×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Mbahet ceremonia për shënimin e 80-vjetorit të intelektualit, Ukshin Hoti

    Insajderi
    17 June 2023 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas nderimit që ka bërë në shtëpinë Muze të Prof. Ukshin Hotit, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti”, në Prizren, në shënimin e 80- vjetorit të lindjes të tij.

    Fjalën e tij kryeministri Kurti e ka nisur duke ua kujtuar të gjithë të pranishmëve se profesor Ukshin Hoti është ai i cili ka shpenzuar diç më shumë se 13 vite në universitet, dhe pothuaj po aq edhe në burg. Në fillesë pra është ndërgjegjja e universitetit nën ndëshkim, por në jetë të jetëve do të jetë ndërgjegjja e ndëshkuar e universitetit.

    Ai tha se Ukshin Hoti, me tërësinë e qëndrimit të tij teorik dhe veprimit praktik e bëri të pamundur dinakërinë e opinionit që ngjall frikë mbi mendimin, e bëri të pamundur universitetin si funksion vetëfrikësimi. “Ai e ka vendosur një vulë nga e cila zor se mund të shpëtojë e ardhmja e universiteteve tona dhe sa mirë që është kështu. Ky gjest i tij i përket atij lloji besëlidhjesh mes individualiteteve të dijes dhe vendeve të dijes. Po e them këtë gjë në Prizren, pikërisht në vendin ku është vulosur Besëlidhja e Lidhja para 145 vitesh”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se ne na mbetet detyra historike dhe politike t’i japim një themelim besëlidhjes së universitetit multidisiplinar me autonominë e inteligjencës kolektive.

    Duke theksuar se Universiteti është vendi i shumëzimit të disiplinave dhe i përbashkimit të disiplinave, i kombinimit mes krijimtarive të tyre, kryeministri tha se në këtë pikë personaliteti i Ukshin Hotit është shembulli i qartë i subjektit individual ku shprehet natyra kolektive e inteligjencës. Dashuri për letërsi, krijimtari në marrëdhënie ndërkombëtare dhe histori, prodhimtari në gazetari.

    Më tej, kryeministri Kurti, ka vlerësuar lartë figurën e profesor Hotit, derisa ka kërkuar nga çdonjëri, në çdo disiplinë qoftë, të studiojë tekstet e Ukshinit.

    “Dua të them me këtë se Rilindja është një proces që vazhdon. Rilindja vijon gjithnjë në formën e albanologjisë politike, pra si një qendërzim finalist i universiteteve tona. Dhe rilindasit na kanë sjellë këtu, Ukshini që nuk është mes nesh e midis tyre, dhe çdo formë dëshmore e dijes dhe veprimit na kanë sjellë në një gjendje të re nga mund të zotërojmë një krijimtari shumë herë më të lirë se në kohën e tyre”, u shpreh kryeministri Kurti.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    E nderuara Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Republikën e Kosovës,

    I nderuari profesor Mentor Alishani, rektor i Universitetit të Prizrenit,

    Të dashur Andin dhe Brisilda,

    I nderuari Enver Cikaqi, gjeneralmajor, zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës,

    Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Artan Abrashi, Arbër Rexhaj, Fidan Jilta, Enis Kervan, Jetmira Vrenezi dhe Ardian Gola, njëherazi edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Sport e Inovacion,

    Të nderuar kryetarë të komunave, z. Shaqir Totaj i Prizrenit, Smajl Latifi i Rahovecit dhe Bali Muharremaj i Suharekës,

    Zonja dhe zotërinj,

    Profesorë e studentë,

    Të nderuar pjesëmarrës,

    Ukshini është ai i cili ka shpenzuar diç më shumë se 13 vite në universitet, dhe pothuaj po aq edhe në burg. Në fillesë pra është ndërgjegjja e universitetit nën ndëshkim, por në jetë të jetëve do të jetë ndërgjegjja e ndëshkuar e universitetit.

    Një nga pyetjet më kyçe të Ukshinit, kësaj ndërgjegje të ndëshkuar të universitetit, do të jetë: si t’i bindim të tjerët se çfarë jemi dhe çfarë duam të jemi?

    Së pari duhet të dimë ne vetë se ç’jemi dhe çfarë dëshirojmë të jemi.

    Së dyti, le të vendosim një pozicion për njeriun që merr përsipër t’i përgjigjet këtyre pyetjeve: ai thotë: “jemi duke folur si pjesëtarë të INTELIGJENCËS së këtij populli”.

    E së treti, duke qenë tejendanë universitar, Ukshin Hoti, “i burgosuri i ndërgjegjes” e di dhe e njeh fushën e tij aq mirë sa nuk mbetet kurrfarë vendi për kompleks inferioriteti: andaj ai përcakton se ndryshimi pozitiv i pozitës së shqiptarëve i ndihmon Evropës në qartësimin e pozitave të veta. Dhe këtë përcaktim e bën nga kushtet e burgut, në përgjigjet për shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare. Një intelektual universitar flet për kushtin e botës i pacënuar nga kushti i vet. Kudo, edhe në burg, ai është pjesëtar i inteligjencës, universitari që reflekton si militant i mendimit. Në një bisedë ku gjendet i ndriçuari i lirisë, Kadare, dhe i burgosuri i ndërgjegjes, Hoti. Një nga bisedat më të rralla që njerëzimi ka fat të shohë, Kosova e ka fatalitetin ta jetojë.

    Sot, më shumë se kurrë duhet të ndihemi universitarë si ai, t’i jetësojmë tezat e tij. Në përkufizimin e dijes së vërtetë nuk ka vend për kompleks inferioriteti dhe as për ndërgjegje me hije. Nëse dija përmban kompleksitetin e inferioritetit, ajo është dije për pagesë e jo për krijim, ajo është dije e të tjerëve pa ne dhe jo vetëdije e jona që mund t’u shërbejë edhe të tjerëve. Nëse ka një vend në Republikë ku ndërtohet vetëdija pa kompleks inferioriteti, ky vend është sigurisht universiteti. Një nga direktivat, ose aksiomat e profesor Ukshin Hotit është e tillë: “Çdo asimilim është i dhunshëm në faktin se je i detyruar të harrosh që je i vetes”. Ukshin Hoti kaloi në katër universitete, Zagreb, Beograd, Harvard, Prishtinë. Kaloi në pothuaj po aq burgje. Por, vende aq të përkundërt i shërbyen për të punuar të njëjtën cilësi mendimi: opinionin publik të dijes së fortë. Andaj fjala shkencë vjen shpesh në ligjërimin e tij teoriko-politik. Nuk ka mendim pa teori, dhe nuk ka praktikë pa reflektim. Nuk ka dije pa tokë, pa truall, sepse nuk ka dije abstrakte pa direktiva veprimi. Dija e vërtetë bëhet vetëdije për veprim.

    Nëse kërkojmë të dimë për të shmangur vetveten, atëherë nuk jemi më tek inteligjenca publike e çështjeve, por te inteligjenca si dinakëri e përvetuar që kërkon t’i shndërrojë çështjet publike në interesa private. Ukshin Hoti, me tërësinë e qëndrimit të tij teorik dhe të veprimit praktik e bëri të pamundur dinakërinë e opinionit që ngjall frikë mbi mendimin, e bëri të pamundur universitetin si funksion vetëfrikësimi. Ai e ka vendosur një vulë nga e cila zor se mund të shpëtojë e ardhmja e universiteteve tona dhe sa mirë që është kështu. Ky gjest i tij i përket atij lloji besëlidhjesh mes individualiteteve të dijes dhe vendeve të dijes. Po e them këtë gjë në Prizren, pikërisht në vendin ku është vulosur Besëlidhja e Lidhja para 145 vitesh. Por ne na mbetet detyra historike dhe politike: t’i japim një themelim besëlidhjes së universitetit multidisiplinar me autonominë e inteligjencës kolektive. Universiteti është vendi i shumëzimit të disiplinave dhe i përbashkimit të disiplinave, i kombinimit mes krijimtarive të tyre. Në këtë pikë personaliteti i Ukshin Hotit është shembulli i qartë i subjektit individual ku shprehet natyra kolektive e inteligjencës. Dashuri për letërsi, krijimtari në marrëdhënie ndërkombëtare dhe histori, prodhimtari në gazetari.

    Ukshini universitar na tregon se studenti dhe profesori nuk janë individë, por individualitete. Individualitet do të thotë shprehje integrale e inteligjencës në një individ por që mbart dijen kolektive. Të gjitha çka po mendoj kur them këtë gjendje në thelb të reflektimeve dhe porosive të Ukshinit, në fakt e ka thënë ai vet, prandaj më saktë, më mirë ta citojmë: “E dëshiroja me vetëdije forcimin e identitetit intelektual të inteligjencies shqiptare në Kosovë”.

    Por, kjo dije, kjo vetëdije që në universitet është njëkohësia e disiplinave, në fakt duhet të jetë edhe vijimësia, shumatori i qëndrimeve teorike që prej deklarimeve publike të rilindasve deri te shprehjet zyrtare, ideologjike apo jo, në kohë. Ukshini ishte mjeshtri i madh i trajtimit të historisë politike përkundrejt gjeopolitikës. Historia politike nuk duhet të reduktohet në emocion të ideologjizuar dhe as në kozmopolitikë që e shtyp veten nën peshën e rruzullit. Kundër shtypjes së vullnetit nën gjeopolitikë ne kemi si mbrojtës sërish Ukshin Hotin: “Vdekja e mendimit gjeopolitik është parakusht i domosdoshëm për bashkim me sukses të Evropës”. Ja një program për tërë dijen evropiane.

    Çdonjëri prej jush, në çdo disiplinë qoftë, duhet të studiojë tekstet e Ukshinit. Po ta vini re, të gjithë opinionet që shfaqen sot për me i ndrydhë vullnetet tona nuk i referohen asnjëherë dijes së rilindasve të të gjitha kohërave, përfshirë këtu edhe Ukshinin. Dua të them me këtë se Rilindja është një proces që vazhdon. Rilindja vijon gjithnjë në formën e albanologjisë politike, pra si një qendërzim finalist i universiteteve tona. Dhe rilindasit na kanë sjellë këtu, Ukshini që nuk është mes nesh e midis tyre, dhe çdo formë dëshmore e dijes dhe veprimit na kanë sjellë në një gjendje të re nga mund të zotërojmë një krijimtari shumë herë më të lirë sesa në kohën e tyre. Duke mos njohur ose duke hequr nga mendja autoktoninë e shkencës për universalitet, horizontin rilindës për çlirim, ne rrezikojmë të humbim edhe arsyet e pavarësisë.

    Të dashur miq të mi, studentë e profesorë, pavarësia nuk importohet, e as demokracia nuk importohet, sepse nuk janë mallra por vlera. Në kohën e kaq shumë mallrave pa vlerë, ato janë vlera pa mallra. Demokracia e ka për kusht jetik pavarësinë e subjektit, andaj edhe është gjithnjë autentike. Pikërisht Ukshini e skicon qartë se demokracia është autentike si projekt i inteligjencës së një populli në gjuhën e tij të lartë dhe në gjuhën e tij natyrore. Pikërisht sepse Ukshin Hoti është autentik në lidhjen e tij mes veprimit dhe reflektimit, demokracia që ai prodhon është autentike.

    Një profesor i tillë do të dënohet më së pari si mbrojtës i të vërtetës së protestës së studentëve të vet. Sepse, ky profesor e njeh në thelb sekretin e universitetit: ura e madhe që shpie tek e ardhmja është vetëm ajo teori që e sheh te studenti mishërimin e vet.

    Dija e tij është autentike në po atë masë që ju e artikuloni në inteligjencën tuaj studentore dhe universitare, pra si individualitete krijuese dhe si kolektiva shkencorë. Le ta çlirojmë ndërgjegjen e burgosur të Rilindasit. Ky është misioni juaj, ky është misioni ynë.

    Ju faleminderit.​

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark