Që nga dita kur karrigen e kryeministrit e zuri Albin Kurti, rreth 4 mijë punonjës shëndetësor ikën nga Kosovë drejt shteteve të huaja. Për të parin e ekzekutivit, këto statistika të frikshme janë të fryra pasi nuk përkojnë me realitetin. Por, mjekët kanë filluar të largohen edhe nga QKUK-ja drejt spitaleve private, shkruan Gazeta Insajderi.
Vetëm gjatë këtij viti 500 infermierë kanë ikur nga Kosova, ndërsa sipas të dhënave zyrtare nga Sindikata e Infermierëve rreth 3 mijë infermierë kanë arritur të sigurojnë kontrata pune dhe shumë shpejt priten të largohen nga Kosova.
Ndërsa, sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, që nga janari i vitit 2020 deri në ditën e sotme 403 mjekë janë larguar nga Kosova.
Vetëm në vitit 2020 janë larguar 105 mjekë, kurse në 2021 janë larguar 159 dhe që nga janari i 2022 deri me sot janë larguar 139 mjekë.
Këto statistika alarmante kryeministrit i vendit, Albin Kurti i quajti të fryra gjatë seancës së Kuvendit. Sipas tij, gjendja nuk është aq keq sa po zmadhohet në opinion publik.
“Ne, natyrisht që punojmë, angazhohemi, që të mos shkojnë punëtorët nga shërbimi shëndetësor publik i Kosovës. Një pjesë e tyre kalojnë edhe në sektorin privat, disa shkojnë edhe jashtë vendit. Por, megjithatë besoj që shifrat dhe përshtypja që krijohet është më e fryrë se realiteti”, ka thënë Kurti sot në Kuvend.
Ikja e mjekëve sipas Kurtit nuk përkon me realitetin aktual, në të cilin gjendet shëndetësia kosovare.
“Nuk po them se nuk ka mjekë që po shkojnë, mirëpo nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali për shëndetësinë të jetë ajo për mjekët që po shkojnë, sepse nuk e reflekton realitetin”, ka shtuar ai.
Për t’i motivuar mjekët që po qëndrojnë ende në Kosovë, Kurti i quajti patriot dhe të ndershëm.
“Megjithatë, spitalet tona rajonale, QKUK, Qendra e Mjekësisë Familjare nëpër komunat e Kosovës anë e mbanë janë me mjekë e infermierë të devotshëm të vendit tonë, që janë edhe të ndershëm, edhe patriotë edhe profesionistë”, tha Kryeministri.
50 specialistë shëndetësor lënë spitalin e shtetit për atë privat
Kuadri mjekësor po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës. Vetëm për tre vjet nga Kosova janë larguar 403 mjekë. Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe moskalimi i Ligjit të pagave, bënë që në sytë e mjekëve Kosova të duket si vend që nuk ofron mundësi.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një intervistë për Gazetën Insajderi ka treguar se përveç ikjes së mjekëve nga Kosova, një fenomen i ikjes së mjekëve nga sektori publik në atë privatë po shënon rritje masive.
Sipas Sejdiut, vetëm gjatë këtij viti 50 specialistë kanë lënë sektorin publik për atë privat, për shkak të pagave të ulëta.
”Ikja e mjekëve nga sektori publik tek sektori privat, po ashtu është një fenomen shumë brengosëse sidomos kur kemi të bëjmë me mjekët me përvojë dhe eksperiencë të madhe. Sipas të dhënave që kemi marrë nga drejtorët e klinikave dhe spitaleve rajonale gjatë këtij viti nga sektori publik në atë privat kanë kaluar rreth 50 specialistëve të fushave të ndryshme”, tha Sejdiu për Insajderin.
Ikja e anesteziologëve nga QKUK-ja
Gazeta Insajderi, ka raportuar për fenomenin e ikjes së mjekëve nga sektori publik në atë privatë, i cili po shënon rritje masive.
Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, vetëm brenda muajit gusht-shtatorit pesë anesteziolog kanë ofruar dorëheqjen nga kjo klinikë, për t’i vazhduar aftësitë e tij profesionale në një spital privatë.
Në muajin gushtë të këtij vitin, ishte vet drejtori i kësaj klinike, Nehat Baftiu që dha dorëheqje nga detyra si Anesteziolog, në ShSKUK-së dhe që aftësitë e tij profesionale i vazhdoi në një institucion privat.
Kurse, 9 shtator të këtij viti, ishte mjeku Burhan Hadri, i cili u larguar nga klinika e Anesteziologjisë për të vazhduar punën në spital privatë.
Rrugën e largimit nga QKUK-ja, sikurse anesteziologu Burhan Hadri, e ndjekën edhe dy koleget e tij. Doktoreshat Dafina Matoshi dhe Myzejene Kryeziu lanë punën në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, shkruan Insajderi.
Për Gazetën Insajderi, ishte deklaruar drejtori i Anesteziologjisë, Gazmend Spahija. Ai tha se arsyeja e dorëheqjes se anesteziologut është paga e ulët në QKUK.
“Burhan Hadri ka ofruar dorëheqjen tij nga 26 shtatori, pasi momentalisht gjendet në pushim vjetor. Arsyeja kryesore ka qenë paga pasi në spital privatë ka pagë më të lartë dhe ka kujdestarit me pak”, tha Spahiju për Insajderin./GazetaInsajderi/