Gjatë ditës së sotme, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të MBPZHR-së, Kapllan Halimi pritën në një takim zyrtarët e Bankës Botërore, Diego Garrido Martin dhe Silvia Mauri me të cilët biseduan lidhur me projektet aktuale dhe mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta edhe për të ardhmen në zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë.
Me këtë rast, zëvendësministri Krasniqi i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar dhe po i ofrojnë sektorit të bujqësisë, si dhe i njoftoi këta të fundit me zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe për ndikimin që kanë pasur investimet e MBPZHR-së dhe donatorëve tjerë, siç është BB-ja, USAID-i, etj. dhe shtoi se nga puna e përbashkët mes dy institucioneve, tanimë jemi në proces të punës dhe Kosova së shpejti do të ketë Master-Planin Nacional dhe studimin e fizibilitetit sa i përket sistemit të ujitjes.
Në këtë takim u bisedua gjithashtu edhe për ecurinë dhe bashkëpunimin me Bankën Botërore për projektin që është në përfundim e sipër të realizimit, pra studimi i fizibilitetit për rehabilitimin e sistemit të ujitjes “Radoniqi-Dukagjini”.