×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Mbi 120 mijë euro të FFK’së janë transferuar në llogaritë private të rrethit të ngushtë të Agim Ademit

    Insajderi
    24 January 2023 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një seri bonusesh të majme janë shpërndarë për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Insajderi ka siguruar këto transaksione, për të cilat merr vesh që po i heton edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Gazeta Insajderi

    Vetë marrin vendim e janë ata që vetë përfitojnë. Kjo është historia e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që është denoncuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka mësuar Insajderi nga burime të saj.

    Në këtë denoncim, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, janë dhënë krejt detajet e transaksioneve në vlera dhjetëra-mijëra euro që janë shpërndarë tek anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, pagesa në emër të bonuseve që kalojnë pagesat e rregullta që këta punonjës të FFK marrin.

    FFK

    Agim Ademi dhe disa nga anëtaret e Komiteti Ekzekutiv kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke krijuar përfitime për vete, ata gjatë vitit 2021/2022 kanë shpenzuar mijëra euro ne emër te pagesave te rregullta mujore dhe ne emër te shpenzimeve, mëditjeve, kompensimeve shtese dhe benificioneve si anëtarë te Komitetit Ekzekutiv te FFK-se, duke ndarë shuma të parave për vetë veten e tyre pa I miratuar ato përfitime nga Kuvendi I FFK-së”, thuhet në dokumentin që e posedon Gazeta Insajderi.

    Në transaksionet e nxjerra nga xhirollogaria e FFK-së, që i ka siguruar gazeta, janë evidentuar këto transaksione në detaje se kush sa mori.

    Sipas transaksioneve që ka siguruar Gazeta Insajderi, Mirsad Çollaku ka përfituar 6 mijë euro pagesë e rregullt kurse mbi 26 mijë euro benificone, që kapin shifrën e mbi 32 mijë eurove në total.

    Mirsad Çollaku – 26.806 euro

    Vjollca Krasniqi, anëtare e KE,  po ashtu ka përfituar një pagesë të rregullt prej 6 mijë eurosh, ndërsa në emër të kompensimeve ka marrë mbi 14 mijë euro. Krasniqi në total ka përfituar mbi 20 mijë euro nga FFK’ja e udhëhequr nga Agim Ademi.

    Vjollca Krasniqi 14.560 euro

    Agim Dibrani është paguar në mënyrë të rregullt nga FFK-ja me mbi 8 mijë euro, kurse si benificione ka përfituar edhe 10 mijë të tjera. Dibrani në total është shpërblyer nga FFK-ja me mbi 18 mijë euro.

    Agim Dibrani 10.140 euro

    Ismajl Ajeti e Ilaz Mjaku marrin nga 6 mijë euro si pagesë e rregullt, por të dy kanë përfituar në emër të benificioneve edhe shumën mbi 11 mijë euro për secilin. Ajeti e Mjaku secili kanë përfituar mbi 17 mijë euro nga FFK’ja.

    Ismajl Ajeti 11,836 euro
    Ilaz Mjaku 11.585 euro

    Xhelal Broja pos pagesës së rregullt prej 6 mijë eurosh ka përfituar edhe 10 mijë euro të tjera shtesë si benificione, derisa Naser Ajeti e Agim Nura të dy kanë përfituar pos pagës prej 6 mijë eurosh, edhe nga një shumë prej mbi 9 mijë eurosh secili si benificione.

    Xhelal Broja 10.905 euro

    Bakir Burri pos pagesës prej 6 mijë eurosh të rregullta ka marrë shtesë edhe 7 mijë të tjera, kurse Predrag Joviq pos pagesës së rregull prej 6 mijë eurosh, ka përfituar edhe mbi 6 mijë te tjera si benificione.

    Bakir Burri 7.084 euro Agim Ademi 9.311 euro

    Edhe vetë Agim Ademi ka përfituar në emër të benificioneve mbi 9 mijë euro nga FFK-ja.

    Flamur Bunjaku është i vetmi anëtarë i Komiteti Ekzekutiv i cili nuk ka marrë asnjë të hyrë nga buxheti I FFK-së  dhe nuk ka marr asnjë beneficion apo kompensim shtesë.

    Totali i benificioneve që kanë marrë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv në FFK kalon shumën mbi 127 mijë euro në vit.

    Sipas të dhënave del që në përqindje, krahasuar me pagesat e rregullta, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv kanë përfituar, disa nga 200 % më shumë se sa pagesa e rregullt, e disa deri në mbi 300 % më shumë.

    Insajderi e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë për këtë denoncim por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

    Shkeljet që kanë bërë anëtarët e Komiteti Ekzekutiv

    Përveç kompensimeve te rregullta mujore si anëtarë të Komiteti Ekzekutiv , dhe kompensimeve për udhëtime dhe aktiviteteve tjera që lidhen me aktivitete e futbollit, anëtarët e Komiteti Ekzekutiv kanë ndarë kompensime shtesë për vete në shuma fikse, 50 euro, 100 euro, 150 euro, 200 euro, 400 euro, 450 euro, 470 euro, 500 euro, 1000 euro dhe 2000euro, 5000euro dhe 20 000 euro pa asnjë arsyetim, thuhet në dokumentin e enoncimit të këtij rasti në Prokurori, që e ka siguruar Insajderi.

    Edhe pse mëditjet për anëtarët e KE janë të rregulluara, për një anëtarë të KE mëditja është 42,75 euro por kjo forme e pagese është bërë në raste të rralla për anëtarët e KE,  derisa janë aplikuar kompensime shtese më të larta jashtë pagesave të mëditjes, duke ndarë mjete për vetë me vendim anëtarët e KE që dyshohet se kanë bërë vepër penale duke i krijuar mundësi përfitimi të jashtëligjshme vetes dhe të tjerëve.

    Agim Ademi ne bashkëkryerje me Komitetin Ekzekutiv te FFK-se  dyshohet se kanë keqpërdorur buxhetin e FFK-se  duke ndare pagesa për  vete   ne kundërshtim LIGJI PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATA JOQEVERITARE, Nenin 12, pika 1 dhe 3,  ku thuhet: se pasuritë , të ardhurat dhe fitimet e OJQ-së nuk përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përfitime , për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtarë, punonjës ose donator të OJQ-së , përveç pagesës për personat që kryejnë punën për organizatën.

    Në vitin 2021, sipas transaksioneve që ka siguruar Gazeta Insajderi, anëtarët e Komiteti Ekzekutiv me vendim dy herë ia kanë ndarë vetës nga 2000 euro kompensime (për pushime), dhe  1000 euro në vitin 2022. Përfitues të kësaj shume janë të gjithë anëtarët e Komitet Ekzekutiv, përjashto këtu Flamur Bunjakun, ndërsa Agim Ademi shumën e kompensimit 2000 euro e ka marr vetëm njëherë në vitin 2021.

    Sipas Statuti të FFK-së neni 23, Pika 7,  anëtari i organit apo trupit statutar të FFK-së nuk mund të merr pjesë në sjelljen e vendimeve rreth asnjë çështjeje, ku mund të ketë konflikt interesash.

    Gjithashtu anëtarët e Komitetit Ekzekutiv që kanë marrë pjesë  në mbledhje dhe kanë votuar për të i ndarë shpërblime vetes kanë shkelur Ligjin mbi Organizatat jo-qeveritare.

    Në letrën e denoncimit të kësaj afere bëhet me dije se këto vendime u morën në datat  19.02.2021 dhe 01.07.2021.

    Vendimi për ta shpërblyer vetën dyshohet se është i kundërligjshëm. Anëtarët e Komiteti Ekzekutiv  kanë marrë që të ia rrisin vetes kompensimin nga 500 në 1 mijë euro. Ky vendim është marrë pa kaluar nëpërmjet Kuvendit të Federatës së Futbollit.

    Komiteti Ekzekutiv ka të drejtë që të marrë vendime për rritjen apo zbritjen e kompensimeve për komisionet që janë vartës të këtij organi. Ndërsa për kompensimet e tyre duhet të vendos organi më i lartë i FFK’së, që është Kuvendi i Federatës së Futbollit.

    InDoks muaj më parë ka transmetuar emisionin “Huligani” që zaptoi Federatën e Futbollit”. Aty ishin sjell rrëfime ekskluzive nga njerëz që punuan me të nga njerëz që ishin viktima të rasteve të tij në gjyq e dokumente që ekspozonin mënyrën se si ai e udhëheq këtë federatë me buxhet multimilonësh.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark