikuar të Ismailandit. E tillë ishte për shembull «ajo bujtina me emrin e çuditshëm “Hani i dy Robertëve”», një vend që haset shpesh në prozën “historike” kadareane, sidomos në romanet Ura me tri harqe dhe Kush e solli Doruntinën. Më eksplicite ishin ato që u shtuan në botimin e vitit 1989, veçanërisht ato që u përkasin ndërhyrjeve “strukturore”.

    Shtesat më të rëndësishme hasen në faqet e para (shih botimin e 1989, kap. I, f. 177-179), që përmbajnë një hyrje të gjatë, e cila, përveç se modifikon incipit-in e botimit të parë, sjell elemente të reja funksionale për zhvillimet ndërtekstore në roman dhe rrjedhimisht për diegjezën e tij.

    Falë atyre faqeve Kadare mundi të fuste nëpër shtatë kapitujt e romanit (shih p.sh. bot. 1989 f. 341-342) bërthama të reja narrative, të cilat, duke u integruar me koherencë logjike në zhvillimet ndërdiegjetike, synonin të forconin marrëdhënien dialogjike me vepra të tjera pararendëse[27].

    Një funksion të tillë, për shembull, e kryejnë referimet ndaj familjes së Qyprillinjve, historinë e së cilës Kadare e shtjellon më hollësisht në botimin e dytë, nga njëra anë duke plotësuar me të dhëna të reja citimin frëngjisht të marrë nga Encyclopédie Larousse që për të parën herë shfaqet në kap. II të botimit të vitit 1981; nga ana tjetër, duke futur elemente të reja që e ndryshojnë ndjeshëm tekstin duke i bërë më të qarta lidhjet mes Nëpunësit të pallatit të ëndrrave dhe kryeveprës tjetër të narrativës kadareane, Urës me tri harqe. Te ky roman i fundit, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Shqipërinë qendrore në prag të pushtimit osman, historia e murgut Gjon paralajmëron shndërrimet e thella kulturore dhe fetare që do të pësojë vendi.

    Te Ura Kadare tematizon motivet klasike të antropologjisë kulturore shqiptare, mes të cilave spikatin ato të flijimit dhe të besës, duke përdorur si substrat narrativ baladat e lashta ballkanike që flasin për ngrehina në gur. Në këtë roman ngrehina është një urë, që Kadare e përdor si hallkën kryesore tekstore mes dy romaneve, siç del edhe nga prologu i botimit të vitit 1989:

    «Mbiemri i familjes sonë s’është veçse përkthimi i fjalës shqipe “Ura”, (qyprija), dhe vjen nga një urë triharkëshe në Shqipërinë Qendrore, e ndërtuar në kohën kur shqiptarët ishin ende të krishterë dhe në themelet e së cilës është muruar një njeri. Një katragjysh yni, me emrin Gjon, i cili ka punuar si murator në atë urë, pas mbarimit të saj, ashtu si shumë të tjerë, bashkë me kujtimin e krimit, ka marrë edhe mbiemrin “Ura”» (1989, f. 179).

    Falë këtyre elementeve marrëdhëniet ndërtekstore u ndërkallën plotësisht në projektin narrativ të Ismailandit, duke e vënë më në dukje formulën që përdori autori në thuajse të gjitha romanet e tij, qoftë në ato me tema “historike” (si KështjellaUra me tri harqeKush e solli Doruntinën?Komisioni i festësKamarja e turpit etj.), qoftë edhe në ato me tema nga aktualiteti (si Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Nëntori i një kryeqytetiMuzgu i perëndive të stepësDimri i vetmisë së madheGjakftohtësia që më vonë u bë Koncert në fund të dimrit).

    Tek të parat duhet përfshirë edhe saga e Qyprillinjve që, bashkë me atë të Hankonatëve me të cilën Kadare rindërton historinë shekullore të Gjirokastrës, zhvillon një funksion ndërlidhjeje “kohore”, sepse vë në marrëdhënie logjike çaste të ndryshme të historisë së Shqipërisë, nga shekujt e parë të sundimit osman deri në shek. XIX, kufi ky që e përcaktojmë falë përmendjes së Napoleonit.

    Parë në perspektivën e rolit narrativ që u vesh autori, variantet e botimit të vitit 1989 mund të konsiderohen edhe ato cilësisht “zëvendësuese”, me përjashtim të varianteve të shtuara ex novo. Nga rezultatet e krahasimit mes dy botimeve, të vitit 1981 dhe 1989, spikatin variantet ndreqëse, që restaurojnë stilin me eliminimin e përsëritjeve leksikore dhe kakofonive, si edhe variantet zëvendësuese që në disa raste pasqyrojnë një vullnet autorial i cili i mbivendoset fazës pararendëse.

    Duhet theksuar se variantet restauruese janë më të rëndësishme nga pikëpamja e kritikës letrare. Nuk është e rastit që larmia e dhe natyra e tyre janë të domosdoshme në përcaktimin e një stemma codicum, si edhe në vendimin se cili tekst do të përshtatet për botimin kritik dhe në ç’mënyrë do të ndërtohet aparati kritik. Për këtë arsye është e nevojshme të nënvizojmë faktin se të gjitha ndryshimet e evidentuara nga krahasimi i teksteve të 1981 dhe 1989, me përjashtim të atyre që nuk ngrenë peshë për dy problemet e lartpërmendura (dallime pikësimi, variante fonetike, morfologjike, drejtshkrimore etj.), do të konfirmohen në botimet e mëvonshme, megjithëse në disa raste autori do t’i japë jetë një procesi riorganizimi të lëndës narrative me synimin për t’i siguruar tekstit një rishikim më të lirë stilistik dhe përmbajtjesor.

    Një efekt anësor jo edhe aq i parëndësishëm i kësaj anomalie haset te përkthimet e romanit në gjuhët më të rëndësishme europiane.  Përkthimi i parë frëngjisht, që është i vitit 1990, u krye nga Jusuf Vrioni mbi bazën e tekstit të botuar në vitin 1989[28]. Nga ky përkthim varen shumë përkthime të tjera, mes të cilave edhe ai italisht[29], që po ashtu bazohet te botimi i vitit 1989. Mirëpo më vonë, duke nisur nga botimi i shtëpisë botuese franceze Fayard të gjithë Veprës së Kadaresë në vitet 1995-97, teksti i romanit pësoi një ndryshim rrënjësor, pasi tashmë u bazua te botimi i vitit 1981 dhe eliminoi të gjitha pjesët që pasqyronin variantin e vitit 1989. Kështu lexuesi perëndimor u gjend me dy versione të ndryshme të romanit, njësoj si lexuesi shqiptar i periudhës paskomuniste që sot nuk e njeh versionin e vitit 1989, por ka në dispozicion versione të modifikuara të vitit 1981.

    (Artikull i marr nga gazeta javore për letërsi dhe kulturë “ExLibris”)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark