×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Afro 100 mijë euro i kushtojnë komunës së Podujevës dy kontrata për barin sintetik të një fushe sportive

    Insajderi
    13 October 2023 - 16:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy kontrata brenda dy viteve janë nënshkruar nga Drejtoria e Kulturës në Podujevë për ndërtimin e terrenit sportiv për fushën e fshatit Peran. Në kontratën e parë është transportuar dhe montuar bari sintetik. Por ende pa u bërë dy vite, merret vesh se bari është shumë i dëmtuar. Në kontratën e dytë në të cilën përfshihet edhe fusha sportive e fshatit Peran, totali për furnizim dhe montim ka kushtuar 80 mijë e 600 euro. Ndërkohë drejtori Pajtim Balaj i ka thënë Insajderit se në herën e parë bari sintetik ishte dhuruar falas.

    Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Podujevës, ka nënshkruar dy kontrata për terrenin sportiv për barin sintetik në fshatin Peran të kësaj komune.

    Kontrata e parë e emëruar “Ndërtimi i terenit sportiv në fshatin Peran”, është nënshkruar me 7 dhjetor të 2021.

    Përpos tjera llogarive në këtë kontratë është përfshirë transporti dhe montimi i barit sintetik ndërsa në llogari hynë edhe furnizimi, transporti dhe shtrirja e rërës.

    “Transporti dhe montimi i barit sintetik ekzistues (barin sintetik e posedon investitori). Në llogari hynë edhe furnizimi, transporti dhe shtrirja e rërës së kuarcit dhe granulati (goma) sipas standardeve”, thuhet në kontratë. Çmimi total i kësaj kontrate për ‘Ndërtimit e terenit sportiv në fshatin Peran’, ka qenë 72 mijë e 020.24 euro.

    Por, ende pa u mbushur dy vite nga nënshkrimi i kontratës së parë, është nënshkruar kontratë tjetër me datën 2 gusht 2023 për “Ndërtimin e infrastrukturës sportive”, në të cilën përfshihet përsëri edhe fusha sportive e fshatit Peran.

    Në këtë kontratë çmimi total është 425 mijë e 128.63 euro, ndërsa vetëm për fushën e fshatit Peran janë ndarë afro 100 mijë euro.

    Kurse për furnizimin me bari sintetik dhe montimin e tij totali është ka kushtuar 80 mijë e 600 euro.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e kësaj drejtorie në Komunën e Podujevës, Pajtim Balaj, i cili tha se gjatë asaj kohe nuk ka qenë drejtor në Drejtorinë e Kulturës, por që në kontratën e parë barin sintetik e kanë marrë gratis, por pasi që është vendosur e kanë vërejtur se ka dëmtime të mëdha, andaj kanë filluar procedurat për blerjen e barit të ri.

    “Në ate kontrate nuk ka bari të përfshire në pozicione. Kur është iniciuar kontrata e parë unë nuk kam qenë Drejtor. Ajo kontratë ka pasur mungesa në pozicione si: bari sintetik, rrethojat anësore, portat (golat), rrjetat prapa portave dhe zhveshtorja.

    Kemi bërë përpjekje që ta përdorim barin e vjetër të stadiumit Zahir Pajaziti, të cilin e kemi marrë gratis nga Federata dhe KF Llapi, por kur është vendosur, janë vërejtur dëmtime të mëdha në të dhe nga kompania jemi njoftuar që është e pamundshme të kryhet fusha me të. Meqë bari i vjetër nuk ka qene funksional, jemi detyruar që të nisim procedura për blerjen e barit”, tha Balaj për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark